Ilir Meta, gjatë betimit si President i Republikës

Opinion

Shkarkim me valle

10 Qershor 2021, 08:58| Përditesimi: 10 Qershor 2021, 09:04

  • Share

Kontrasti midis imazheve idilike të valleve dibrane në Presidencë dhe seriozitetit të kartonave të kuq në parlament për shkarkimin e Presidentit nga detyra, ishte dhe shembulli më i qartë i qasjeve të ndryshme që kanë për shtetin insitutucionet e caktuara. Ansambli artistik Dibra ishte thjesht dekori i mendësisë së vjetër që “dhe në gojë të ujkut hedhim valle”. Mendësi që na largoi dhe armiqësoi me botën, që i shërbente në mënyrë hipokrite madhështisë së liderit, dhe që gjithsesi një ditë do të largohej me zvarritje nga historia e vendit. Ilir Meta u shkarkua. Nuk është më President i vendit megjithëse për këtë duhet edhe vendimi i Gjykatës Kushtetuese. 104 vota që e shkarkuan ishin shumë më tepër se nga 87 votat që e vendosën si President katër vite të shkuara. Krijohet kështu precedenti i parë në historinë politike shqiptare që një president shkarkohet nga detyra dhe kjo ndodh me personazhin që ka arritur të kapë postet më të larta të shtetit më shumë se askush tjetër.

Megjithëse njeriu më i investuar në poste politike, kryeministër, kryetar kuvendi e president, pakkush i ka dalë në mbrojtje në gjithë këto ditë Ilir Metës. Jo në kuptimin e kosoreve dhe sfurqeve, siç shprehej ish presidenti gjatë fushatës elektorale, por as në deklarata publike. Madje shumë ish-shokë të tij ishin më shumë se kundër, që nga Majko e deri te Braho, përveç ndonjë miku të ri si Maliqi. Për teprimin në ndërhyrje gjatë fushatës elektorale dhe për deklaratat nervoze e pa ekuilibër në muajt e fundit, pak kush mund të kish guximin ti justifikojë. Madje as Partia Demokratike. Në deklaratën e fundit të saj PD merrej vetëm me procedurën e shkarkimit të Presidentit, të cilën e quan antikushtetuese me arsyetimin se zgjedhjet e 25 prillit kanë formatuar në sfond një parlament tjetër që do të hyjë në fuqi në muajin shtator. Por as PD nuk shkruan një rresht të vetëm se presidenti nuk ka shkelur ligjin dhe se qenka në të drejtë të vet siç paska vepruar. Madje deklarata zyrtate e selisë blu as ia ka përmendur emrin askund Ilir Metës, por është marrë thjesht me fatin e Presidencës. Më shumë se kaq si shpërfillje për fatin personal të Metës as që mund të pritej nga partia me e madhe e opozitës. Veç të futej me anë të Mziut në vallen dibrane, si shfaqja e fundit në nder të ish presidentit. Valle, që gjithsesi, i janë bashkuar me dëshirë virtualisht shumë protagonistë të të gjitha kaheve politike e që i janë gëzuar largimit të Metës./ Fjala.al

K.T./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Mendoni se komisionet hetimore për Shëndetësinë e TIMS do kenë rezultat?