Vandalizem gjate protestes se PD me 7 tetor

“Shkelm” qytetërimit!

8 Tetor, 16:52| Përditesimi: 8 Tetor, 16:55

  • Share

Përse në gjithë këto vite pamjet e dhunës dhe vandalizmave në protestat e opozitës vazhdojnë të krijojnë alergji, distancime dhe të largojnë përherë e më shumë njerëz nga pjesëmarrja e tyre? Do të duhej të ndodhte e kundërta logjikisht: Sa më shumë një parti qëndron në pushtet, sa më shumë ajo shkëputet nga realiteti, sa më shumë ajo gabon, sa më shumë krijon distancë nga zgjedhësit dhe mbështetësit e vet, pikërisht në këto momente, njerëzit i afrohen opozitës dhe mezi presin ardhjen e saj në pushtet si alternativë ndryshimi.

Është e panevojshme të rendis në këtë rubrikë arsyet se pse shqiptarët po i largohen përherë e më shumë opozitës së drejtuar nga Sali Berisha dhe të ngjashmit e tij; në këtë media dhe në këtë rubrikë janë renditur përherë dhe janë parë gabimisht si “sulme” ndaj opozitës me “qëllim” daljen në dritë të mirë të qeverisjes. Këtë mund ta mendojë kush për vete ka vepruar ekzaktësisht në këtë mënyrë. Edhe pse analistë dhe gazetarë të shumtë që mbështesin veprimet e Sali Berishës kanë kërkuar përherë me ngulm përdorimin e dhunës nga ai dhe të tijët si kundërpërgjigje ndaj Edi Ramës, këmbëngul të them se nuk ka gjë më të gabuar të ofrosh dhunën si alternativë për një vend si Shqipëria që ëndërron dhe dëshiron qytetërimin dhe civilizimin. Kur një dëshirë kaq e madhe, kur një ëndërr e lindur prej shekujsh, e realizuar pjesërisht, pastaj e ndërprerë, pastaj e rimarrë, kërcënohet, nuk ka dhunues që do të mund të justifikojë barbarinë e tij.

Shqipëria, e ndodhur gjeografikisht mes Lindjes e Perëndimit, mund të ketë pasur paqartësi të shumta e të mëdha në rrugëtimin e saj për civilizim dhe qytetërim, por një gjë e ka pasur përherë të qartë: Nuk ka shqiptar që sot do të pranonte një shoqëri të stilit rus, kinez, të vëndeve arabe apo cilëndo formë tjetër të një sistemi shoqëror. Thënë kjo, në logjikën e një stili perëndimor edhe të protestave, shqiptarët do ta pranonin dhunën që vjen si  një domosdoshmëri ekzistence, por jo si një “deus ex machina” që dikush apo disa të mbrojnë kokën e tyre nga dallaveret personale.

 

Po ç’është qytetërimi, nëse dikush ka harruar “abc”-në e tij? “Qytetërimi” është një koncept kompleks i cili i referohet një stadi të avancuar organizimi shoqëror, kuturor dhe teknologjik të një komuniteti apo një grupimi njerëzor. Shpesh është e kundërta e barbarizmit dhe nënkupton një formë jetese shoqërore më të organizuar me struktura politike, institucione, rregulla sociale dhe ligje të përcaktuara si dhe një nivel zhvillimi artistik, shkencor dhe teknologjik. Qytetërimet kanë vendosur sisteme qeverisjeje dhe ligje për të rregulluar bashkëjetësën mes njerëzve dhe për të ruajtur rendin!

Nëse do të prishej vetëm një prej këtyre hallkave, rendi do të cënohej dhe me cënimin e rendit edhe bashkëjetesa mes njerëzve.

Duke qenë se për shqiptarët thyerja e hallkave nuk është ndonjë risi, ja pse ato shkelma të pakuptueshme ndaj objekteve, refuzimi i paraqitjes para ligjit, mosrespektimi i mendimit ndryshe dhe vullnetit të zgjedhësve, trembin më shumë se çdo gjë tjetër. Berisha me të tijët e dinë mirë që gabojnë, por mesa duket, kjo është e vetmja mënyrë që ata mendojnë se e kanë për të mbijetuar.  Por edhe këtu gabohen!

a.m./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Jeni dakord që prokurorët e SPAK të kenë mundësinë për një mandat tjetër?