Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, thotë se vendimi i Serbisë për të mos lejuar pjesëmarrjen e sportistëve kosovarë në Kampionatin Botëror të Boksit paraqet “shkelje të normave ndërkombëtare të sportit”. Kurti tha se i bën thirrje Bashkimit Evropian dhe komunitetit ndërkombëtar që të dënojnë “këtë shkelje dhe veprim diskriminues”.
“Serbia duhet të tregojë forcën e saj në ringun e boksit, jo në kufi. Vendimi i tyre për të mos lejuar hyrjen e sportistëve tanë për Kampionatin Botëror të Boksit 2021 është një shkelje e normave ndërkombëtare të sportit. I bëj thirrje BE-së dhe bashkësisë ndërkombëtare ta dënuar këtë shkelje dhe veprim diskriminues”, shkruan Kurti.
Reagimi vjen pasi autoritetet serbe nuk i lejuan boksierët kosovarë që të hyjnë në Serbi, për të marrë pjesë në Kampionatin Botëror të Boksit që po zhvillohet në Beograd, për shkak të simboleve shtetërore.
Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, tha më herët se Federata e Boksit e Kosovës duhet të trajtohet njësoj si të tjerat. Federata e Boksit e Kosovës është bërë anëtare fuqiplotë e Federatës Botërore të Boksit në vitin 2014.
Kampionati Botëror i Boksit nisi në Beograd më 24 tetor dhe do të zgjasë deri më 6 nëntor. Kosova përfaqësohet nga tre boksierë: Bashkim Bajoku, Shpëtim Bajoku dhe Patriot Behrami.
Nga ana tjetër ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit i Kosovës, Hajrullah Çeku, paralajmëroi se Kosova do të vendosë për ndalimin e zhvillimit të “aktiviteteve sportive paralele” serbe. Sipas tij, në Kosovë funksionojnë shumë struktura paralele të federatave serbe, në kundërshtim me ligjet e Kosovës.