Investimet infrastrukturore në Shqipëri kanë qenë në qendër të vëmendjes së çdo qeverie të ardhur në pushtet prej fillimviteve 2000.
Duke parë ndryshimin rrënjësor të regjimeve dhe duke u hapur gjerësisht në aspektin e transportit me mjete vetjake, shtrimi i rrugëve dhe hartimi i segmenteve më të volitshme për udhëtarët, kanë qenë pikësynime të pushteteve…si qendrore, ashtu edhe lokale.
Kjo, i ka dhënë frytet e veta.
Sipas një raporti të Forumit Botëror Ekonomik, Shqipëria radhitet si më e mira në rajon, së bashku me Malin e Zi, për cilësinë e rrugëve, me një pikavarazh prej 3.9 në shkallën e krahasimit.
Në krahasim, bie në sy se si Shqipëria, lë pas edhe vende të Bashkimit Evropian, si Bullgaria apo Rumania, të cilat në indeksin e nivelit të rrugëve shënojnë respektivisht 3.4 dhe 3 pikë.
Maqedonia e Veriut ndërkohë, shënon vetëm 3.4 pikë, ndërsa Bosnjë dhe Hercegovina edhe më poshtë, me 2.8 pikë.
Për Serbinë dhe Kosovën ndërkaq, raporti nuk ka shifra konkrete për t’i shpalosur.
Shqipëria, krahasohet denjësisht për nivelin e rrugëve me vende të Evropës Lindore, ku pas lë Letoninë, Rusinë, Ukrainën, Moldavinë dhe gjendet fare pranë Hungarisë dhe Sllovakisë.
Kur vjen puna tek krahasimi me vendet perëndimore të BE-së, Italia është më e afërta, me 4.4 pikë, po aq sa Irlanda e Veriut dhe Belgjika.
Ndërsa, vendet e tjera, radhiten me 5 pikë e më shumë, ku ndër evropianet, Holanda e mban kryesimin me 6.4 pikë. Në botë, Holanda radhitet e dyta, vetëm pas Singaporit.
Pikavarazh shumë të lartë shënojnë edhe Zvicra, Austria, Portugalia e Spanja, si edhe vendet nordike, prej Danimarkës, Suedisë e Finlandës.
Një tjetër vend me zhvillim të lartë infrastrukturor ka qenë edhe Turqia me sa paraqitet në raport, duke lënë pas vende si Norvegjia apo Mbretëria e Bashkuar.