Autoportret Eleni Bukura Altamura

Shkëlqimi dhe tragjedia e piktores së madhe arvanitase Eleni Bukura

27 Janar 2019, 08:38| Përditesimi: 27 Janar 2019, 14:56

  • Share

Zemrat e arvanitasve nuk i dhanë Greqisë vetëm lavdinë e shpatave dhe pushkëve. Kjo botë e çuditshme njerëzish të “ rimbjellë” në një tokë të begatshme kulture, arti, letërsie, të rritur po aty, në qerthullin e varrosur të kulturës botërore, të mëkuar nga legjendat e famshme të antikitetit mesdhetar dhe të madhështisë rrëqethëse arbërore, nuk kishte se si të mos bëheshin edhe ata kopshtarë dhe farëlëshues të pushteteve të mëdha që sjellin kultet e tyre.

Ata janë shumë. Luftëtarë, poetë, piktorë, skulptorë, shkrimtarë, juristë, shkencëtarë, e gjithçka tjetër që mund të pjellë jeta njerëzore. Nënvizimi ynë synon jo lavdinë e racës, por thjesht barazinë me gjininë tjetër njerëzore. Për këtë, ende pa përfunduar me dossier-ët e figurave të mëdha të luftëtarëve të revolucionit grek të vitit 1821, shpresojmë t’u japim lexuesve një ide se si këta njerëz nuk trashëgonin vetëm “barbarinë” e trimit,-siç akuzoheshin,- por edhe shpirtin e artistit. Për të gjitha këto le të ndalemi në dy figura të shndritshme të pikturës arvanitase, siç janë ato të Eleni Bukura-Altamura dhe të të birit Jani Altamura.

 

Përzgjodhëm nga plejada e njerëzve të artit këta personazhe, pasi jemi të sigurt për origjinën e tyre arbërore. Natyrisht ata i takojnë Greqisë. Sepse aty u lindën, u rritën, thithën nektarin e kulturës së madhe vendase. Por edhe ne kemi sepse lëvdohemi.
Eleni Bukura, - një mbiemër jo vetëm thjesht shqiptar, por edhe aq i veçantë, konsiderohet nga kritika si gruaja e parë piktore e periudhës së pas Revolucionit Grek.

Lindi pikërisht më 1821 kur atdheu saj i dytë përgjakej për lirinë e pavarësinë e tij. Ajo që e bënë interesante veprën e saj është jo vetëm talenti i jashtëzakonshëm në pikturë, por kalvari tragjik përmes të cilit i shkoi jeta.. Ndonëse ka kaluar më se një shekull nga vdekja e Eleni Bukuras, studimet biografike janë shtyrë nëpër hulli të erreta, gati-gati mistike. Ato vazhdojnë të mbeten tepër, tepër interesante e joshëse, jo vetëm për biografët, por edhe për shkrimtarët, poetët, regjisorët të cilët e kanë lakmuar gjithmonë këtë jetë plot labirinte shpirtërore për ta vendosur në veprat e tyre. E panjohur mbetet jeta e saj edhe për të gjitha lëvizjet feministe greke, sepse ato ende vazhdojnë të qëmtojnë simbolet e tyre vetëm nga perëndimi.

Kjo grua, Eleni Bukura, pasi studioi së pari në Greqi artet e bukura me mësuesit më të njohur të asaj kohe, një mëngjes të vitit 1848, hipi në një anije, bashkë me të atin dhe mbërriti në Itali. Ky vend qe bërë altari për të gjitha lëvizjet shpirtërore të atij shekulli. Jo vetëm për pikturën, historia e së cilës lakmohej aq shumë për korifenjtë e saj botërorë, Mikelanxhelo, Leonardo da Vinçi, Rafaeli, etj, por edhe për artet e tjera e, veçanërisht muzikën operistike. Meqenëse në atë kohë ende gratë nuk lejoheshin të studionin në shkolla të larta, Eleni u vesh si djalë dhe u regjistrua në Akademinë e Arteve të Romës me emrin Krisin Bukura. Atje ndoqi mësimet për pasionin e saj, ndërsa muzetë, kishat, ekspozitat e pikturës, manastiret, të gjitha, të gjitha bëheshin njëherësh objekte hulumtimi dhe studimesh. Kur u mbyll cikli i studimeve në Romë, arvanitasja i konsideroi ato të pamjaftueshme prandaj u regjistrua edhe në Shkollën e Arteve të Bukura të Napolit.

Eleni Bukura nuk është thjeshtë e para piktore helene, por e para grua që arriti të hyjë pa drojë në qerthullin mashkullor të Akademisë së Arteve të Bukura të Romës dhe të Napolit. Dhe jo vetëm arrin të bëjë pjesë si e barabartë në këto institucione të larta të artit, por shkëlqeu atje mes profesoratit akademik. Në një ekspozitë të pikturës hapur me rastin e festës kombëtare të Greqisë, te i “ riu Krisin “, siç e thërrisnin, për shkak të veshjes dhe pamjes prej djali, zbuloi papritur anën të thellë të shpirtit të “tij”. Duke dëgjuar një vajzë greke që po recitonte në atë rast me zë të bukur një poemë të Riga Ferreros, - poeti i revolucionit,- u entuziazmua aq shumë sa shkoi edhe e puthi haptazi në buzë.

Plasi menjëherë një skandal i vërtetë në mjedisin ende të paekuilibruar të mes shekullit XIX ndonëse qe një mjedis artistësh. Por thashethemnaja nuk zgjati shumë. Shpejt do të zbulohej gjinia e vërtetë e ”të riut Bukura “ dhe habia e entuziazmi do të pushtonte jo vetëm mjedisin e profesorëve të arteve të bukura, por edhe të intelektualëve napolitanë. Talenti i saj do të konsiderohej një zbulim i jashtëzakonshëm me anë të të cilit ajo do të bëhej shpejt një nga figurat më të mëdha femërore. Admirimi për të nis’e rritet dita-ditës. Pas asaj ngjarje “skandaloze”, jeta e saj nuk pësoi drama. Përkundrazi. Profesori i ri Saverio Altamura, i Shkollës së Arteve të Bukura të Napolit, bie në dashuri me të dhe pas pak kohësh i kërkon martohet. Ky djalosh i talentuar kishte lindur në Foxhia dhe ishte djalë i Rafaelo Altamuras dhe Sofie Perifanu, greke me origjinë edhe kjo. 

Prej martesës së tij me Eleni Bukurën lindën tre fëmijë. Nga këta, i madhi, Jani Altamura, siç do të shohim, bëhet piktor edhe ai, si e ëma dhe i ati. Por rrjedha e jetës së Elenit Bukuras nuk do të ishte aq e lehtë. I shoqi, të cilit ajo i mbeti besnik deri në fund të jetës, e braktisi duke i lënë në përkujdesje dy fëmijët e mëdhenj, djalin dhe vajzën, ndërsa i merr me vete të voglin, Aleksandrin. Ikën larg saj me një grua tjetër, angleze kjo, shumë e bukur, modele deri atë kohë në sallat e Shkollës së Arteve të Napolit, dhe shkon në Paris. E tradhtuar nga i shoqi, por edhe mikja e saj modele, Eleni Bukura mori fëmijët dhe në vitin 1857 kthehet në Greqi. Jetoi në fillim në Athinë, në lagjen Plakë, poshtë mureve të Akropolit madhështor, bashkë me të atin deri sa ky vdiq. Për të përballuar jetën nisi të jepte mësime pikture. Talenti i saj i madh u njoh menjëherë edhe këtu. Vlerësimi i lartë, thuajse i njëzëshëm për veprat e saj, bëri që të zgjidhej në krye të Ekspozitës Olimpike të Athinës, një ngjarje kjo e përhershme artistike e piktorëve të shquar. Në mes të nxënësve të saj do të ishte edhe mbretëresha e Greqisë, Ollga. 

Jeta e piktores së madhe, dalëngadalë, hynë në rrjedhat e veta, me gjithë mungesën e djalit të vogël, Aleksandërit, me të cilin thuajse nuk komunikonte. Vajza, papritmas, sëmuret rëndë dhe me rekomandimin e mjekëve piktorja u detyrua të ikte nga Athina e të vendosej në Speces, në shtëpinë atërore. Mjekët dhe ajo shpresonin se ajri i pastër i provincës do ta shëronin vajzën e re. Nuk ndodhi asgjë e tillë. Gjendja e së bijës sa vinte e rëndohej. Dhe si të mos mjaftonte kjo pas pak kohësh do të shkonte pranë saj edhe djali, Jani, i sëmurë edhe ky nga e njëjta sëmundje, tuberkulozi. E kishte lënë në Athinë për të zhvilluar talentin e jashtëzakonshëm. Por me t’u kthyer në Speces vdes në moshën 25 vjeç. Eleni Bukura-Altamura nuk arriti të mblidhte veten nga kjo goditje dhe ja, disa muaj më pas, vdes edhe vajza, Sofia, në moshën 18 vjeçe. Eleni pëson një krizë aq të rëndë nervoze sa gati çmendet. Siç do të shkruante në gazetën e saj kritikja feministe Kaliroi Paren, më 1890, piktorja e madhe tani rronte..”krejtësisht si në shkretëtirë, e vdekur në mes të të gjallëve, dhe e gjallë në mes të të vdekurve..”

Në këtë gjendje mendore e shpirtërore ndez një zjarr në mes të oborrit të shtëpisë së saj dhe djeg të gjitha veprat që kishte sjellë me vete nga Athina, ose kishte bërë kohët e fundit. Por tragjedia humbjes së veprës së saj u bë më e madhe. Edhe disa punë të tjera të vendosura diku në një mulli, ku shkonte shpesh dhe e kishte si pikë frymëzimi, mbetën edhe ato atje dhe, nga që askush nuk u i dinte, u kalbën nga lagështia. Pas kësaj vetmohet nga e gjithë bota. Në një çast tjetër krize arrin deri atje sa të shkonte në varreza dhe të zhvarroste të dy fëmijët e saj e t’i sillte në shtëpi, ashtu, kufoma ende të patretura.

Kjo shtëpi që mbahet mend mirë nga banorët e Specës dhe për faktin se pas këtyre ngjarjeve do të konsiderohej si “e mallkuar”. Pikërisht këtu, Eleni Bukura-Altamura, u përpoq disa herë të vetëvritej, por, për fat, nuk ia arriti. Rrojti deri në pleqëri të thellë. Vdiq në mars të vitit 1900, aty, në Speces, duke lënë pas pak vepra por shumë lëndë artistike për një jetë tragjike si e saja.
Frymëzuesi dhe udhërrëfyesi i Eleni Bukuras- Altamura-s ishte, padyshim, një arvanitas i thjeshtë, analfabet vërtetë, por luftëtar i Revolucionit të vitit 1821, babai i saj, Jani Bukura. Ndoshta ia vlen të themi këtu edhe çudinë tjetër të kësaj jete. Ndonëse i pashkolluar, por talentet e tij, thonë enciklopeditë e ndryshme, ishin të njohura botërisht. Ky luftëtar arvanitas kishte një shpirt artisti dhe, përveç se “krijoi” Elenin piktore të madhe, me këmbënguljen dhe durimin e tij, themeloi të parin teatër të Athinës, të quajturin “Teatri Bukura” Shumë vite më pas kjo ndërtesë u shemb dhe në vend të tij sot gjendet një shesh i madh që quhet “Pllatia Theatru”.

Le të kthehemi tani te Jani Bukura-Altamura, me emrin e gjyshit të tij, por edhe me mbiemrin e së ëmës e të atit. Talentin në pikturë e trashëgoi nga kjo familje arvanitase, por edhe nga i ati profesor. Kjo u duk qartë qysh në fëmijëri. Lindi në Napoli të Italisë më 1852. Po atje mori mësimet e para në pikturë. Kur u ndanë prindërit e tij, ai së toku me të ëmën u shpërngulën në Greqi dhe u vendosën në Athinë. Këtu pati për mësuese në pikturë të ëmën dhe pastaj u regjistrua në shkollën e Arteve. Duke i ngjarë gjyshit në dashurinë për detin, talenti i tij i madh, sidomos me pikturën detare, siç u quajt, ngjalli admirimin e mjediseve të artit. Piktura detare, si zhanër i veçantë, u emërua kështu për shkak të peizazheve madhështore me sfond detin, tallazitjet e tij, anijet që lëviznin në të dhe gjithë jetën atje. U bë shumë shpejt mjaft i njohur. Mbreti i Greqisë Gjeorgji I, kërkoi të shihte veprat e djaloshit të ri dhe u entuziazmua aq shumë sa besoi se Bukura-Altamura do të bëhej i famshëm në të gjithë botën.

Për këtë e dërgoi të shkollohej në Kopenhagen, në Akademinë e Arteve të Danimarkës, ku do të merrte mësime nga profesori dhe piktori shumë i njohur Soerenzen. U kthye në Greqi në vitin 1876 dhe menjëherë ngriti studion në shtëpinë e tezes së tij, motrës së nënës, Asimina, në rrugës ” Filelinon” ku u dha krejtësisht pas hob-it të tij, pikturës. Si i pari detpikturues i Greqisë së pasrevolucionit, vepra e tij konsiderohet shumë interesante dhe e veçantë. Themi i pari sepse kjo teknikë u zhvillua gjerësisht rreth dhjetë vjet më pas nga piktori tjetër grek Valanaqi dhe shumë e shumë vite më vonë edhe me veprat e piktorit tjetër arvanitas Vasili Haxhi. Vizatonte me një teknikë të papërfolur deri atëherë. Ndihej në punët e tij një melankoli e papërsëritshme e detit, poshtë një qielli të mbuluar me re, ndërsa ujërat e përthyera ngjyroseshin nga një dritë dielli i ndërkryer, që luante me dallgët e mëdha. Dhe kjo tablo mbushej me anije me vela, ndërsa në sfond tymosnin kanonierët luftarakë Ishte i madh si piktor por për fat të keq jeta e tij përfundoi vetëm në 25 vjeç. Kjo tragjedi, siç thamë, ndodhi vetëm pak përpara se të vdiste edhe e motra e tij, duke hapur kështu siparin e një jete tragjike për “ shtëpinë e mallkuar”,- në Speces. 

Vepra e Jani Altamurës shquhet për madhështinë, për forcën e përmbajtjes dhe karakterin epik. Kjo cilësi, - karakteri epik,- është, në fund të fundit, ekuilibri dhe trashëgimia e artistëve arvanitas të të gjitha gjinive. Është vazhdimi dialektik i shpirtit luftëtar të të parëve të tyre. Nga veprat më të njohura të Jani Bukura-Altamuras njihet ajo me titull ”Flota luftarake e Patrës”, e cila është ekspozuar sot në sallën qendrore të Ministrisë së Flotës Tregtare të Greqisë, në Pire, por edhe tablotë “ Anija në Speca”, “ Limani i Kopenhagës”,- një punë në vaj e cila u nderua me shumë çmime,- “ Pas betejës detare” , “Anije”, “ Moli”,- vepër e vendosur në Galerinë Kombëtare greke, etj., etj. Punët e tij gjenden edhe në disa galeri të arteve figurative, por edhe shtëpi të ndryshme të Danimarkës. Vdiq aq i ri sa, siç thonë muzat, qielli u lëndua shumë nga pasioni i Jani Bukura- Altamura për detin dhe kërkonte ta joshte për vete.

//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?