Restorant buze detit ne Ksamil

Periferi

Shqipëria po shëron plagët që ndër vite ja bëmë! Ne duhet ta kuptojmë

12 Korrik 2022, 16:14| Përditesimi: 12 Korrik 2022, 16:45

  • Share

Askush nuk e ka ndalur zhvillimin e një vendi. I ngadaltë apo i shpejtë, horizontal apo vertikal, një qytet për shembull ndryshon, rritet, shemb të vjetrën, ndërton të renë, ruan gjurmët e të parëve apo i fshin ato. Janë mekanizma të çuditshëm që përcaktojnë zhvillimin e një vendi, të njerëzve dhe të qyteteve e të fshatrave që e përbëjnë. Individë që vijnë në kohë të caktuara, me një bagazh të caktuar, në mënyrë misterioze dhe të pashpjegueshme kanë forcën, karizmën, hapsirën të lënë ndikimin e tyre më shumë se të tjerë. Ndonjë i lidh duar, këmbë e gjuhë një populli të tërë dhe vepron i pabezdisur sikur të gjithë janë në gjumë. E kemi provuar një të tillë, siç kemi provuar edhe shkatërrues të pamëshirshëm të çdo gjëje e sistemi. Ku jemi sot? Kemi luksin të shprehemi e të themi çdo gjë që na vjen në mendje dhe dihet, të mërziturit janë më të motivuar të shprehen dhe mirë e bëjnë, të kënaqurit përgjithësisht heshtin dhe shijojnë jetën e tyre të mbarë. Edhe për Shqipërinë vlen kjo. Më të padurueshmit e të pajustifikueshmit janë disa qaramanë që janë dhe kanë pushtet. Kur dikush është në pushtet mund të ketë shumë privilegje, përveçse privilegjit të sharjeve dhe të ankesave. Sidomos ndaj Shqipërisë.

Eshtë koha që pas një lëngate të gjatë e një tranzicioni të pakuptimtë gjërat të ndryshojnë edhe për ne. Siç po ndryshojnë shtëpitë absurde që mbinë fushave dhe periferive të qyteteve, siç ndryshuan shtesat, mbishtesat e nënshtesat lagjeve të qyteteve: Janë veshur me kuptim dhe gjelbërim dhe po harmonizohen me mjedisin përreth ku vite më parë qëndronin si një çiban. E dallon gjithkush që nga fluturimi me avion, e dallojnë të huajt që shëtisin në qytete si turistë: Fushat kanë nisur të sistemohen e të krijojnë parcelat shumëngjyrëshe sipas të mbjellave stinore. Ngjyra gri e rrënimit dhe shkatërrimit që mbizotëroi në Shqipërinë e gjithë viteve të postkomunzmit, është zbutur nga ngjyrat e stinës: të gjelbërta, të verdha, në pranverë e verë, të kuqe e të kafta në vjeshtë. Godinat e improvizuara qëndrojnë në plan të dytë në krah godinave të reja arkitektësh të talentuar, shqiptarë a të huaj qofshin ata. Duket se i gjithë vendi, më në fund,  po merr ngjyrat dhe çehren që meriton, që i pat humbur rrugës, që ja pat mbuluar e tkurrur urrejtja që mbizotëronte me tejmasë.

Eshtë koha që për Shqipërinë të flitet me dashuri, ndërsa për shqiptarët shkatërrues aspak. Asnjë fjalë apo kritikë nuk duhet kursyer ndaj atyre që shkatërrojnë e që pengojnë zhvillimin e një vendi magjik dhe unikal. Shqipëria po shëron plagët e thella që ja krijuam ndër vite pa mëshirë, tani na takon neve ta kuptojmë atë që ajo kërkon të na thotë.

xy//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?