Sali Berisha, Kastriot Ismailaj dhe Ilir Meta

Sherri mes Berishës dhe Metës për aferën CEZ-DIA, si e akuzuan njëri-tjetrin për lidhje me Kastriot Ismailajn! A do pyetet edhe ish-Kryeministri?

22 Shkurt 2023, 11:29| Përditesimi: 22 Shkurt 2023, 11:35

  • Share

Ilir Meta është paraqitur sot në SPAK për t'u pyetur për aferën CEZ-DIA, si pjesë e abuzimit historik me privatizimin e shoqërisë shtetërore OSSH nga qeveria Berisha në vitin 2009, duke shitur 75 % të aksioneve tek CEZ dhe favorizuar më pas kompaninë çeke. kjo çështje u rihap pasi Partia Socialiste ka bërë një kallëzim penal në SPAK

Afera CEZ-DIA konsiston në një skemë përvetësimi parash, koordinuar mes kompanisë DIA të Kastriot Ismailajt dhe CEZ, me anë të mbledhjes fiktive të borxhit të keq (faturave të papaguara të energjisë elektrike). Nga dosja penale e dënimit të Kastriot Ismailajt me 11 vite burg, rezulton se nga zbatimi i skemës së nisur në vitin 2010 janë përvetësuar të paktën 5 milionë USD, para të cilat CEZ ia ka kaluar Ismailajt, i cili paraqiste letra false për punë që gjoja i kishte kryer me mbledhjen e borxheve. 

Në fakt, skema ishte thjeshtë një nga mënyrat e CEZ-it për të ndarë me pushtetarët shqiptarë paratë që akumuloheshin nga abuzimi i përbashkët. Paratë që CEZ i jepte Ismailajt kalonin si kosto në buxhetin e shtetit, pra në kurriz të qytetarëve shqiptarë, pasi CEZ ngrinte herë pas here pretendime për njohjen e borxhit të keq, uljen e çmimit të energjisë që blinte tek KESH dhe që ua shiste me shtrenjtë shqiptarëve, zhvlerësimin e aseteve të OSSH dhe favorizimeve të tjera, të cilat pranoheshin nga qeveria e Sali Berishës. Disa indicie, rrethana dhe dëshmi tregojnë se njeriu që qëndronte pas Kastriot Ismailajt, është Ilir Meta, i akuzuar se ka udhëtuar drejt Pragës për të negociuar në mënyrë të paligjshme kontratën mes CEZ dhe DIA. Por vetë Ilir Meta ka deklaruar se pas Ismailajt qëndron Sali Berisha.

Në shtator të vitit 2015, u zbulua për herë të parë në publik dëshmia e ish-shefit ekzekutiv të CEZ, Jozef Hejsek, i cili ka kishte deklaruar se Ilir Meta kishte rekomanduar Kastriot Ismailajn si njeriun e tij të besuar ‘për mbledhjen’ e borxheve të vjetra për llogari të CEZ Shpërndarje. Jozef Hejsek e bëri këtë dëshmi më 26 tetor 2014 në Pragë për llogari të avokatëve të studios ligjore të OSHEE-së, Clifford Chance, në kuadër procesit të arbitrazhit që po zhvillohej në gjykatën e Vjenës, pasi kompania e Kastriot Ismailajt, kërkonte 130 milionë euro dëmshpërblim për prishjen e kontratës nga OSHEE, pas largimit të CEZ.

Ishte koha kur Sali Berisha dhe Ilir Meta po kalonin një stinë grindjesh dhe mërish, pasi Meta kishte braktisur Berishën në pranverën e vitit 2013, duke u bashkuar me PS-në, koalicion i cili disa javë më pas do të rrëzonte Berishën nga pushteti. Edhe pse që të dy akuzoheshin se kishin futur duart në çështjen CEZ dhe CEZ-DIA, Berisha shpërtheu ndaj Metës sapo mësoi për dëshminë komprometuese të Jozef Hejsek.

Në 10 shtator 2015, Sali Berisha deklaroi në Parlament se Ilir Meta nuk kishte pasur asnjë tagër për të negociuar kontratën CEZ-DIA në Pragë. Duke besuar dëshminë e Jozef Hejsek, Berisha i bëri thirrje Prokurorisë që të merrte menjëherë nën hetim Metën, ndërsa i kërkonte këtij të fundit të jepte dorëheqjen si kryetar Kuvendi. Për 3 javë me radhë, Sali Berisha, Lulzim Basha dhe deputetët e PD-së akuzuan Metën si dora që fshihej pas aferës CEZ-DIA.

Reagimi i Metës erdhi në parlament në 1 tetor 2015. Meta mohoi të ketë shkuar në Pragë për të negociuar kontratën mes CEZ dhe DIA, ndërsa e paraqiti Kastriot Ismailajn si njeri të Sali Berishës. Meta i konsideroi akuzat ndaj tij si një skenar mafioz, ndërsa kërkoi një hetim ndërkombëtar, madje amerikan. Sali Berisha pretendonte se Kastriot Ismailaj ishte njeriu i Ilir Metës, ndërsa Meta pretendonte se Ismailaj ishte njeriu i Berishës. Mbetet për t’u para nëse Berisha dhe Meta u qëndrojnë këtyre akuzave dhe nëse SPAK do t’i pyes për këtë aferë, për të cilën deri më sot është dënuar vetëm Ismailaj.

Akuzat mes Metës dhe Berishës shtator-tetor 2015

-Sali Berisha: Këto ditë mediat kanë zbuluar një akt tjetër korruptiv, sipas të cilit, njëra nga kompanitë e kontraktuara nga vet CEZ-i, DEP International e një farë “nacionali”, që quhet Kastriot Ismailaj, i ka dhënë ryshfet ministrit të Jashtëm të asaj kohe. Nga ana tjetër, një padi tjetër vjen nga ish-administratori i CEZ-t, se Ilir Meta, ministër i Jashtëm, e ka takuar në Pragë dhe ka negociuar me Hasekun për Kastriot Ismailajn. Deklaroj këtu me përgjegjësi të plotë se Ilir Meta, si ministër i Jashtëm nuk ka pasur asnjë tagër, asnjë detyrë për të negociuar me CEZ-in për asnjë lloj problemi të asaj kohe. Me CEZ-in ka qenë i ngarkuar ministri i tij Edmond Haxhinasto, ka qenë e ngarkuar Ministria e Financave, ka qenë i ngarkuar grupi i punës i përbërë nga të gjithë të tjerët, por në asnjë rast e në asnjë rrethanë, nga asnjë zyrtar i Ministrisë së Punëve të Jashtme. Kurrë! Cilat janë motivet që e kanë shtyrë Ilir Metën të takojë në Pragë Hasekun, të negociojë për Kastriot Ismailajn?

Ato duhet t’i shpjegojë ai, ndaj dhe ne kemi kërkuar dorëheqjen e tij në mënyrë që të shpjegojë gjithçka për këtë çështje. Edhe një herë e them: është akuzuar nga Tim Schreiber, se i është paguar ryshfet nga Ismailaj atij. Këtë akuzë ia transferoi Vilson Ahmetajt, i cili tha se s’ka asnjë lidhje. Po atëherë nëse nuk është Vilsoni, është Petriti se ishte anëtar i ERE-s. Dhe Petriti është sot kryetar i ERE-s. Po Petritin nuk e emëroi Sali Berisha, por Edi Rama.

Tani  a është ky korrupsioni më i madh në historinë e vendit? Jo. Nëse është i vërtetë, dhe unë them se duhet hetuar me çdo kusht, është një akt i mirëfilltë korruptiv. Më i madhi, më i tmerrshmi, është ai që gjobiti shqiptarët çdo qytetar të këtij vendi me 1100 euro gjobë nga marrëveshja që bëri në prapaskenë Edi Rama, mundet i ndikuar ose jo, e kam thënë edh atëherë, nga Stefan Fule, i biri i të cilit ishte eksponent kryesor i CEZ-it. I kam shkruar unë këto.

Ilir Meta: Mos u merrni me spekulime të tilla kaq të mjera, se është turp për të gjithë ju! Lexojini deklaratat edhe të Hejsekut, pavarësisht se unë nuk kam ndonjë besim te ky zotëri, sepse kam qenë ministër i Ekonomisë dhe zëvendëskryeministër në kohën që Hejsek ka qenë drejtor i CEZ-it, vazhdimisht kemi pasur debate dhe probleme, pasi asnjëherë nuk u përmbaheshin përgjegjësive dhe detyrimeve të tyre. Shqipëria ishte pa drita dhe përballej me probleme të jashtëzakonshme. Habitem sesi titullarë të tjerë të qeverisë paskan kaq besim te ky zotëri, i cili ka bërë një deklaratë në Pragë, natyrisht për të justifikuar veten e tij edhe në raport me eprorët e tij për problemet e CEZ-it me DIA-n, ku, në mënyrë eksplicite, ka bërë të qartë që këtë propozim për zotin Ismailaj ia ka bërë ambasadori i Shqipërisë në atë kohë, i cili ka qenë në atë detyrë kohë më përpara se Ilir Meta të bëhej ministër i Jashtëm, duke i thënë zotërisë në fjalë se “ky person ishte një njeri i besuar i ministrit të Jashtëm dhe i Kryeministrit, Sali Berisha”. Kjo është shumë e qartë dhe juve kjo gjë ndoshta nuk ju pëlqen, por ky nuk është një problemi im.

Unë nuk e besoj që zoti Berisha ka qenë i implikuar në këtë rekomandim, edhe pse ambasadori ka qenë i emëruar prej tij, nuk ka qenë i emëruar prej meje, ju lutem, por ka qenë edhe deputet i djathtë zotëria dhe njeri i cili ka pasur raporte shumë të mira me të gjithë ju, le të mos e marrim nëpër gojë, por të flasim për të vërtetat tani. Juve ju pëlqen ajo pjesë që doni, ndërsa ne duhet t’ia themi publikut siç janë të vërtetat. Mos falsifikoni dhe mos manipuloni! Mos u bëni pjesë e një operacioni mafioz politik, mafioz mediatik dhe mafioz financiar, sepse është një operacion që paguhet për të gënjyer dhe për të mashtruar!

Unë deklaroj, me përgjegjësi maksimale para jush dhe të gjithë shqiptarëve, se as më ka shkuar në mendje të shkoj në Pragë për të negociuar për një kompani të tillë apo për çdo lloj kompanie, por kam qenë në Pragë për të marrë pjesë në Kongresin e Partisë Socialiste Evropiane. Ka qenë edhe zoti Balla atje, por nuk i kishim marrëdhëniet shumë të mira atëherë, për arsye të koalicionit në të cilën unë ndodhesha dhe natyrisht që kam bërë edhe takim me zëvendëskryeministrin dhe ministrin e Jashtëm të Çekisë. Unë nuk kam qenë atje për të diskutuar për CEZ-in, për çështje që nuk kishin lidhje me funksionin dhe me kapacitetin tim si ministër i Jashtëm apo si zëvendëskryeministër.

...Kastriot Ismailaj nuk më ka kërkuar asnjë favor dhe nuk i kam bërë asnjë favor. Kjo gjë duhet të jetë fare e qartë për ju dhe për cilindo tjetër.... Unë jam për një hetim ndërkombëtar, jam edhe për një hetim amerikan. E dini pse kam thënë hetim amerikan? Sepse kam dëgjuar të gjithë këta mafiozët që thonë se shkrimi është bërë me porosi të Ambasadës Amerikane, se këtë gjë na e tha filani nga Ambasada Amerikane. Unë jam nga ata që ballafaqohem me shqiptarët, me amerikanët dhe me evropianët pa asnjë shqetësim, sepse jam i bindur te drejtësia, jam i bindur tek e vërteta dhe jam i bindur tek transparenca...

K.T.//ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sigi: 22/02/2023 16:14

    Strumullari i privatizinit te OSSH dhe te dhjetra te tjerave pasuri publike kombetare eshte Saliu me ministrat e tij por dhe qefliu i lekut Meta me klanin e tij nuk mbetet mbrapa kujtojme privatizimin Albpetrolit Taci ,Kur per garancine prej 85 milion dollareve betoheshin Haxhinasto dhe ai qe e zevendesoi. Q

    Përgjigju
  • Kovacsi: 22/02/2023 13:19

    Shqiper bahçe me lule, le te vjedhe kush te mundet.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?