Foto ilustruese

Shpëtoni blegtorinë shqiptare!

1 Qershor 2022, 17:49| Përditesimi: 1 Qershor 2022, 17:57

  • Share

Kompanitë e mëdha të përpunimit të qumështit dhe bulmetit, që sjellin në tavolinat tona shishet me qumësht, kos, paketat e gjalpit, djathit, etj., kanë lajmëruar rritje të re të çmimeve nga data 6 qershor 2022 në të gjithë vendin dhe në të gjitha pikat e tregtimit me pakicë. Rreth 55 artikuj të qumështit, të gjalpit, djathit, kosit, etj., do të rriten nga 10 deri në 50 për qind!

Tabela 1. Rritja e frikshme e çmimeve te bulmetrave

-          Qumështi shishe 1.4 litër (ishte 136 L behet 157 L)                      16%

-          Kosi shishe 950 gr(ishte 127 L behet 137 L)                                  11%

-          Gjalp dele paketim 800 gr (ishte 800 L behet 1200 L)                     50% !

-          Djathë dele kuti 900 gr (ishte 770 L behet 840 L)                              11%

-          Dhallë kuti 400 gr (ishte 32 L behet 40 L)                                            25%

Kjo është rritja e katërt e çmimeve në mënyrë të organizuar brenda këtij viti. Çmime që realisht po kapin qiejt. Shtimin më të madh do ta ketë çmimi i gjalpit, 100 gr e të cilit në tre rritjet e këtij viti shkoi nga 90 lekë në 130 lekë pakoja, ose rritje me 44 përqind.  Një gotë kos 380 gram do të shitet me 55 lekë nga 50 që është aktualisht. Një shishe kos 950 gram do të shitet 137 lekë nga 127 lekë që është aktualisht. 400 gram dhallë do të shiten 40 lekë nga 32 aktualisht. E kështu me radhë.

Prodhimi i qumështit dhe krerët e bagëtive në pikiatë!

Prodhuesit të rendisin një lumë arsyesh për këtë shtim të katërt të çmimeve të bulmetit. Fillimisht energjia elektrike që u reflektua me herët gjatë vitit dhe tani shtimi i kostos së lëndëve të para, sidomos lëndës bazë, qumështit, në një kohë që numri i bagëtive në fermat e vogla po bie me shpejtësi, gati në mënyrë dramatike. Shumë fermerë të vegjël që rrisin 1 apo 2 lopë po largohen në emigracion. Fermat e mëdha janë rritur, por numri i tyre është shumë më i vogël krahasuar me fermerët e vegjël, çka nuk arrin të ekuilibrojë sasinë e qumështit të prodhuar në treg. Sipas të dhënave të INSTAT, numri i krerëve të bagëtive ka rënë me një të pestën gjatë 5 viteve të fundit, ndërsa këtë vit rënia ka rrezik te jetë edhe më e shpejtë. 

Tabela 2. Arsyet e rritjes se çmimeve

  • Shtimi me 53% i çmimit të energjisë elektrike për bizneset me tension te mesëm 20, 10 dhe 6 kv(ku futen edhe fabrikat e bulmetit) nga 1 janari 2022
  • Ulja e forte e prodhimit te qumështit ne vend
  • Rritja e çmimit te lendeve te para, sidomos qumështit te importit
  • Largimi ne emigracion i fermerëve të vegjël që rrisin 1 apo 2 lopë
  • Rritja e kostos se ushqimeve për bagëtinë qe pothuajse te gjitha importohen

Çmimi i qumështit është rritur me mbi 15 për qind këtë vit, teksa një valë rritje çmimesh ka ndodhur për të gjitha lëndët e para që nga energjia elektrike me rreth 300%, produktet e paketimit dhe kostot e tjera, shtim për shkak të ndryshimit të taksës për lëndët e para në bujqësi, një lëvizje prej akrepi në paketën fiskale 2022 për bujqësinë, në një kohë kur ky sektor jetik për ekonominë tonë kishte hyrë në një gjendje shumë të vështirë me çmimet e shtuara të lëndëve të para nga importi.

Qeveri: Rrit 3 mijë lekëshin për të pamundurit!

Qeveria duhet të kuptojë se produktet e bulmetit për familjet në nevojë nuk janë të zëvendësueshme. Për të rritur fëmijët atyre do t’u japësh qumësht dhe gjalpë, sado këto produkte të kushtojnë. Qeveria duhet të mendojë që kompensimin minimal prej vetëm 3 mijë lekë në muaj(tridhjetë mijë leke të vjetra) ta rrisë pa pritur fundin e qershorit, kur përfundon edhe afati i Paketës tremujore të Rezistencës Sociale. Kompensimi ishte i pamjaftueshëm për të 434 mijë qytetarët në nevojë(shumica pensionistë) që në ditët e para të gjysmës së dytë të marsit 2022, kur Paketa nisi të zbatohej. Me rritjet e reja të çmimeve të produkteve të bulmetit, shtohet domosdoshmëria rritet që qeveria të ndërhyjë për ta rritur kompensimin, të paktën nga 3 mijë në 5 mijë lekë në muaj. Në mungesë të mbështetjes së fortë ndaj bujqësisë, e vetmja gjë që ngelet të bëhet është ndihma ndaj të varfërve dhe të pamundurve.

Ringrihet dot blegtoria?

Po, ringrihet, nëse respektohen propozimet e Këshillit të Agrobiznesit Shqiptar(KASH).

Tabela 3. Rezoluta e KASH 23 dhjetor 2022-Propozimet

  1. Subvencioni shtetëror te behet për numër krerësh ne tërësi
  2. Blegtoret kontrata për dorëzimin e tepricave te prodhimit
  3. Ristrukturim i kredive problematike te blegtoreve
  4. Ngritja e një Këshilli konsultativ kombëtar për blegtorinë pranë Ministrisë se Bujqësisë
  5. Ngritja e Institutit të Zooteknisë dhe amendimi i  Ligjit për Shërbimin Veterinar dhe Urdhërin e Mjekut Veterinar
  6. Rishikimi i paketës fiskale 2022 për bujqësinë dhe blegtorinë
  7. Mbështetje prodhimit vendas te ushqimeve për blegtorinë
  8. Shtim i projekteve pilot për blegtorinë
  9. Mekanizim, inovacion dhe dixhitalizim ne blegtori

Sektori i blegtorisë është futur në një spirale krize të thellë vitet e fundit, nga mungesa e subvencioneve në bujqësi dhe braktisja masive e fshatit në dekadën e fundit. Fermat e vogla me pak krerë po mbyllen nga braktisja e fshatit, ndërsa fermat e mëdha po përballen me kosto të larta, pasi pothuajse të gjitha ushqimet për bagëtitë importohen nga jashtë. Nuk kemi asnjë politikë, masë shtetërore dhe ndihmë për ato pak fabrika që në vend prodhojnë ushqim për kafshët, që t’i nxisim të shtohen dhe të plotësojnë nevojat e fermave të mëdha të vendit. Pas shpërthimit të luftës në Ukrainë, çmimet e ushqimeve të kafshëve janë rritur, ndërsa fermat nuk subvencionohen nga qeveria. Shumë shpejt prodhimet shqiptare të bulmetit do të konkurrohen nga prodhimet e importit dhe mrekullia e ushqimeve tona bio do të përfundojë në një rendje pas zëvendësuesve surrogate, si qumështi pluhur nga Serbia apo produktet e bulmetit, të subvencionuara fort, nga Maqedonia e Veriut dhe nga Greqia. Qeveria duhet t’i kthejë sytë dhe gjithë kokën nga bujqësia dhe blegtoria jonë, pse nuk janë më ato kamerdaret që nuk shpohen, për të përballuar vitet e pamundura, si viti 1997 apo viti 2020

E.K/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?