Foto ilustruese

Shqipëria e 'vaksinuar' nga sëmundja e pazareve me Perëndimin

6 Janar 2021, 20:38| Përditesimi: 6 Janar 2021, 20:40

  • Share

Ka boll kritika dhe mëdyshje rreth gjestit të kryeministrit Edi Rama për të refuzuar vaksinën ruse, një ditë pas kritikave të tij për indiferencën e BE rreth Ballkanit Perëndimor, si dhe mos angazhimin e tij për vaksinën kineze. Kritikat dhe mosbesimi ndaj këtij refuzimi, vjen nga ide pragmatiste për të siguruar sa më shumë burime vaksinash dhe për të mos bërë politikë me vaksinimin.

Debati bëhet dhe më i fortë, kur një vend ballkanik si Serbia, e ktheu shumëllojshmërinë e vaksinave në koleksion gjeopolitik, duke filluar vaksinën amerikane tek mjekët, duke premtuar se vaksinën ruse do ta bëjnë liderët politikë, dhe se populli do bëjë vaksinën kineze.

Në të vërtetë, Shqipëria dhe Serbia është hera e dytë që ndahen fort sa i përket orientimit perëndimor në krizën e pandemisë.

Hera e parë ishte fillimi i pandemisë. Kur Ballkani, si gjithë bota u trondit nga izolimi dhe paniku, si dhe nga padija se çfarë vinte më pas, presidenti Vuçiç doli thuajse duke u përlotur në televizion, duke i kërkuar presidentit të Kinës me përulje dhe ndjesë, ndihmë mjekësore, ku mendohej se ishin maskat apo disa aparatura oksigjeni. Nuk është se kjo gjë e nderoi para Kinës.

Disa muaj më vonë ai u detyrua të firmoste në Shtëpinë e Bardhë bashkë me kryeministrin Abdullah Hoti, një dokument ku angazhoheshin kundër ofertës kineze të 5G. Kjo bëri që presidenti kinez të refuzojë një vizitë të tij në Pekin, pas vizitës në Uashington, duke e paralajmëruar “kinezçe” se nëse shkonte në Kinë, mund të mbyllej në karantinë. Pra në një farë mënyre, i shkoi dëm aktorllëku pro kinez dhe karshillëku kundër Perëndimit.

Shqipëria, që ishte nën të njëjtin presion psikologjik gjatë fillimit të pandemisë, bëri një gjest të kundërt. Ajo çoi 30 infermierë dhe mjekë në Itali, vendin europian më të goditur nga pandemia e marsit, duke u kthyer në kryelajm të medias perëndimore për gjestin e saj dhe natyrisht, duke bërë krenarë qindra e mijëra shqiptarë në Itali.

Ky i tanishmi, i krizës së vaksinave, është rasti i dytë që Shqipëria dhe Serbia ndahen në këto qëndrime. Në kushtet e krizës së vaksinave dhe kur politika e vendeve europiane, është të sigurojnë fillimisht sasitë për vendet e tyre, duke ndarë fonde për vendet e Ballkanit, në vend të vaksinave, Serbia reagoi duke premtuar se udhëheqësit e saj do vaksinohen publikisht me vaksinën ruse, ndërsa kryeministri i Shqipërisë refuzoi publikisht me “nervozizëm të llogaritur’, ofertën e qeverisë ruse për vaksinën e saj.

Kritikat ndaj politikës së BE për politikat e sigurimit të vaksinave janë të forta dhe vetë brenda Bashkimit Europian, por reagimi politik ndaj tyre ka shumë rëndësi për Shqipërinë.

Shqipëria nuk i ka lejuar vetes të kthejë tenderin për vaksinën, në një tender gjeopolitik, por ka bërë betejë brenda Perëndimit për politika më të drejta dhe të sigurta për vendet aleate të tij.

Për fat të mirë, kontigjenti i parë prej 500 000 copë i vaksinave Pfizzer, është siguruar dhe ai është i mjaftueshëm për fazën e emergjencës. Por bashkë me të, kjo krizë provoi se Shqipëria është vaksinuar për të mos u infektuar nga viruse anti-perëndimore në politikën e saj, pasi raste të tilla tregojnë nëse Perëndimin e kemi pazar, apo destinacion.

E.M./ReportTv.al
Komento

Komente

  • omar abazi: 06/01/2021 23:23

    pra mero topelensi thote ne vdesim edhe vaksinen ruse nuk e bejme po i ka pyetur popullin hallexhi se cfare thote se mbase ata nuk duan te vdesin si ymeri

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Takimet jashtë, mendoni se diaspora do marrë pjesë masivisht në votime?