"Unike" titullohet ekspozita fotografike me portretet e 15 grave që kanë fituar betejën me kancerin e gjirit. Kjo ekspozite e artistes Iden Temali që synon ndërgjegjësimin për diagnostikimin në kohë të sëmundjes tërhoqi vëmendjen e qytetarëve në teatrin "Migjeni të Shkodrës".
Fatmira Vata është një ndër gratë shkodrane që e ka fituar betejën me sëmundjen, por shprehet me shqetësim për kushtet në spitalin publik të onkologjisë.
“E kam përballuar me shumë kurajo, kam bërë kimio-terapi, që gjithmonë rrija duke thënë ja se një më pak, ja se mbaruan. Gjej rastin për me thanë që shume pak bëhet nga shëndetësia jonë , dhe nga ata që kanë në dorë për të bërë për gratë nëse në të gjithë botën ofrohet mundësia e një proteze e një gjeje për të rikuperuar gjirin e hequr, këtu nuk ndodh asnjëherë”, tha Fatmira Vata.
Kujtime Nurja është një tjetër grua që ka kaluar kancerin e gjirit, madje është operuar dy herë brenda tre muajve dhe thekson se gratë nuk duhet të neglizhojnë vizitat tek mjeku.
“3 -4 ditë pasi kisha mbushur 25 vjeç identifikohem me tumor në gji, dhe më pas jam operuar 2 herë. Nuk them se mungon informacioni por është neglizhenca jonë. Ne neglizhojmë dhimbjet e trupit dhe përtojmë për të shkuar tek doktori”, Kujtime Nurja.
Ekspozita fotografike përmbylli aktivitetet ndërgjegjësuese në kuadër të "Tetorit rozë", por mesazhi që përcjell është të mos u dorëzuar asnjëherë në këtë betejë.