Një emigrant shqiptar në Greqi është bërë hero, pasi ka shpëtuar nga mbytja dy të mitur që kishin hyrë për tu larë në lumin Arachthos- në zonën e Neokorit të Artës, duke rrezikuar jetën e tij.
Në një intervistë për mediat greke Levian Goga me lot sy ka rrëfyer atë se çfarë ndodhi. Sipas dëshmisë së Gogës, ai ndodhej në një kafene kur dëgjoi një fëmijë që bërtiste për ndihmë, duke treguar se dy të mitur po mbyteshin në lumë. Pa hezituar asnjë çast, ai u nis me makinë drejt vendit të ngjarjes dhe, pasi nuk pa asgjë nga bregu, u fut në një varkë me banorë të tjerë dhe u zhyt në ujë.
“Nuk më intereson kush janë, çfarë race, çfarë feje. Unë jam i huaj, por jam qenie njerëzore. U zhyta rreth metra thellë. E pashë fëmijën në fund të lumit, i palëvizshëm, i nxirë. E kapa me forcë dhe e nxora. Pastaj më thanë se kishte edhe një tjetër. U zhyta sërish, disa herë, derisa e gjeta. Edhe ai kishte gjak në gojë dhe hundë. U frikësova,” tregoi ai me zë të dridhur.tha ai për mediat greke, ndërsa qëndronte në radhën e urgjencës në spital, me këmbën e thyer nga përpjekja për të nxjerrë fëmijët nga uji i thellë dhe i turbullt.
Shqiptari thekson se në atë moment nuk kishte menduar asgjë tjetër veç t'i shpëtonte, ndërsa nënvizon se bëri atë që do të bënte çdo prind.
“Njëri prej fëmijëve ishte në moshën e vajzës sime. Nuk mendoja për asgjë tjetër, vetëm për t’i shpëtuar. Bëra atë që do të bënte çdo prind,” tha ai, ndërsa kërkonte të kthehej në shtëpi për të qetësuar fëmijët e tij që, të shqetësuar, e prisnin me lot në sy.
Për komunitetin, Levian Goga është një hero i heshtur. Por për veten e tij, ai është vetëm një baba që rastësisht ndodhej aty dhe bëri atë që e ndjeu në shpirt.
“Shpresoj vetëm që ata të jetojnë. Të zgjohen. Të kenë jetën që u takon,” tha ai, pak para se të mbyllte telefonatën me gazetarin, ende duke pritur në urgjencë.
Ngjarja ndodhi në një nga zonat më të rrezikshme të lumit Arachthos, ku uji krijon vorbulla të thella dhe rryma të forta. Banorët e zonës kanë denoncuar më herët mungesën e masave mbrojtëse, barrierave apo tabelave paralajmëruese një neglizhencë që, sipas tyre, mund të kishte sjellë një tragjedi të madhe.
Komente
