Kultura

Shqipëria 'harron' alfabetin shqip, por ka festë në Maqedoninë e Veriut për 113-vjetorin e Kongresit të Manastirit! Krerët e shtetit atje urojnë shqiptarët

22 Nëntor 2021, 14:47| Përditesimi: 22 Nëntor 2021, 16:33

  • Share

22 nëntorin e 113 viteve më parë, në Manastir u miratua alfabeti i gjuhës shqipe, që ne përdorim sot. Kjo u vendos në mbyllje të një kongresi 8-ditor, me pjesëmarrjen e delegatëve si: Gjergj Fishta, Mid'hat Frashëri, Ndre Mjeda, Bajo Topulli, etj.

Sot shqiptarët e Maqedonisë së Veriut e kanë ditë feste zyrtare, duke marrë urime të shumta, që nga kryeministri i vendit, e deri tek zyrtarët më të thjeshtë.

Por, Shqipëria duket se e ka harruar këtë ditë.

Asnjë prej institucioneve si Akademia e Shkencave, Instituti i Gjuhësisë, nuk ka organizuar asnjë aktivitet, ndërsa Ministria e Kulturës, tha për Report Tv se i vetmi aktivitet është planifikuar një ekspozitë nga Muzeu Kombëtar në Maqedoninë e Veriut.

Në rrjetet sociale të zyrtarëve më të lartë të vendit, duke nisur nga presidenti i Republikës, Kryeministri, kryetari i opozitës, apo ministrja e Kulturës, nuk rezulton asnjë urim me rastin e kësaj dite të rëndësishme për kombin shqiptar.

Report Tv kontaktoi rektorin e Akademisë së Studimeve Albanologjike Luan Përzhita, i cili sqaroi se përkujtimi i alfabetit Shqip është bërë disa ditë më herët në Shkup, ndërsa sqaron se vitin e ardhshëm kremtimet do të bëhen në Shqipëri.

I vetmi reagim nga institucionet shqiptare është i ai i Ministrisë së Arsimit, ku ministrja Evis Kushi ka përkujtuar këtë ditë teksa bën thirrje që të respektohet gjuha shqipe duke e shkruar atë saktë e qartë.

Një atmosferë krejt ndryshe mbizotëron në Maqedoninë e Veriut. Shqiptarët e kanë ditë feste zyrtare, por urime kanë marrë nga zyrtarët më të lartë, maqedonas.

Në facebok, presidenti Stevo Pendarovki, duke uruar në të dyja gjuhët zyrtare, shkruan:

“Unifikimi i alfabetit të gjuhës shqipe është një nismë e rëndësishme kulturore, shpirtërore dhe kombëtare e popullit shqiptar. Bashkëqytetarët tanë shqiptarë, ditën e sotme e festojnë në atdheun tonë multikulturor dhe shumetnik”.

Edhe kryeministri Zoran Zaev, e ka uruar në shqip këtë ditë.

"Le të festojmë dhe nderojmë diversitetin etnik dhe gjuhësor të shoqërisë sonë si prioritet. Si një thesar i përbashkët i yni", shkruan Zaev. 

Ora 15:53
'Dita e Alfabetit të Gjuhës Shqipe', ministrja e Arsimit: T’i japim vlerë çdo shkronje, ta shkruajmë saktë, bukur dhe qartë

Ministrja e Arsimit, Evis Kushi ka kujtuar ditën “Alfabetit të Gjuhës Shqipe” dhe ka uruar të gjithë shqiptarët në këtë ditë të shënjuar. Përmes një psotimi në rrjetet sociale ajo bën thirrje që ta shkruajmë gjuhën shqipe saktë dhe qartë.

“Sot përkujtojmë 113 vjetorin e Alfabetit të Gjuhës Shqipe, një nga ngjarjet më të shënuara të kombit shqiptar. Është krenari të kujtosh ata 50 delegatë të Kongresit të Manastirit, të mbledhur nga të gjitha trojet shqiptare, të cilët na lanë si trashëgimi një thesar kaq të çmuar, si Alfabetin tonë.

Të dashur të rinj dhe të reja! Le t’i japim vlerë çdo shkronje. Le të shkruajmë sa më saktë, bukur dhe qartë gjuhën shqipe! Gëzuar 22 nëntorin, Ditën e Alfabetit të Gjuhës sonë”, shkruan Kushi.

Ora 12:53
‘Dita e alfabetit të gjuhës shqipe’, Zaev uron: Sot kremtojmë vlerat dhe traditat e të gjithë bashkësive etnike, thelbi i shoqërisë multikulturore

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev ka kujtuar ditën e “Alfabetit të Gjuhës Shqipe” dhe ka uruar te gjithë shqiptarët.

Përmes një postimi në rrjetin e tij social Facebook, Zaev ka kujtuar se në këtë ditë të viti 1908, përfundoj Kongresi i Manastiri, në të cilin u krijua alfabeti i standardizuar i shqipes.

Kryeministri maqedonas shprehet se sot kremtohen vlerat kulturore, ngjarjet dhe traditat e të  gjithë bashkësive etnike, përfshirë edhe atë shqiptare, pasi është thelbi i shoqërisë sonë multikulturore.

Urimi i plotë i Zoran Zaev:

Në këtë ditë të vitit 1908, përfundoi Kongresi i Manastirit, në të cilin u krijua alfabeti i standardizuar i shqipes. Kongresi u mblodh më 14 nëntor dhe morën pjesë delegatë nga Maqedonia, Shqipëria dhe komunitetet shqiptare në Rumani, Egjipt, Amerikë, Greqi, Turqi, Itali dhe vende të tjera.

Me shpalljen e 22 Nëntorit si Ditën e Alfabetit të Gjuhës Shqipe dhe duke e festuar këtë festë të rëndësishme për komunitetin shqiptar si pjesë integrale e pasurisë gjuhësore dhe kulturore të Maqedonisë së Veriut, konfirmojmë se gjuha dhe shkrimi janë ura për mirëkuptim mes traditave, kulturave dhe shpirtërore. trashëgimisë.

Për këtë na thërrasin vlerat tona maqedonase, të cilat në të njëjtën kohë janë evropiane dhe me të cilat po ecim në rrugën e integrimit në Bashkimin Evropian.

Kremtimi i vlerave kulturore, ngjarjeve dhe traditave të të gjitha bashkësive etnike, përfshirë edhe atë shqiptare, pasi është thelbi i shoqërisë sonë multikulturore. Është një kontribut i fuqishëm për një të ardhme të begatë dhe për mirëqenien e të gjithë qytetarëve.

Angazhimi ynë është të ndërtojmë dhe ushqejmë një shoqëri të barabartë për të gjithë dhe të ndërtojmë një shoqëri civile, duke respektuar dallimet etnike, kombëtare, fetare dhe kulturore. Kjo është veçantia dhe thelbi i komunitetit tonë që është ndërtuar prej shekujsh dhe që është një detyrim për të ardhmen tonë të përbashkët.

Të gjithë pjesëtarëve të komunitetit shqiptar dhe të gjithë qytetarëve, ua uroj festën e Ditës së Alfabetit.

Le të festojmë së bashku dhe të festojmë ekzistencën dhe afrimin e traditave kulturore, të cilat kanë ekzistuar në këtë zonë prej shekujsh. Uniteti dhe kujdesi që i kushtojmë njëri-tjetrit janë garancia e së ardhmes sonë të sigurt dhe të begatë evropiane.

Të festojmë dhe nderojmë diversitetin etnik dhe gjuhësor të shoqërisë sonë si avantazhin tonë, si thesari ynë i përbashkët.

Data 22 nëntor përbën një ditë përkujtimore në Shqipëri, Kosovë, Republikën e Maqedonisë dhe në diasporën shqiptare, pasi kjo datë shënon ditën e Alfabetit të Gjuhës Shqipe. Alfabeti u njësua gjatë Kongresit të Manastirit i njohur ndryshe edhe si Kongresi i Alfabetit.

Mes datave 14 nëntor - 22 nëntor 1908 është mbajtur një konferencë akademike në qytetin e Manastirit, për standardizimin e alfabetit të gjuhës shqipe. Kjo festë është paralajmëruar të jetë tradicionale dhe të marrë sa më shumë jehonë në mbarë trevat shqiptare.

Përpara kongresit, gjuha shqipe përfaqësohej prej gjashtë ose më shumë alfabetesh, pa llogaritur nënvariantet. Kongresi u mbajt prej shoqërisë "Bashkimi" në shtëpinë e Fehim Zavalanit, ku ishte edhe selia e shoqërisë.

Pjesëmarrësit në kongres ishin figura të dalluara të jetës kulturore e politike mbarëshqiptare. U thirrën 50 delegatë, përfaqësues të njëzet e tre qyteteve të banuara nga shqiptarët, shoqërive kulturore e patriotike, tridhjetë e dy nga të cilët kishin të drejtë vote dhe tetëmbëdhjetë vëzhgues.

Ndër delegatët më të shquar qenë Gjergj Fishta, Mid'hat Frashëri, Sotir Peci, Ndre Mjeda, Shahin Kolonja, Bajo Topulli, Parashqevi Qiriazi, Fehim Zavalani. Delegat tjetër nga familja Zavalani ishte Izet Zavalani, përfaqësues i Follorinës. I zoti i shtëpisë, Fehim Zavalani, mbajti fjalën hyrëse.

K.T.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Takimet jashtë, mendoni se diaspora do marrë pjesë masivisht në votime?