Gjykata ka lënë në burg Migjen Mulajn, 37-vjeçarin shqiptar nga Kosova, i cili u arrestua si pasojë e një konflikti të ndodhur pesë ditë më parë në Lezhë me dy punonjës të një karburanti.
Të tre personat, e përfshirë në konfliktin e ndodhur pesë ditë më parë në një pikë karburanti në Lezhë, u njohën sot me masat e sigurisë në Gjykatën e Lezhës, ku pasi dëgjoi palët gjyqtari Gentjan Marku e cilësoi të ligjshem arrestimin e tyre, duke vendosur masen e sigurisë arrest në burg me afat 60-ditor për shtetasin kosovar Migjen Mulaj, i dyshuar për veprat penale “vrasje me dashje”, e mbetur në tentativë dhe “shkatërrimi i pronës”.
Ndërsa për dy punonjesit e karburantit, Kujtim Rusin dhe Nikoll Sokolin ndaj të cileve është ngritur akuza e "plagosjes së rëndë me dashje" u vendos masa e sigurisë, detyrim paraqitje.
Ngjarja ndodhi pasditen e 5 gushtit në një pikë karburanti në aksin rrugor Lezhë-Milot, ku shqiptari nga Kosova, Migjen Mulaj pas një konflikti të çastit për motive të dobëta që ka patur me Nikoll Sokoli dhe Kujtim Rusi (punonjës pranë këtij karburanti), i ka goditur fillimisht fizikisht dhe më pas me automjetin e tij ka tentuar që ti përplasë duke u rrezikuar jetën.
Për pasojë automjet është përplasur me ambientet e brendshme të karburantit, duke i dëmtuar, ndërsa në vijim të konfliktit, dy punonjësit e karburantit e kanë goditur 37-vjeçarin nga Kosova me mjete të forta në trup duke i shkaktuar dëmtime fizike, ndërsa i lënduar mbeti dhe njëri nga punonjësit e karburantit.