Një çantë prej lecke, rroba edhe këpucë të grisura. Kështu e kujton fëmijërinë “Babai i Çufos”, Gaqo Bushaka, teksa na rrëfen kushtet e vështira ekonomike në të cilat është rritur, fillimisht në Gjirokastër, e më pas në një dhomë plot lagështirë në Tiranë. Teksa na tregon, se as vet nuk e di, se cili është burimi i humorit të tij, që depërton nëpërmjet përrallave tek lexuesit e vegjël, shton se padiskutim, që kjo nuk vjen nga fëmijëria e trishtë apo nga dy prindërit e tij, të cilët asokohe nuk dinin që të hidhnin as firmën.
Zoti Bushaka, jeni një nga fituesit e çmimit të fondit “Krijimtaria letrare për fëmijë”. Si ndiheni?
Kam shumë kohë, që çmimet nuk më emocionojnë më. Në përgjithësi këto poezi janë për kopshtet, për fëmijët e vegjël, jam munduar, që t’i sjell në trajtë përralle, se unë nuk shquhem në poezi. Edhe pse poezia është një gjini që sot po na mungon. Është një lloj kënaqësie edhe për moshën, sepse mund të mposhtë kështu edhe një lloj mërzie që kam ndaj kësaj qeverie, e cila nuk më ka dhënë akoma pensionin e veçantë, që unë e kam marrë që prej vitit 2009.
Përpos kësaj ju keni rreth gjysmë shekulli që shkruani libra për fëmijë. Çfarë e ka mbajtur ‘gjallë’ penën tuaj?
Kam kohë që shkruaj, por unë në përgjithësi punoj shumë ngadalë, për Çufon më është dashur 20 vite edhe nuk kam nxjerr as lekët e kafesë, nëse puna do të ishte vetëm për lekë. Por, prej pesë vitesh jam akoma duke punuar për librin e radhës, që është “Çufoja në Amerikë”.
E megjithatë, si ndiheni kur breza të tërë janë rritur me librat tuaj, por edhe vazhdojnë që të marrin çdo ditë emocione prej tyre, jo më kot ju quajnë edhe “Babai i Çufos”…
Natyrisht që më vjen mirë, sepse Çufoja është shitur mbi 350 mijë kopje, bashkë me ribotimet. Edhe për mua nuk ishte keq, sepse duke u bërë shumë kopje, mund ta blinin të gjithë. Ndërsa, sot që ne flasim për letërsinë, unë nuk e di nëse shkon në fshat kjo letërsi. Pasi nuk mundet që të kulturohet një shoqëri, që librin e përdor vetëm një grup njerëzish. Shumë artistë edhe shkrimtarë e kanë bazën në fshat. Nëse nuk arrijnë që fëmijët ta marrin këtë në shkolla, për mua është një problem. Kam ndier kënaqësi, që për librat e mi kanë folur përherë, kjo ka mposhtur edhe pakënaqësitë ekonomike.
Nëse flasim sot për letërsinë për fëmijë, cila është situata ku ajo gjendet sot?
Gjendja është e vështirë, pasi unë nuk shikoj sot shkrimtarë të rinj, që të dalin. Për shembull, shkrimtari Viktor Cenosinaj ka rreth 40 vite që shkruan. Po, si mundet që të ketë autorë të rinj, ku në kaq shumë vite, 50 vite, është hera e parë, që Gaqo Bushaka merr një çmim.
Ju thatë se ju ka munguar edhe vlerësimi institucional. Por a mendoni se duhet bërë diçka në këtë drejtim? Duhet që të ketë iniciativa të vazhdueshme?
Unë nuk shikoj dritë jeshile për momentin. E para është kjo që po bëjnë, që mua më duket se Ministria e Kulturës po ndez një dritë, që edhe të tjerët të merren me këtë punë. Nuk është më koha, kur shkrimtarët punonin nga pasioni. Përpos që edhe Dritëro Agolli punonte edhe, si gazetar. Nuk është normale, që një shkrimtar të punojë edhe mos ketë mundësi që të pijë një kafe. Pasi edhe shkrimtari duhet të jetë i qetë në këtë drejtim, që fëmijët që do të lexojnë të përgatiten që nesër mos të ballafaqohen me fëmijët që rriten në qytetet tona, por me ata që rriten në qytete të Europës.
E teksa rendisni këto problematika, ju shkruani akoma...
Për mua është pasion. Nëse mua më thoni që do t’ju jap kaq lekë, unë nuk e shkruaj dot një libër. Për çdo libër të Çufos kam punuar rreth 5 vite. Kam një mendim timin për këtë, pasi e di që një ditë do të vdesë. Edhe mendoj që të lë diçka, që edhe të tjerët të flasin mirë. Pasi shkrimtari është natyrë e ndjeshme, edhe ndihet mirë kur i thonë, që është libër i mirë. Për shembull, Agolli e kishte rrahur djalin edhe i kishte thënë, që mos ta lexonte më librin tim, ndërsa, ai e kishte fshehur poshtë krevatit për ta lexuar sërish. Ndërsa, Kadare pati thënë, që është libri i parë që në familjen tonë lexohet dy herë.
Ka ndikuar fëmijëria juaj, në humorin e hollë që keni kur shkruani?
Humori im duhet që të jetë dhuratë e perëndisë. Nuk ka të bëjë as me familjen edhe me asgjë, pasi nëna edhe baba nuk dinte që të hidhnin as firmën. Unë kalova një fëmijëri shumë të hidhur, me vështirësi ekonomike, me çantën prej lecke, me këpucë që fusja në qese të mos lageshin këmbët. Kam kaluar një fëmijëri shumë të hidhur. Edhe rininë e kam kaluar të vështirë, se u detyrova që të le shkollën dhe të mbaroja rezervat e punës për elektricistë, por edhe punoja në uzinën “Partizani”, derisa mbarova gjimnazin e natës. Por edhe jeta ime si gazetar ka qenë shumë e vështirë. Një herë presidenti Bujar Niashani më thirri për Niko Nikollin, kur u vlerësua me çmimin “Mjeshtër i madh”. Shkov dhe i thashë, ju thoni që “kur thoshit që s’ka patate të fusnin në burg”. Mua nuk më ka futur njeri i thashë. Por nuk po them asgjë! Nëse botoje tre artikuj kritikë në javë tek “Hosteni”, ku i shinim vetëm unë, Sabri Godo edhe Dritëro Agolli. “Ke të drejtë”, më tha pastaj. Prandaj të them, se ishte një kohë që të mbronte pasioni, por edhe logjika, sepse qoftë edhe një frazë të thoshe dënoheshe për agjitacion edhe propagandë. Ishte e qartë. U dënuan mjaft shkrimtarë, por gjithçka nisi nga ajo që u shkruajt, nuk erdhi nga ajri.
Pas viteve ’90, si u zhvillua ky zhanër i letërsisë?
Për mua letërsia mbahet nga talentet. Mund të jesh djalë i presidentit, të hash edhe të pish sa të duash, por nuk ke çfarë bën me lekë. Mëse kam qenë unë keq ekonomikisht, edhe ashtu jam akoma, por talenti është talent.
Keni një mesazh për lexuesit e vegjël?
Inshallah rriten të gëzuar edhe të lumtur.
Shkrimtari Gaqo Bushaka para disa ditësh u vlerësua për fondin “Krijimtaria letrare për fëmijë”. Ka lëvruar prozën e gjatë, dhe sidomos romanin për fëmijë. Ka shkruar përmbledhjet me përralla: “Arushi që kërkonte babanë”, “Në ishullin e dallëndysheve”, “Amaneti i dhelprës”, “Përralla u la për nesër”. Vepra që e bëri tepër të njohur ishte “Aventurat e Çufos”, pjesë përbërëse e së cilës janë përrallat: “Çufoja dhe Bubi kaçurrel”, “Pushimet e Çufos”, “Çufoja në shtëpinë e çudirave” etj.