Foto ilustruese

Kronikë

Shembja e pallateve të dëmtuar në Kombinat, Gjykata Administrative i jep të drejtë bashkisë

27 Nëntor 2021, 16:14| Përditesimi: 27 Nëntor 2021, 16:53

  • Share

Gjykata Administrative i jep të drejtë Bashkisë së Tiranës për prishjen e pallateve të dëmtuara nga tërmeti në Kombinat për t’i hapur rrugë projektit të lagjes së re moderne. Në vendimin e zbardhur prej saj, gjykata ka vlerësuar si të drejta ekspertizat e kryera mbi pallatet e dëmtuara si në Rr. “Llazi Miho” në Njësisë Administrative Nr. 6, si dhe vendimet e marra nga ana e Këshillit Bashkiak pas zhvillimit edhe të dëgjesave.

Gjykata çmon se vendimi i Këshillit Bashkiak Nr. 111 i marrë më datë 28.09.2020 për miratimin e prishjes së detyruar nuk bie në kundërshtim me VKM nr. 887, datë 24.12.2019 duke rrëzuar në këtë mënyrë edhe pretendimet e PD-së dhe të LSI-së të cilat tentuan bllokimin e projektit të rindërtimit duke organizuar protesta të vazhdueshme me anëtarët e tyre.

“Këshilli Bashkiak, në zbatim të nenit 35 të aktit normativ nr. 9/2019, ka miratuar prishjen e detyruar të pallatit nr. 159 dhe në kuptim të nenit 64/b të ligjit nr. 139/2015, ka ngarkuar Kryetarin e Bashkisë për zbatimin e këtij vendimi sipas parashikimeve të VKM nr. 887/2019”, thuhet në vendimin e gjykatës.

Gjykata e ka cilësuar si të drejtë vendimin e marrë nga Këshilli Bashkiak, pasi ai është nxjerrë në përputhje me ligjin dhe brenda kompetencave.

“Gjykata çmon se vendimi i Këshillit Bashkiak nr. 111, datë 28.09.2020 është nxjerrë në përputhje me ligjin, ai nuk është një akt absolutisht i pavlefshëm dhe nuk mund të konstatohet si i tillë. Kërkesë padia për këtë pjesë është e pabazuar dhe duhet rrëzuar. Në lidhje me pretendimin e paditësit se akti është nxjerrë në kundërshtim me parashikimet e ligjit material, të dhënat e dokumenteve si ekspertizën e shoqërisë se kontraktuar, oponencën teknike të Institutit të Ndërtimit etj., Gjykata vlerëson ta konsiderojë të papranueshëm”, thuhet në vendimin e zbardhur të gjykatës.

Gjatë procesit gjyqësor rezultoi se nga ana e Bashkisë Tiranë janë ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme në respektim të detyrimeve që rrjedhin nga parashikimet e legjislacionit në fuqi që rregullon përballimin e fatkeqësisë natyrore. Gjithashtu, Gjykata konfirmon se janë zhvilluar dëgjesat publike ndërmjet qytetarëve, me inxhinierë dhe ekspertë.

Në përfundim të vendimit të saj, gjykata çmon se përderisa kërkesë padia rezultoi e pabazuar, bazuar ne nenin 106 të K.Pr.Civile, edhe shpenzimet gjyqësore i ka ngarkuar palës paditëse.
Ndërkaq, Bashkia e Tiranës po vijon me punën për ndërtimin e lagjes së re në Kombinat, ndërsa paralelisht vijon dhe dhënia e bonusit të qirasë për familjet e dëmtuara nga tërmeti gjer në marrjen e çelësave për banesat e reja.

Vendimi

Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Mendoni se komisionet hetimore për Shëndetësinë e TIMS do kenë rezultat?