TIRANË- Studentët që diplomohen do kthehen në auditore gjatë muajit qershor. Lajmi u njoftua nga ministrja e arsimit Besa Shahini e cila sqaroi se provimet dhe riprovimet për studentët që do diplomohen do jepen në periudhën korrik-gusht.
"Bazuar mbi këto propozime, MASR nxori sot një urdhër që kërkon nga universitetet publike marrjen e disa masave për mbylljen e drejtë dhe të suksesshme të vitit akademik. Urdhri ka katër elemente kryesorë: Elementi i parë kërkon që të prioritizohet puna me studentët që diplomohen në të gjitha ciklet e studimeve të tyre. Duke marrë parasysh se mësimi online i ka vendosur në situatë të pabarabartë studentët, duhet të mundësohet kthimi në auditorë për përsëritjet apo edhe seminare dhe laboratorë, për një periudhe 3 apo 4 javore gjatë qershorit 2020. Provimet dhe riprovimet për studentët që diplomohen në të gjitha ciklet e studimit zhvillohen në muajin korrik dhe javën e parë të gushtit", tha Shahini.
Studentët të viteve të para dhe të viteve të ndërmjetme, do kthehen në auditore në 25 gusht për një periudhë 3-5 javore nëse kanë nevojë për përsërtje apo punë laboratorike, ndërsa provimet do t'i japin në muajin tetor.
"Elementi i dytë i përket gjithë studentëve të tjerë të viteve të para dhe të viteve të ndërmjetme, të gjitha cikleve që kthehen në auditorë me 25 gusht të vitit 2020, për një periudhë 3 deri në 5 javore deri në fund të shtatorit, në varësi të nevojave që kanë për përsëritje apo edhe për punë laboratorike. Ndërkohë, vazhdon mësimi online dhe mbyllen të gjitha pjesët e lëndëve që mund të kryhen në kushte shtëpie. Provimet dhe riprovimet për këta studentë zhvillohen në tetor të vitit 2020. Grupimi i tillë i studentëve është i domosdoshëm që të minimizohet numri i studentëve në auditorë, klasa apo laboratorë, dhe të sigurohen kushtet për higjienizimin dhe pastrimin që është i domosdoshëm në kohën në të cilën po kalojmë, si dhe të sigurohet distancimi social mes studentëve (mes tyre) dhe pedagogëve", shtoi Shahini.
Shahini njoftoi se mësimi online do vijojë deri në përfundim të programit të planifikuar dhe se studentëve i është vënë në dispozicion një sondazh për ekesperiencën gjatë mësimit online, në mënyrë që të merren masa për organizimin e vitit të ri akademik. Viti akademik do zgjatet jo më shumë se dy javë, ndërkohë që viti i ri do rinisë në nëntor 2020.
Përsa i përket universiteteve private, ministrja sqaroi se mund të aplikojnë fleksibilitet në zbatimin e këtij skenari, duke ndjekur oraret e tyre për periudhat e provimeve dhe diplomimeve. Ministrja gjithashtu tha se nuk do preken përfitimet e studentëve nga “Pakti për Universitetin”, pra bursat dhe përgjysmimi i tarifave.
"Siç e dini, studimet tuaja subvencionohen nga buxheti i shtetit. Është e tërë shoqëria që paguan për shkollimin tuaj. Me “Paktin për Universitetin” ju keni arritur të përfitoni edhe më shumë nga ky subvencionim. Bursat janë rritur, është shtuar numri i bursave dhe është përgjysmuar më tej pjesa e vogël e tarifës që ju paguani që mënyrë që të lehtësohet sa më shumë barra familjare për studimet tuaja. Përkundër presionit të madh që rëndon në buxhetin e shtetit, dukë marrë parasysh se sa shumë punonjës të sektorit privat kanë humbur vendet e punës për shkak të pandemisë dhe sot përfitojnë pagën e luftës nga ky buxhet, kemi vendosur që të mos ndryshojmë asgjë nga përfitimet e juaja në kuadër të “Paktit për Universitetin”. Mirëqenia juaj është gjëja më e rëndësishme për ne tani, ndaj po bëjmë një sakrificë të madhe për të mirëmbajtur këto benefitet që i keni fituar përmes aktivizmit tuaj", tha Shahini.
Deri në 15 maj universitetet duhet të dorëzojnë planet e detajuara për kthimin e studenteve në auditore, planet për organizimin e provimeve dhe planet për zbatimin e higjienizimit të ambienteve. Në plane duhet të përfshihen dhe numri i studentëve, fasha e frekuentimit dhe metrat katror për sigurimin e distancimit social.
Urdhri i MSH ka katër elemente kryesorë
Elementi i parë kërkon që të prioritizohet puna me studentët që diplomohen në të gjitha ciklet e studimeve të tyre.
Duke marrë parasysh se mësimi online i ka vendosur në situatë të pabarabartë studentët, duhet të mundësohet kthimi në auditorë për përsëritjet apo edhe seminare dhe laboratorë, për një periudhe 3 apo 4 javore gjatë qershorit 2020.
Provimet dhe riprovimet për studentët që diplomohen në të gjitha ciklet e studimit zhvillohen në muajin korrik dhe javën e parë të gushtit.
Elementi i dytë i përket gjithë studentëve të tjerë të viteve të para dhe të viteve të ndërmjetme, të gjitha cikleve që kthehen në auditorë me 25 gusht të vitit 2020, për një periudhë 3 deri në 5 javore deri në fund të shtatorit, në varësi të nevojave që kanë për përsëritje apo edhe për punë laboratorike. Provimet dhe riprovimet për këta studentë zhvillohen në tetor të vitit 2020.
Elementi i tretë i urdhrit tonë ka të bëjë me më mësimin online, i cili vazhdon deri në përfundim të orëve të parashikuara apo programit të planifikuar. Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë po përfundon edhe rregullimet që standardizojnë apo normojnë mësimin online në kushte të Shqipërisë, gjithmonë duke u bazuar në propozimet që po na vijnë nga universitetet dhe modelet më të mira që janë zbatuar këtu.
Elementi i katërt i Urdhrit tonë ka të bëjë me përfundimin e vitit akademik, i cili do të zgjatet për rreth 2 javë. Pra, nuk do të zgjatet më shumë se dy javë përfundimi i vitit akademik dhe fillojmë vitin e ri akademik në nëntor të vitit 2020.