Prej korrikut në qytetin e Fierit Yeray Rodriguez, një trajner që vjen nga Spanja, po drejton Apoloninë në Kategorinë e Parë. Ashtu si gjithë tifozët shqiptarë edhe 42-vjeçarit i ka bërë përshtypje shorti i Evropianit, ku kuqezinjtë janë në grupin e ferrit me Spanjën e tij, dhe me Italinë e Kroacinë.
“Së pari dua të uroj shqipërinë për kualifikimin në europian, sepse është vendi ku unë punoj. Në europian gjithçka mund të ndodhë dhe varet shumë se në çfarë forme do jenë skuadrat në qershor. Futbolli modern po tregon se kushdo mund të fitojë ndaj kujtdo. Spanja është favorite, por në 90 minuta gjithçka mund të ndodhë”, tha Yeray Rodriguez, trajner i Apolonisë.
Për Report TV trajneri spanjoll tregoi edhe favoritët e ‘Gjermani 2024’.
“Dëshira ime është ta fitojë Spanja, por futbolli ka surpriza. Do uroja që finalja të ishte Shqipëri-Spanjë, por të shohim nëse do ndodhë. Ka disa skuadra favorite për ta fituar siç janë Franca dhe Anglia, ndërsa më pas vijnë Gjermani, Spanja dhe Italia”, shtoi ai.
Pas 6 muajve trajneri spanjoll ka krijuar një përshtypje të qartë për Shqipërinë, shqiptarët dhe futbollin në vendin tonë.
“Deri më tani te Apolonia dhe në Fier ka qenë një eksperiencë shumë e mirë. më kanë pritur shumë mirë. Futbolli këtu është duke u rritur, por me një organizim më të mirë edhe niveli do ishte tjetër. Duhet punuar pak edhe në infraskturë”, tha më tej.
Apolonia në Kategorinë e Parë renditet e pesta pas 16 javësh kampionat.