Pa u mbyllur mirë gushti e pa filluar sesioni i ri parlamentar e politik, kryedemokrati Lulzim Basha ka filluar sulmet. Një artikull në median amerikane “Washington Times” i cili sulmonte vettingun, ambasadorët e të gjithë ata që janë rreshtuar krah reformës në drejtësi, u propagandua fort në mediat pranë Bashës si një gjë e re. Por, siç u pa nga investigimi që u publikua dje (Lexo investigimin e plotë), ai artikull ishte asgjë më shumë se një përmbledhje e dekaratave të PD-së kundër SHBA-BE-Qeveri. Ishte vazhdimi i një beteje të nisur që në fillimet e reformës në drejtësi, por që u publikua pardje, për t’i dhënë opozitës një argument tani që po mbarojnë pushimet.
Strategjia e komunikimit të Bashës, e cila nuk dihet nga kush përgatitet (ndoshta janë akoma ata që Berisha i quajti “këshilltarë mizerabël” pas humbjes së zgjedhjeve të fundit parlamentare) vazhdon të jetë një gropë e madhe që hapet poshtë këmbëve të Bashës. Nuk arrij ta kuptoj se si një parti që pretendon të vijë në pushtet dhe që është partia me e madhe opozitare, vazhdon të njëjtën strategji komunikimi që e ka nxjerrë njëherë thellësisht humbëse. Vazhdimi në këtë rrugë është si të duash të zhysësh edhe më thellë opozitën, duke kërkuar votën e shqiptarëve ndërkohë që nxijnë Shqipërinë.
Por, le të kthehemi tek artikulli i botuar në “WT” ndaj të cilit reagoi edhe kryeministri Rama.
Lë të jemi pak realistë, Basha ka bërë dhe vazhdon të bëjë thjeshtë detyrën që i ka caktuar vetes; të sulmojë ata që i hoqën nga duart kontrollin e drejtësisë. Nuk e kuptoj pse duhet të habitemi nga Basha apo mbarë opozita që sulmon reformën, ambasadorët dhe Shqipërinë. Njëlloj siç SHBA/BE mbron vettingun e reformën në drejtësi, edhe Basha ka të drejtë të sulmojë këtë proces e të mbrojë ata që ishin deri dje në krye të drejtësië. Sepse, në fund të fundit kjo është një luftë e cila nuk mund të ishte e lehtë. Reformimi dhe çmontimi i një ushtrie që kishte uzurpuar zyrat e drejtësisë nuk mund të ishte një “bukë e djathë”, ndaj është krejt normale që të shohim Bashën që lufton me mish e me shpirt, me çdo mjet, duke bërë aleat këdo që i ofrohet për të penguar reformën.
Ndaj, nga sot le ta lëmë Bashën në hesapin e vet, të vazhdojë sulmin ndaj drejtësisë, pasi vetëm kështu do të kuptojmë se reforma në drejtësi po ecën në drejtimin e duhur. Në momentin që Basha nuk do sulmojë më reformën në drejtësi ateherë duhet të fillojmë të shqetësihemi për ndonjë Pazar të mundshëm. Por, për sa kohë Basha shkon deri në SHBA për të sulmuar Vettingun dhe reformën në drejtësi, për sa kohë vazhdon të sulmojë SHBA/BE, duhet të rrimë të qetë pasi kjo tregon se reforma po ecën siç duhet.
Lulzim Basha ka qenë që ditën e parë kundër reformës në drejtësi dhe për këtë duhet mirëkuptuar, pasi askush nuk do donte që t’i hiqej nga kthetrat një pushtet i tillë. Ndaj, mirëkuptojeni dhe mos e sulmoni pse ai sulmon sot edhe me mbështetjen ruse, SHBA/BE dhe reformën në drejtësi. Kjo ndoshta është e vetmja gjë e sinqertë që Basha po e bën hapur dhe po e pranon që po e bën çdo ditë./Lexo.al
Basha nje zgjatim i jargeve te Berishes.
PërgjigjuTitulli i thote te gjitha.
Përgjigju