TIRANE- Përballë një reforme zgjedhore të ngecur mes kapriçove të PD-PS, partitë e vogla i druhen arnimit të Kodit Zgjedhor në mënyrë të tillë, që ata të mbeten jashtë sistemit.
Shqetësimin, e ngriti Agron Duka në një tryezë të thirrur për ndryshimin e ligjit për partitë politike.
“Asnjë parti përveç Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike nuk ka për të ekzistuar më. Nëse duan t’i bëjnë Kodit Zgjedhor një shartim shume të shëmtuar, nëse duan ta mbajnë kështu siç është, por me lista të hapura kjo pastaj mori fund fare. Ku do shkojmë pastaj ne me lista të hapura? Do shkojmë të futemi tek sigla PD apo Rithemelimit? Po ata na mundin tek sigla e vet. Koalicionet nuk njihen” tha Agron Duka.
Edhe për ish kreun e KQZ, ndryshimet, politika duhet t’i nisë së pari brenda vetes, duke ndryshuar ligjin për partitë politike, e më pas të rregullojnë sistemin përmes ndryshimeve në Kodin Zgjedhor.
“Objekte të ndryshimit duhet të jenë dy drejtime kryesore: ato të cilat të krijojnë kushtet të nevojshme që të zhvillohet sistemi në mënyrë efektive sistemi partiak; të bëhen ndryshime që do rregullojnë zhvillimin e demokracisë së brendshme në partitë politike; zvogëlimin e hapësirave për fenomenin e drejtimit autokratik; të bëhen rregullime që do krijojnë mundësi të rritjes së transparencës në veprimtarinë e partisë politike dhe financimin e partive politike. Është inflacion institucioni parti te ne” u shpreh Kristaq Kume.
Mes ndryshimeve që rekomandon fondacioni “Westminster Foundation For Democracy,” është edhe kufizimi i mandatit të kryetarit të partisë, që shumë parti politike refuzojnë ta kenë në rregulloren e brendshme, transparenca për financimin e lobimeve ndërkombëtare, si dhe mbyllja e partive që nuk kanë aktivitet politik.