Ministri i Brendshëm Priti Patel njoftoi se Britania e rriti të hënën nivelin e saj të gatishmërisë ndaj kërcënimit nga terrorizmi pas shpërthimit të një taksie para një spitali në qytetin e Liverpulit, për të cilin policia tha më herët se po trajtohet si një incident terrorist. Një pasagjer humbi jetën dhe shoferi i taksisë u plagos nga shpërthimi.
Niveli i ngritur i gatishmërisë nënkupton se ka gjasa të mëdha për sulme terroriste. Kryeministri Boris Johnson gjithashtu kryesoi një takim emergjence në përgjigje të incidentit.
Autoritetet thonë se pasagjeri në taksi mbante në dorë një pajisje shpërthyese të improvizuar dhe kërkoi që të dërgohej në Spitalin e Grave në Liverpul, por motivi, apo ajo që shkaktoi shpërthimin, nuk janë ende të qarta.
"Edhe pse motivi i këtij incidenti ende nuk dihet, duke patur parasysh të gjitha rrethanat, ai është konsideruar si një incident terrorist dhe njesia kundër terrorizmit po vazhdon hetimet. Po vazhdojmë përpjekjet për të kuptuar se si është ndërtuar pajisja, motivin e incidentit dhe nëse dikush tjetër ishte i përfshirë në të", tha Russ Jackson, shef i njësisë kundër terrorizmit në North West.
Pasagjeri vdiq nga shpërthimi dhe policia tha sot se besonte se e dinte identitetin e tij.
Policia ka arrestuar katër persona të tjerë lidhur me ngjarjen.
Shoferi i taksisë, që u plagos nga shpërthimi, pas trajtimit mjekësor ka dalë nga spitali./ VOA