Policia ka vijuar aksionin për kultivimin e bimëve narkotike në qarkun e Shkodrës, ku janë asgjësuar 4639 rrënjë kanabisi, ndërsa tre persona janë shpallur në kërkim dhe 5 kryetarë fshatrash janë proceduar penalisht.
Policia bën me dije se në njësitë administrative Shosh dhe Pult, janë gjetur dhe asgjësuar 3092 bimë kanabisi. Tre kryetarët e fshatrave Gimaj, Vuksanaj dhe Nicaj, janë proceduar penalisht për veprat penale “Shpërdorimi i detyrës” dhe “Moskallëzimi i krimit”. Gjithashtu është vënë në hetim një tjetër person për moskallëzim krimi.
Po ashtu në territorin e njësisë administrative Kastrat, janë gjetur dhe asgjësuar 1274 bimë kanabisi, ku tre persona janë shpallur në kërkim nga policia. Ndërsa dy kryetarët e fshatrave janë proceduar nga policia.
Edhe në Vaun e Dejës u gjetën dhe asgjësuan 273 bimë kanabisi në njësive administrative Shllak dhe Temal.
Njoftimi i policisë:
Shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër dhe të komisariateve në varësi vijojnë me intensitet kontrollet në të gjithë territorin e qarkut, në vijim të operacionit policor të koduar “Koordinata”, me qëllim goditjen e rasteve të kultivimit të bimëve narkotike. Si rezultat i kontrolleve:
-në territoret e njësive administrative Shosh dhe Pult, shërbimet e Komisariatit të Policisë Shkodër gjetën dhe asgjësuan 3092 bimë të dyshuara narkotike Cannabis Sativa. Në vijim të veprimeve procedurale, u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për kryetarët e fshatrave Gimaj, Vuksanaj dhe Nicaj, shtetasit P. Sh., K. Gj. dhe M. M., për veprat penale “Shpërdorimi i detyrës” dhe “Moskallëzimi i krimit”; për shtetasin P. D., për veprën penale “Moskallëzimi i krimit.”
-Në territorin e njësisë administrative Kastrat, shërbimet e Komisariatit të Policisë Malësi e Madhe, në bashkëpunim me shërbimet e DVKM Shkodër, gjetën dhe asgjësuan 1274 bimë të dyshuara narkotike Cannabis Sativa. Në vijim të veprimeve u shpallën në kërkim shtetasit A. M., 57 vjeç, R. M., 30 vjeç, dhe R. M., 24 vjeç, banues në Bajzë, pasi dyshohet se kanë kultivuar 780 bimë narkotike që u gjetën në fshatin Bajzë dhe kanë lidhur në mënyrë të kundërligjshme energjinë elektrike në një banesë që kishin në përdorim, e vënë në funksion të kësaj veprimtarie kriminale. Gjithashtu, u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për kryetarët e fshatrave Bajzë dhe Hot, shtetasit P. K. dhe A. H., për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”; për shtetasin P. S., për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”.
-Në territorin e njësive administrative Shllak dhe Temal, shërbimet e Komisariatit të Policisë Vau i Dejës gjetën dhe asgjësuan 273 bimë të dyshuara narkotike Cannabis Sativa.
Vijon puna për identifikimin, kapjen dhe vënien para përgjegjësisë penale të autorëve të kultivimit të bimëve narkotike
Komente
