Speciale

‘Shtëpia e artistit’, Rada rrëfen përndjekjen e kolegëve në diktaturë: Nga biseda me Gjergon pas burgut te Kristaq Rama në studio, e miqësia e shkuar me kryeministrin

22 Shtator 2022, 22:18| Përditesimi: 22 Shtator 2022, 22:34

  • Share

Dikur, në kohën e mbretit Zog kjo zonë quhej Lagjia e Tregëtarëve. Diktatura ia ndërroi faqen e një tjetër histori u shkruajt në të si Blloku i Ambasadave. Qe sistemi që vendosi se cili do të qe fati i të rriturve e të rinjve që rriteshin në këtë rrugicë. Pirro Kuqi, Ismail Spahija, Nikolla Zoraqi, e bukura Marçela, Radajt e Plavës së Malit të Zi…, askush nuk kishte asgjë në dorë, veçse të gjente një mënyrë për të mbijetuar… Dikush u kap pas poezisë, dikush pas muzikës a pikturës, pa ditur se arti e letërsia i çonte në ballë të një lufte ekzistenciale, asaj të lirisë së shprehurit.

Jetë të mohuara, vepra të ndaluara, burgime, internime, shumë artistë shqiptarë nuk mundën t’i shpëtojnë grackës së komunizmit. Ndërsa, kundër kurthit të harresës, skulptori Agim Rada, ka çelur në vilën e tij një strehëz të kujtesës, “Shtëpinë e artistit”.

Llambushka prej granatash, arka fishekësh, helmeta, histori të artistëve viktima, e mbi të gjitha piktura murale e artistit Rada që plotëson simbolikën e komunizmit. Një lloj “guernike” moderne brenda një dhomëze, me një der që qëndron e kyçur. Në të imazhi i Burgut të Spaçit, i fiksuar gjatë revoltave.

Për vitet e burgut të babait, për ëndrrat a jetët e ndërprera të miqëve të tij e lirinë e munguar, Rada sjell një copëz të atij realiteti, të cilit ai vetë i rikthehet herë pas here.

Në faqen e madhe të murit, drejt “Ngjyrave të ndaluara”, në qendër është Epika e Yjeve të Mëngjësit. Vepra e firmosur e Edison Gjergos me sfondin e Luftës Antifashiste, që shënoi fatin e trishtë të piktorit, sepse atmosfera e pikturës nuk i përcillte sistemit entuziazmin, gjallërinë që si absurd duhet të kishte ky pushim mes betejash… Në mesin e viteve ’75, artisti u dënua. Duart që pikturonin, u vunë mes prangash, e u burgos për 8 vite me radhë.

Ishte e pamundur që të mos pikasej tendenca artistike e Gjergos që çlironte një frymë moderne nga kolegët e aq më pak qëndrimi i tij larg servilizmave, kompromiseve e shërbimeve partiake në emër të artit. Rada e kujton Gjergon para e pas burgut. E rrëfen të tjetërsuar në 1982-shin, kur artisti doli nga burgu.

Nga Musine Kokalari, Petro Marko, Havzi Nela, Visar Zhiti, në këndin e “Ngjyrave të ndaluara”, artistët që u dënuan me pretendimin se propaganduan a iu kundërvunë regjimit janë shumë më shumë. Por, a kishte në atë kohë hapësira që të bëhej realisht disidencë…

Padyshim që një personazh si Maks Velo, është vështirë ta imagjinosh tek i përshtatet rregulave të ngurta të diktaturës. Rada ka qenë një prej nxënësve të tij, kur ai jepte lëndën e Perspektivës. është e dhimbshme sipas tij, bashkëpunimi i kolegëve në dënimin e arkitektit.

Maksi u akuzua akuzua për modernizëm dhe dekadencë, deri edhe nga vetë kolegët e tij, ndonëse siç pohon Rada në atë kohë ishte e vështirë që me vetëdije të guxoje të thyeje kornizat e realizmit socialist.

Ishte një sistem i mbrapshtë thotë skulptori, jo vetëm tek artistët por gjithëpërfshirës. Një laborator eksperimental ku njerëzve u imponohej ideologjia komuniste, ku investohej në shpërndarjen e farës së saj, pavarësisht kostos që mund të kishte.

“Nga buka jonë e gojës bëheshin kopertinat e veprave te enverit ku ska asnjë fjalë te mençur.”

Por a ishte kaq imponues edhe shërbimi ndaj sistemit, deri dhe vetë spiunazhi? Dosjet e zbardhura kanë nxjerrë një sërë emrash artistësh, që dëshmuan kundër, apo raportuan bisedat me kolegët e tyre. Të tjerë artistë mandej që firmosën deri edhe për dënimin me vdekje të vetë kolegëve të tyre. A kishin ata zgjidhje tjetër?

Rada e shikon të padrejtë mbushjen e faqeve të gazetave me disidentë të rremë, që sipas tij, s’kanë qenë tjetër veçse të përkëdhelur të regjimit. Ndërsa ata pak që nuk e gëlltitën farën komuniste sipas tij, lihen në hije.

Komunizmi arriti t’i ndajë artistët në viktima, bashkëfajtorë, apo diku në mes të dyja realiteteve që krijonin një të vetëm, privimin e tyre nga liria. Ndër skulptorët me të cilët ka punuar Rada është edhe artisti Kristaq Rama, për të cilin ai ndan mbresat e tij.  Kujton punën në studion e tij, ku vinte edhe i biri, sot kryeministri Edi Rama, me të cilin asokohe kishin një raport miqësor.

E dëshmon miqësinë me Ramën edhe dedikimi që ai i bën në librin e Kandinskit  “Mbi shpirtëroren në art”. Libri u përkthye nga Rama në vitin 1997, i shoqëruar me një pasthënie të tij. Në 14 prill të vitit 1999, kur ishte ministër Kulture, Rama ia dhuron një kopje Radës, që në “Refleksionet” e tij e konsideron si “skulptorin bohem të rrugëve të Tiranës”.

Faximile

“Gimit, si një kujtim nga një kohë e mbushur me aventura që s’kthehet më., e që bashkë me errësirën e vet dëshpëruese, na fali plot shkëndija të hareshme, në homazh të të cilave është përgatitur edhe ky botim. Me mirënjohje për sa më mësoi asokohe nga jeta, Edi”, nënshkruan ai.

I trazohen kujtimet Gim Radës, teksa përshkon tanimë muzeun homazh ndaj artistëve, që vuajtën më ashpër dorën e pinjollëve të diktaturës. Dhe është i vetëdijshëm, që në faqet e atij muri, do të duhet të shkruhen edhe shumë emra të tjerë.

 E plotëson skicën e dhimbjes që shkaktoi diktatura, me veprat e tij të ndara në dy kohë. Brengën e dënimit të shokëve, e shohim të ngrejë krye në një pikturë të ‘75-ës, bërë me fajazit, në një lloj kartoni që prodhohej në “Misto Mame”. E ka ruajtur deri në vitet e para ’90 në çatinë e shtëpisë.

Në muret e shtëpisë muze, marrin jetë refleksionet e artistit nën yje. Njësoj kërkon t’i ndriçojë emrat e atyre personaliteteve që u dënuan nga ai sistem, por edhe të kujtojë jetën përtej skenës së artit. Një puthje të ndaluar, apo të bukurën Marçelë, që u shfaqej si dezhavu e jetës së ëndërruar. 

Do të donte ta këpuste zinxhirin e diktatit, por murali i tij, i rrëfen edhe post ’90-ës. Në një britmë të Kalit, si simbol i pafuqësisë së popullit, për të kthyer rrotën e fatit, e ti japin Shqipërisë një fytyrë perëndimore.

Metamorfoza që pësojnë udhëheqësit e vendit në të dyja kohët është e ngjashme e shpërfytyrimi moral i lidërve del në sipërfaqje. E megjithatë, padrejtësitë sipas tij nuk do t’i shpëtojnë, së paku syrit të historisë…

//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?