Shifra rekord/ Në 2021 u importuan 228 mln € energji! Importet dyfish më të larta se vjet, shkak kriza globale! OSHEE mbyll ankandet: U importuan 1 mln megavat

28 Dhjetor 2021, 15:45| Përditesimi: 28 Dhjetor 2021, 15:51

  • Share

OSHEE ka mbyllur ankandet për blerjen e energjisë elektrike nga jashtë për këtë vit dhe aktualisht po furnizohet për sasitë e nevojshme nga KESH. Shifrat e blerjeve janë në vlera rekord, sipas të dhënave zyrtare nga OSHEE, janë importuar mbi 1 milionë megavat energji elektrike nga janari në dhjetor 2021.

Si pasojë e krizës energjetike që erdhi si pasojë e prodhimit të ulët botëror dhe kërkesës së lartë, Shqipëria ka shpenzuar mbi 2 fish më shumë se vitin e kaluar. Konkretisht nga janari në dhjetor janë shpenzuar 228.7 milionë euro, nga rreth 85 milionë euro që ishte vlera e importit një vit më parë.

Vlerat më të larta të importit të energjisë elektrike janë regjistruar nga muaji shtator e në vijim, kur nisi të japë efektet kriza energjetike. Në shtator OSHEE importoi 44 milionë euro energji elektrike, ndërsa në tetor kur çmimet për megavat ishin stratosferike me mbi 300 euro për megavat, u importuan 68 milionë euro.

Sipas informacioneve, çmimi mesatar për megavat përgjatë gjithë vitit ishte 206 euro, ndërkohë që në fillim të vitit çmimet në bursën ndërkombëtare luhateshin në vlerat 60-70 euro për megavat.

Kriza globale energjetike pritet të kulmojë vitin që vjen, për këtë arsye deri në 15 prill të 2022 vendi është nën emergjencën e furnizimit me energji elektrike. Për të përballuar këtë situatë në buxhetin e ri janë përcaktuar 8 miliardë lekë për të blerë energji. Po ashtu qeveria është zotuar për të mbrojtur nga shtrenjtimi i mundshëm i çmimit bizneset e vogla dhe familjet.

//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    A ka politika frikë nga SPAK-u?