Vetëm 20 vjeçe dhe Xhulia Kurti ka tërhequr vëmendjen e Bill Gates, falë projektit të saj inovativ për të shkëmbyer materialet pa internet dhe wifi. Xhulia, 20 vjeçarja durrsake me pasionin për teknologjinë është shembull frymëzues i ndryshimit që di të sjellë gjenerata e shqiptarëve të rinj, kreativë e inovativë.
Ajo është renditur e dyta në konkursin botëror të projekteve teknologjike, ku ka impresionuar jurinë me projektin e saj për komunikimin dhe shkëmbimin e materialeve pa internet apo ëifi
Përmes një video rrëfimi, Xhulias tha se shembull sukses që dëshiron të ndjekë është Steve Jobs.
“Modeli më i mirë i suksesit që unë kam është Steve Jobs dhe do doja shumë të arrija në hapat e tij. Ky pasion ka lindur herët që në vitin 2008, pasi qasja ime me internetin ka qenë shumë e hershme në internet-kafenë e babait tim. Aty mësova si të programoja dhe aty kam marrë frymëzimin e parë”, rrëfen Xhulia.
Studentja e Universitetit të Durrësit tregon mbi projektin që e renditi të dytën në garën globale të teknologjisë.
“Internet pa wifi besoj se do jetë e ardhmja dhe kjo ide më lindi para dy vitesh. Konkursi është patronazhuar nga Ministria e Teknologjisë dhe Infrastrukturës gjermane dhe mbështeste teknologjitë e zhvilluara nga viti 2020 në 2021 duke na dhënë ne një afat kohor për zhvillimin e prototipit. Së shpejti ne do kemi në treg prototipin të aksesueshëm nga çdo individ, nga çdo klasë shoqërore", tha ajo.
Xhulia beson se tregu i teknologjisë duhet të jetë i aksesueshëm nga çdo individ pavarësisht statusit të tij financiar, për të parë përmes teknologjisë, këndvështrime të ndryshme të botës. Ajo njoftoi se më 2 dhjetor do të jetë përballë qeverisë Gjermane, ku do të prezantojë projektin për burimet energjetike në fushën e inovacionit.