Sekuestrimi i 59 kg kokainë në anijen me qymyr në Durrës, po kryhet kontroll me polumbarë në pjesën e poshtme të anijes! Merret në pyetje ekuipazhi, deri tani asnjë në pranga

18 Maj 2022, 12:43| Përditesimi: 18 Maj 2022, 14:24

  • Share

DURRËS- Prej 24 orësh, Policia e Shtetit dhe SPAK vijojnë kontrollet intensive në bordin e anijes që erdhi me qymyr nga Ekuadori në Durrës. Fillimisht nën sasitë e qymyrit u gjetën 59 kg kokainë, ndërsa hetuesit dyshojnë se mund të ketë sasi të tjera. Për këtë arsye polumbarët i kanë përqendruar kontrollet në dyshemenë e anijes.

ReportTv mëson se informacionet për praninë e drogës në anije janë përcjellë nga DEA amerikane zyra kundër drogës, ndërsa pritet që brenda ditës së nesërme të ketë edhe një njoftim zyrtar për ecurinë e operacionit.

Prej 16 Majit, kur kanë kaluar 48 orë ende nuk ka asnjë person të arrestuar, anija është sekuestruar, ndërsa stafit të anijes i është ndaluar largimi nga Shqipëria. Burime nga grupi hetimor bënë me dije se pjesa më e madhe e qymyrgurit që ndodhej në bordin e anijes siç dhe shihet në foto, ishte porositur nga një kompani shqiptare që operon në biznesin e kromit.

Kokaina u gjet në hambarin e anijes "Unistream" me flamur të Antigua Barbuda nga Ishujt Karaibe. Ajo ishte e ndarë në 53 pako, në 2 çanta dhe deri më tani bëhet fjalë për 59 kg. Policia bëri kontroll me qen antidrogë, por nuk e pikasën kokainën, për pasojë deri tani është kontrolluar 80% e qymyrit.

Kjo nuk është hera e parë që kapet drogë në Portin e Durrësit. Hera e fundi ishte vetëm pak javë më parë, më konkretisht në 5 prill 1 kg heroinë, teksa ndër sasitë më të mëdha ka qenë ajo në janar ku u kapën 119 kg kokainë të ngarkuara me kamionët me banane.

M.Q./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?