Foto ilustruese

Sfida reale e PD-së e tejkalon 6 marsin

11 Shkurt 2022, 11:20| Përditesimi: 11 Shkurt 2022, 11:26

  • Share

Tanimë është e qartë se dekretimi i zgjedhjeve të pjesshme vendore nga Presidenti i Republikës, nuk u bë për të vendosur legjitimitetin e pushtetit vendor, por për t’u pozicionuar në konfliktin e brendshëm të PD-së. Një gjë e tillë përforcohet edhe kur sheh se si familja presidenciale në daljet publike ka shpeshtuar sulmet ndaj zotit Basha, madje duke përdorur ndaj tij leksikun dhe epitetet e zotit Berisha.

I ashtuquajturi Grupi i Rithemelimit që vijon të jetë ligjërisht në ilegalitet, edhe pse i ka karrocuar kandidatët në peshkarexhat e LSI-së dhe të PDK-së, po e përdor këtë periudhë për të mbajtur gjallë “kauzën” e “qytetarit digjital”, me ndryshimin se referenti i ri është kryetari i PD-së, i cili prej 9 shtatorit është shndërruar në pjesëtar të një komploti ndërkombëtar të udhëhequr në Amerikë nga G. Soros dhe në Shqipëri nga E. Rama.

Kandidatët e PD-së janë duke zhvilluar një fushatë të qetë, qytetare. Ata po tregojnë maturi, thjeshtësi dhe po flasin për problematika të jetës së përditshme që prekin drejtpërdrejt qytetin, larg nga retorika dhe konflikti politik.

Mirëpo, ka një pjesë të konsiderueshme njerëzish kureshtarë që më shumë presin me padurim se si do të dalë rezultati i zgjedhjeve të 6 marsit në radhët e kandidatëve të opozitës, duke e paraqitur atë një garë për vendin e dytë.

Është normale që çdo parti dhe çdo kandidat të futet në zgjedhje për të fituar, por, në gjykimin tim, Partia Demokratike nuk duhet të kompleksohet nga rezultati i kësaj gare.

Së pari, këto zgjedhje janë për mandatin 1-vjeçar të kryetarit të bashkisë, nuk do të ketë garë për këshillat bashkiakë, drejtuesit e rinj zgjidhen pas miratimit të buxheteve vjetore, ku shumica e tenderave dhe punëve janë kryer dhe në periudhën e mbetur nuk ka kohë, thuajse, për asgjë.

Së dyti, në këtë garë nuk do të votojnë vetëm anëtarët e PD-së, por edhe të partive të tjera. Prandaj, çdo rezultat nuk do të tregojë asgjë përsa i përket sherrnajës së brendshme në parti, sepse shansi i fundit për ta zgjidhur ligjërisht një gjë të tillë ishte Kuvendi i datës 18 dhjetor.

Së treti, zgjedhjet lokale presupozohet të jenë për çështje vendore, që kanë të bëjnë me jetën e përditshme të banorëve, me taksat dhe tarifat, me administrimin e punëve të brendshme, me hapësirat publike, me infrastrukturën, me ndriçimin dhe gjelbërimin, me administrimin e ujësjellsave… etj. Edhe në kushte të zgjedhjeve normale, duhet të marrë fund ideja e shndërrimit të zgjedhjeve vendore në zgjedhje politike.

Së katërti, ndonëse u zhvilluan në vitin 2019 pa kandidat rival përballë, mazhoranca socialiste dhe Edi Rama nuk mundën të zgjedhin njerëz të pranueshëm përsa i përket pastërtisë së figurës. Dy prej të zgjedhurve vendor ranë në rrjetën e dekriminalizimit, një vijon të jetë pas hekurave për korrupsion në tendera, ndërsa në Durrës pas kryetares së dorëhequr janë larguar edhe tre drejtues të tjerë, për shkak të influencës së madhe të një të shpalluri “non grata” në atë bashki. Në kushtet e një shoqërie normale dhe të arsyeshme, së paku, në këto katër bashki, qytetarët duhet të mos kishin asnjë hezitim në ndëshkimin e qeverisë dhe në votëbesimin e kandidatëve të opozitës.

Pavarësisht sa më sipër, mendoj se sfida e vërtetë e Partisë Demokratike duhet ta tejkalojë datën 6 mars. Kryesore për PD-në duhet të jetë kthimi i legjitimitetit të plotë të pushtetin vendor, hapja sa më parë e një debati publik dhe profesional për rishikimin e Reformës Territoriale dhe garancia ligjore për vijim të procesit të decentralizimit, i cili është shkelur në gjithë këto vite nga Kryeministri Edi Rama, duke filluar prej vitit 2015, ku e gjithë fushata u përqendrua në kërcënimin e tij se nuk do t’i jepte fonde bashkive që votohen kandidatët e opozitës, e duke vijuar edhe sot ku Kryeministri i vendit, në shkelje të hapur të Kushtetutës, sillet si kryetar i të gjithë bashkive të Shqipërisë.

Ndaj është detyrim i Partisë Demokratike t’u ofrojë shqiptarëve një Reformë të Re Territoriale, e cila do të jetë në përputhje me nevojat dhe pritshmëritë e tyre, t’u shërbejë dhe t’ua lehtësojë shërbimet vetjake dhe, mbi të gjitha, të mos i varfërojë xhepat e tyre

K.T./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?