DURRËS- Ditën e sotme u mbajt seanca për masën e sigurisë ndaj Alban Domit i përfshirë në një konflikt me armë zjarri tre ditë më parë në Xhafzotaj të Shijakut ku mbeti i plagosur rastësisht Enidor Dedja. Gjykata vlerësoi të ligjshëm arrestimin e Domit i cili akuzohet për armëmbajtje pa leje.
Domi, edhe pse ishte ndarë nga ish e dashura, sërish vijonte nga ngacmonte madje e bëri edhe një javë para konfliktit të armatosur. E reja ia kishte rrëfyer të motrës, kurse kjo e fundit bashkëjetuesit të saj Xhejms Palodhi, të cilit i kishte treguar se ish i dashuri vijonte t’i ngacmonte motrën. Një ditë para të shtënave në Shijak, Palodhi dhe Domi u takuan në Durrës dhe nga debati që i kërkonte të mos i ngacmonte më kunatën, të dy përfunduan duke u rrahur me njëri-tjetrin.
Ditën e konfliktit, Palodhi mori me vete mikun e tij Arbër Hoxha dhe shkuan në Shijak me pretendimin për t’u sqaruar me Domin dhe sapo kanë hyrë në dyqanin e tij ka nisur përleshje mes të treve, e cila ka vijuar me nxjerrjen e armës nga Arbër Hoxha, një plumb prej të cilit preku Enidor Dedjan, pa asnjë lidhje me konfliktin.