Politika shqiptare uron Kosovën për Pavarësinë! Rama: Gëzuar! Begaj e Nikolla: Jemi krah jush! Basha: Keni sfida, por do ia dilni

17 Shkurt, 09:58| Përditesimi: 17 Shkurt, 16:57

  • Share

TIRANË- Krerët e shtetit dhe përfaqësuesit e politikës shqiptare kanë uruar Kosovën në këtë ditë të veçantë, teksa feston 16-vjetorin e shpalljes së Pavarësisë.

Presidenti Bajram Begaj, kryeparlamentarja Lindita Nikolla e ministri i Jashtëm, Igli Hasani sigurojnë Kosovën se Shqipëria do të jetë gjithmonë krah saj.

“Dëshiroj t’ju siguroj se Shqipëria do të vijojë e vendosur angazhimin për të mbështetur Kosovën”, shkruan Begaj.

“Kosova është një prioritet kombëtar i Shqipërisë”, shkruan Nikolla.

Begaj dhe Nikolla e vënë theksin tek procesi i dialogut me Serbinë, si rruga e vetme drejt normalizimit të marrëdhënieve mes dy shteteve.

Kreu i shtetit ka një këshillë për qeverinë e Kosovës, për të cilën thotë se duhet të bashkëpunojnë ngushtë me aleatët strategjikë, SHBA-në dhe BE.

“Bashkëpunimi dhe koordinimi sa më i ngushtë me aleatët tanë strategjikë, SHBA-në dhe BE-në është thelbësor”, shkruan Begaj.

Një urim e ka pasur edhe kreu i PD, Lulzim Basha, i cili thotë se Kosova ka ende sfida përpara, por me mbështetjen e partnerëve do ia dalë me sukses.

Ora 10:44
Rama: Gëzuar Pavarësinë Kosovë

Kryeministri Edi Rama ka uruar Kosovën për 16-vjetorin e shpalljes së Pavarësisë së Kosovës.  

"Gëzuar Pavarësinë Kosovë", shkruan Rama. 

Ora 10:37
Kosova 16 vjet shtet i pavarur, Bardhi: Rrugëtim i ngritur mbi sakrifica, sfidat zgjidhen me mbështetjen e aleatëve

Deputeti demokrat, Gazment Bardhi ka uruar Kosovën për 16-vjetorin e Pavarësisë. Në një postim në Facebook, Bardhi shkruan se sfidat e Kosovës do zgjidhen me mbështetjen e partnerëve strategjikë.

“16 vjet shtet. Një rrugëtim i ngritur mbi sakrifica. Kosova është krenari e çdo shqiptari dhe burim shprese për triumfin e të drejtës mbi të keqen.

Krenar për çdo arritje dhe inkurajues për sfidat që e presin, për të cilat kam bindjen se do të realizohen falë mbështetjes së partnerëve strategjik. Gëzuar për çdo shqiptar”, shkruan Bardhi.

 

Ora 10:35
16 vjet shtet i pavarur, Meta: Ditë e veçantë, krenar që në çdo detyrë shtetërore kam mbrojtur interesin e Kosovës

Meta në pritjen në ambasadën e Kosovës në Tiranë

Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka ndarë një urim për 16-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës. Teksa ka ndarë një foto nga pritja e zhvilluar në ambasadën e Kosovës në Tiranë për festën e Pavarësisë, Meta shkruan se kjo është një ditë e rëndësishme për të gjithë shqiptarët.

Meta shkruan se ndihet krenar që në çdo detyrë shtetërore, mbrojtjen e interesit të Kosovës, e ka patur të parën.

“GËZUAR DITËN E PAVARËSISË KOSOVË E DASHUR!

Kënaqësi të merrja pjesë në ceremoninë e organizuar nga Ambasada e Republikës së Kosovës me rastin e Ditës të Pavarësisë. 17 Shkurti është një ditë shumë e rëndësishme jo vetëm për Kosovën dhe shqiptarët kudo në botë, por edhe për rajonin tonë, që ka përfituar më shumë stabilitet dhe siguri. Shteti më i ri në Ballkan në një kohë rekord është kthyer në një shembull për fqinjët për demokracinë funksionale dhe zgjedhjet e lira, për transparencën dhe luftën kundër korrupsionit, si edhe për politikat përfshirëse sociale.

I lumtur të isha pjesë e përpjekjeve për njohjen ndërkombëtare të çështjes të Kosovës në fillim të viteve '90 në bashkëpunim me Presidentin Rugova dhe Qeverinë e tij të Bujar Bukoshit. Krenar të isha një mbështetës i palëkundur i UÇK, që në orët e para të saj. Të paharruara do të jenë emocionet e forta që përjetova si rrallëkush tjetër nga eksodi biblik, drama e madhe humanitare në Kukës dhe mbi të gjitha nga mikpritja e rrallë e kuksianëve që kurrë nuk mund të përshkruhet me fjalë. Ndihem krenar që në çdo detyrë shtetërore që kam patur, mbrojtjen e interesit të Kosovës, e kam patur të parën. I lumtur t'i kundërvihesha projekteve tinzare për ndarjen dhe zhbërjen e Kosovës me duart e vetë shqipfolësve.

I lumtur të isha pjesë aktive e përpjekjeve të Qeverisë shqiptare për fitoren në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësise të Pavarësisë të Kosovës në vitin 2010. Kënaqësi e veçantë të shohim Kosovën të jetë sot kampione, jo vetëm në xhudo, por edhe në zgjedhje të lira dhe demokraci funksionale”, shkruan Meta.

Ora 09:46
16-vjetori i shpalljes së Pavarësisë, Nikolla: Kosova prioritet i Shqipërisë, dialogu me Serbinë rruga e vetme drejt paqes

1707244233_nikolla.jpg

Në 16-vjetorin e shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, kryeparlamentarja Lindita Nikolla ka ndarë një mesazh urimi. Nikolla shkruan se Kosova është prioritet kombëtar i Shqipërisë, ndërsa thekson se dialogu mes Kosovës dhe Serbisë është rruga e vetme drejt paqes.

“Shpallja e Pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt 2008, në Kuvendin e Republikës së Kosovës, është një ngjarje historike jo vetëm për Kosovën, por për të gjithë kombin shqiptar.  Liria dhe pavarësia e Kosovës janë rezultat i luftës dhe përpjekjeve të popullit të Kosovës, të mbështetura nga aleatët strategjikë të shqiptarëve, ShBA, BE dhe NATO.

Kosova është një prioritet kombëtar i Shqipërisë. Kuvendi, institucionet e vendit dhe gjithë qytetarët janë në krah të popullit dhe institucioneve të Kosovës në përballimin e sfidave të zhvillimit dhe integrimeve euroatlantike, të cilat arrihen në koordinim dhe me mbështetjen e aleatëve të mëdhenj, ShBA dhe BE.

Shqipëria mbështet integrimin e Kosovës në NATO, anëtarësimin në Këshillin e Europës  dhe në Kartën e Adriatikut, A5. Me mbështetjen e ShBA dhe BE, aleatëve strategjik të kombit shqiptar, e ardhmja evropiane e Kosovës është  e sigurt. Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë, i lehtësuar nga BE, është rruga e vetme drejt paqes, sigurisë dhe stabilitetit në rajon.”

Ora 09:37
VIDEO/ 16 vjet e pavarur, ministri Hasani: Festojmë sot lirinë e Kosovës, Shqipëria gjithmonë krah saj

Ministri i jashtëm Igli Hasani uron Kosovën për 16-vjetorin e Pavarësisë, ndërsa shkruan se Shqipëria do jetë gjithmonë krah saj.

Krahas urimit, Hasani ka ndarë edhe një video me momente nga shpallja e Pavarësisë së Kosovës dhe momente nga mbledhjet e përbashkëta me qeverinë e Shqipërisë.

“Gëzuar Ditën e Pavarësisë, Kosovë! Sot, ne festojmë lirinë e sovranitetin e Kosovës, por edhe përulemi për përpjekjet dhe sakrificat e jashtëzakonshme të vëllezërve e motrave tanë për një Kosovë demokratike, të sigurt e të begatë. Shqipëria ka qenë, është dhe do të jetë gjithmonë përkrah Kosovës dhe mbështetëse e promovuese e vendit që asaj i takon në strukturat europiane, euroatlantike dhe ndërkombëtare”, shkruan Hasani.

 

Ora 09:34
16-vjetori i Pavarësisë, Basha: Kosova ka ende sfida, me mbështetjen e partnerëve do ia dalë me sukses

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka uruar Kosovën për 16-vjetorin e shpalljes së Pavarësisë. Në një postim në Facebook, Basha shkruan se Kosova ka ende sfida përpara, por me mbështetjen e partnerëve do ia dalë me sukses.

“Gëzuar Pavarësinë Kosovë! 17 shkurti i vitit 2008 është padyshim një nga ngjarjet më të rëndësishme për shqiptarët që kurorëzon sakrificën shekullore të gjysmës së kombit për liri dhe pavarësi. 

Në këtë ditë të çmuar kujtojmë me nderim dhe mirënjohje të thellë kombëtare komandantin legjendar të UÇK Adem Jasharin, arkitektin e Pavarësisë presidentin Ibrahim Rugova dhe mijëra bij e bija të Kosovës që sakrifikuan jetën e tyre për në altarin e lirisë së Kosovës.

Jemi krenarë për zhvillimin dhe progresin që Kosova ka arritur në këto 16 vite. Ajo sot ka ende sfida përpara, por jam i bindur se me vendosmërinë, përkushtimin dhe pjekurinë e lidershipit politik të Kosovës në bashkëpunim dhe me mbështetjen e partnerëve strategjikë, SHBA, BE, Britanisë së Madhe, do t’ia dalë me sukses për të ndërtuar një shtet të fortë, të zhvilluar dhe të integruar në institucionet ndërkombëtare dhe euroatlantike.

Kjo është një ditë shumë e veçantë edhe për mua personalisht dhe atë pjesë të familjes sime që si mijëra të tjera u dëbuan nga trojet e tyre. Jam i lumtur për çdo ditë që i’a kam dedikuar çështjes së Kosovës dhe falenderoj Zotin që ma ka dhënë mundësinë për ta bërë këtë edhe si një amanet i përcjellë brez pas brezi, sikundër sa të kem forcë dhe mundësi do të jem në krah të Kosovës për të ndihmuar në suksesin e saj. Gëzuar Kosovë e shtrenjtë! Gëzuar shqiptarë kudo në botë”, shkruan Basha.

Ora 08:53
Kosova feston Ditën e Pavarësisë, Begaj: Ditë e veçantë, Shqipëria gjithmonë krah jush

1706105722_bajrambegaj.png

Presidenti Bajram Begaj ka uruar Kosovën për 16-vjetorin e Pavarësisë, ndërsa shpreh mbështetjen e Shqipërisë. Për Begajn, kjo është një ditë e veçantë që shënon kurorëzimin e ëndrrave të popullit shqiptar, të Kosovës për liri dhe pavarësi.

“Dëshiroj t’ju siguroj se Shqipëria do të vijojë e vendosur angazhimin për të mbështetur Kosovën. Ne do të vijojmë të punojmë për njohje të vazhdueshme ndërkombëtare dhe bashkërisht të promovojmë paqen dhe stabilitetin në rajon, si dhe të mbështesim aspiratat e popullit shqiptar për një të ardhme më të begatë”, shkruan Begaj.

Presidenti thotë se Kosova është histori suksesi në Ballkan në respektimin e të drejtave të njeriut, ndërsa theksin e vë tek dialogu me Serbinë duke shtuar se është rruga e vetme për arritjen e paqes dhe normalizimit të marrëdhënieve mes dy vende.

Një këshillë, Begaj e ka për qeverinë e Kosovës, për të cilën thotë se duhet të bashkëpunojnë ngushtë me aleatët strategjikë, SHBA-në dhe BE.

Urimi i plotë i Begajt

Sot është ditë e veçantë për të festuar. 17 shkurti shënon kurorëzimin e ëndrrave të popullit shqiptar, të Kosovës për liri dhe pavarësi. Pavarësia e Republikës së Kosovës hapi një faqe të re në historinë e kombit shqiptar.

Shqiptarët do t’u jenë gjithnjë mirënjohës miqve tanë Euro-Atlantikë që na ndihmuan dhe na mbështetën në realizimin e aspiratave shekullore. Ndërhyrja e NATO-s në vitin 1999 shënoi kthesën vendimtare për popullin shqiptar dhe qytetarët e Kosovës.

Faleminderit atyre që iu ndodhën pranë kombit shqiptar dhe zgjodhën veprimin, jo indiferencën ndaj Kosovës. Kjo ditë është rast shumë i mirë për të nderuar e vlerësuar të gjithë ata që kontribuuan në pavarësinë e Kosovës,  që nga Presidenti largpamës dhe i paqtë i saj, z. Rugova, deri te heronjtë e UÇK-së, e veçanërisht familja e Jasharëve, e cila është shndërruar në simbolin e luftës për çlirim.

Lindja e shtetit më të ri në Evropë ishte një sfidë, por vetëm në më pak se dy dekada, Kosova ka bërë hapa të jashtëzakonshëm në ndërtimin e institucioneve dhe të një shoqërie demokratike dhe multietnike.

Përmes përpjekjeve, arritjeve dhe shumë vështirësive Kosova ka sot një perspektivë zhvillimi dhe begatimi në horizont. Sot Kosova është histori suksesi në Ballkan në respektimin e të drejtave të njeriut, me kulturën e saj të gjallë dhe energjinë rinore të një populli që sheh përpara.

Kosova, shtet i pavarur, është një faktor pozitiv, paqedashës dhe i rëndësishëm për sigurinë në rajonin tonë. Jemi dy shtete, por një komb me një gjuhë e një kulturë. Ne duhet ta shfrytëzojmë këtë mundësi të artë për të treguar se jemi të aftë të ndërtojmë shtete moderne sipas parimeve demokratike të mirëqeverisjes.

Marrëdhëniet dhe bashkëpunimi midis dy shteteve tona janë natyrshëm strategjike, me rëndësi të patjetërsueshme dhe me një rol unik për stabilitetin, sigurinë, zhvillimin e qëndrueshëm dhe perspektivën tonë të përbashkët Euro-Atlantike e të të gjithë rajonit. Bashkëpunimi duhet të theksohet në aspektin ekonomik dhe në përmirësimin e jetës së përditshme të qytetarëve tanë.

 Ekonomitë e vendeve tona duhet të jenë komplementare teksa shfrytëzojnë avantazhet krahasuese për të qenë më konkurrentë në rajon e më gjerë. Natyrisht, në kontekstin e një situate sigurie të përkeqësuar në botë, prioritet duhet të marrë bashkëpunimi në fushën e sigurisë.

Sulmi terrorist kundër policisë së Kosovës në Banjskë, i pak muajve më parë, tregon se sa e brishtë është paqja dhe siguria në rajon. Bashkëpunimi dhe koordinimi sa më i ngushtë me aleatët tanë strategjikë, SHBA-në dhe BE-në është thelbësor. Po me kaq rëndësi është edhe dialogu midis Kosovës dhe Serbisë.

I ndërmjetësuar nga BE-ja dhe i mbështetur fuqishëm nga Shtetet e Bashkuara, vazhdimi i dialogut është rruga e vetme drejt paqes, normalizimit të marrëdhënieve, si dhe anëtarësimit të Kosovës në organizata rajonale dhe ndërkombëtare.

Dëshiroj t’ju siguroj se Shqipëria do të vijojë e vendosur angazhimin për të mbështetur Kosovën. Ne do të vijojmë të punojmë për njohje të vazhdueshme ndërkombëtare dhe bashkërisht të promovojmë paqen dhe stabilitetin në rajon, si dhe të mbështesim aspiratat e popullit shqiptar për një të ardhme më të begatë.

SI.E.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?