Harta e Shqipërisë

Shqipëria, sot dhe pas 14 majit...!

2 Maj 2023, 19:39| Përditesimi: 2 Maj 2023, 19:46

  • Share

Shqipëria nuk ka nevojë për zgjedhje që duhet të rizgjedhin, por për zgjedhje që bëjnë ndryshimin! Shqiptarët nuk kanë nevojë për zgjedhje që të rizgjedhin të njëjtët sot e 30 vjet, sepse kjo konsiderohet riciklim. Realiteti politik është mbytës dhe i politizuar deri në mitizim saqë nëse shprehim opinione edhe kur janë të drejtë që kritikojmë realitetin nuk marrim inkurajim apo mbështetje, por konsiderohemi deri në armiq, sepse ju kemi prekur heronjtë e rremë dhe mitet.

Shqiptarët diku nga halli e diku nga interesi janë të politizuar deri në helmim sa politiken e konsiderojnë aktivitet mbijetese apo si mundësi për tu ngjitur pas dikujt që të kenë mundësi të marrin privilegje apo shpesh e konsiderojnë politikën edhe thjeshtë si mundësi punësimi. Ndodh shpesh që shkojnë pas një politikani pa e analizuar nëse është një figurë apo një person që meriton mbështetje, por vetëm e konsiderojnë si mundësi për tu kapur pas dege për të gjetur një vend pune. Ka ditë që jemi në fushate e shikoj plotë persona që ndajnë statuse apo qëndrime të kandidatëve dhe këtë e bëjnë, sepse nuk janë të lirë dhe se janë militantë apo skllevër të pushtetit që i ka lidhur dhe i zgjidh vetëm me leje.

Ndodh shpesh të bëjmë statuse apo qëndrime kritike dhe ata që i kemi miq në fb, heshtin dhe nuk kanë as guximin e forcën të bëjnë like e mandje brenda vetes na konsiderojnë "armik të Partisë". Është sa absurde po ashtu edhe e papranueshme ky lloj nënshtrimi që kanë qytetarët ndaj politikës e politikanëve e kjo keqardhje është akoma më e madhe, kur shikon intelektualë që kanë vlera dhe mbështesin kandidatë që nuk kanë as cerekun e vlerave të tyre, por këtë e bëjnë duke ju nenshtruar Partisë, liderit e po ashtu duke ju servilsosur pushtetit.

Këto zgjedhje, për fat të keq ashtu si shumica e zgjedhjeve në këto 30 viteve nuk kanë asgjë të re, por ricikilim të të njëjtëve politikanë që tashmë pa frike mund të themi se nuk janë të rastësishëm, por dinasti të mirefillta familjare politike. Nuk ndryshon vetë Shqipëria, nëse nuk marrim distancë nga kjo politikë ricikluese dhe me nivele inferiore njerëzore që kërkojnë votat e qytetarëve, herë me shkollë e herë pa shkollë fare, por në fund punë e madhe, sepse këtë kanë vendosur liderët që shumica e shqiptarëve i konsiderojnë mite dhe heronj!

Këto zgjedhje në fakt janë një rutine e radhës duke respektuar të famshmin kriter të demokracisë "periodike", por që nuk kanë asnjë ndryshim me ato që kemi bërë në këto 30 vite tranzicion. Pas datës 14 maj, po këta që kanë qenë në këto 30 vjet do të jenë , me dallimin e radhës, se dikush do të jetë humbës e dikush tjetër fitues.

Në fakt, ata nuk humbin asgjë, të vetmit që humbin janë shqiptarët që do të vazhdojnë të rapaten në betejën e famshme të anëtarësimit në BE e po ashtu në sfidat e mëdha të një jete që gjithnjë e më shumë bëhet e vështirë, sigurisht edhe për shkak të realiteteve të reja ndërkombëtare, përderisa njeriu me instinktin e tij natyral i është rikthyer përsëri luftës për të zgjidhur hesapet dhe mosmarrëveshjet.

Të rinjtë shqiptarë do të vazhdojnë të largohen, sepse me heshtjen e tyre nuk janë dakord me këtë politikë e këta politikanë, por ndjehen të pafuqishëm të revoltohen dhe të ngrihen për të ardhmen e tyre.

Pensionistët me shumë gjasa do të udhëtojnë përsëri me një transport publik aspak dinjitozë e shpesh edhe pa qindarka në xhep për të paguar biletën, sepse më shumë se gjysma e shumës ju shkon për ilaçe. Shqipëria nga Veriu ne Jug është një ekspozitë e zymtë e marre peng nga një politikë, e cila pa dallime të mëdha nuk pasqyron asgjë, por është kthyer në një tabu që nuk ndryshon as veten, por kërkon vetëm pushtet.

Iluzionet se të mundim këtë apo atë, të votojmë këtë se është më i mire se ai, janë thjeshtë mjegulla që na kanë mbuluar shikimin drejtë të ardhmes. Ndoshta nuk kemi qenë të lirë në shumicën e historisë tonë të 500 viteve të fundit e kjo ka na bërë që të shikojmë më shumë me nostalgji të kaluarën sesa të kemi shpresë e guxim për të ndryshuar të tashmen e për të ndërtuar të ardhmen. Një keqardhje e madhe për atë që po jetojmë e po ashtu më e madhe është keqardhja që nuk po bëjmë ndryshimet që na duhen.

B.K.//ReportTv.al
Komento

Komente

  • e drejta: 03/05/2023 09:20

    PAS 14 MAJIT SHUMICA E SHUMICES DO TE JETE LEJLA

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?