Për të gjitha bizneset në Shqipëri, që duan të ndërkombëtarizohen, të përfitojnë fonde dhe projekte, këtë do t’ua mundësojë shoqata italiane “FenImprese” që sapo ka hapur selinë e saj në vendin tonë. Silva Mana, presidentja e “FenImprese” në Shqipëri, thotë se objektiv është trajnimi i burimeve njerëzore, por edhe ndërmjetësimi që biznese italiane të vijnë dhe të operojnë në vendin tonë.
“FenImprese” është Federata ndërkombëtare e bizneseve. Është një shoqatë punëdhënësish që përfaqëson të gjithë bizneset. Ka mbi 20 mijë biznese. Në këtë zhvillim që ka kjo federatë do ta sjellë edhe në Shqipëri. Objektivat primar janë kooperimi, ndërmjetësimi i bizneseve italiane për të operuar në Shqipëri, por edhe anasjelltas. Shoqata do të shërbejë për të ofruar një konsulencë falas për të qenë të gatshëm për tregun ndërkombëtar. Përfaqëson bizneset. Merret me formimin, trajnimin dhe implementimin e bizneseve. Një nga pikat tona që duam të zhvillojmë është dhe trajnimet profesionale që do ju bëhen burimeve njerëzore për ti çuar dhe në Itali për të marrë eksperiencën në biznese që janë në këtë shoqatë”, tha presidentja e “Fenimprese” në Shqipëri, Silva Mana.
Sipas të dhënave, numri i sipërmarrjeve shqiptare në Itali shkon në rreth 30 mijë, ndërsa i bizneseve italiane që kryejnë aktivitet në vendin tonë është mbi 2 mijë e 500. FenImprese është një shoqatë punëdhënësish e njohur nga Ministria e Punës dhe Politikave Sociale italiane si "Shoqatë Sindikale me karakter Kombëtar “dhe për rrjedhojë, e artikuluar në territor, kryen funksionet e saj brenda parimeve dhe detyrave që i atribuohen nga statuti.
Kompania në faqen e saj zyrtare shkruan se e themeluar mbi parimet e reciprocitetit, solidaritetit dhe anëtarësimit të lirë, ka një karakterizim jopartiak, autonom dhe të pavarur. Shoqatë jo-fitimprurëse, është e hapur për të gjithë komponentët sektorialë dhe kulturorë të sipërmarrjeve artizanale, të ndërmarrjeve makro, mikro, të vogla dhe të mesme, të vetëpunësuar, operatorë biznesi etj..
Gjatë eventit të zhvilluar sot Hotel Rogner u trajtuan tema që janë veçanërisht të rëndësishme për bizneset. U ndanë ide dhe përvoja për përballimin më mirë në rifillimin e aktiviteteve pas urgjencës shëndetësore. Një faktor i rëndësishëm për Rinisjen është aftësia për të kombinuar një vizion afatshkurtër me një afatgjatë, planifikimi i investimeve dhe shfrytëzimi i burimeve adekuate.