Foto ilustruese

Periferi

Shteti bëhet me rregulla, por sidomos me zemër... (një ngjarje në Vlorë)

2 Korrik 2018, 11:48| Përditesimi: 2 Korrik 2018, 12:01

  • Share

Avokat Idajet Beqiri shkroi si të ishte një qytetar i thjeshtë në mesazhet në facebook të Report TV:

Ndihmoni këtë nënë. Ka një urdhër mbrojtje nga bashkëshorti, por policia e Vlorës nuk e ndihmon. Ai ka lokal të shtrenjtë në Vlorë, ka para, tallet me të e me policinë bashkë...

Avokat Idajet Beqiri

Nëna e tre fëmijëve të mitur është në konflikt me bashkëshortin dhe gjykata i ka dhënë asaj urdhër mbrojtje. Për fat të keq, sjelljet e të mëdhenjve rëndojnë mbi të vegjëlit në radhë të parë, por shteti, të paktën si masë mbrojtje i ka dhënë një vendim gjykate gruas. E dimë të gjithë, kemi parë të përsëritura e të ripërsëritura ngjarje të tmerrshme ku urdhëri i mbrojtjes shpesh nuk mjafton dhe prindërit, për një arsye apo një tjeter dhune, tregimi force, përfundojnë në polici. Kjo i ka ndodhur nënës së tre fëmijëve të shtunën. Fëmijët e saj janë marrë pa leje nga bashkëshorti e pa dijeninë e saj nga kopështi e çerdhja. Ngjarja ka vënë nënë në alarm dhe e ka çuar atë në policinë e Vlorës. Policia nuk ka marrë kallëzim. Policia vetëm sot të hënën (ku ndërkohë mund të ndodhte çdo gjë) sqaron se e ka bërë në të vërtetë një gjë të tillë.

Por nëna e re, pas kthimit nga komisariati të shtunën ka bërë edhe një telefonatë ku ka kërkuar llogari “pse nuk më merrni denoncimin, përse tallen me mua në polici”. Shpresojmë që e gjitha kjo skenë nuk ka qenë e vërtetë. Urojmë që avokati, nëna, ne të Report TV të jemi nxituar e të kemi bërtitur më kot për një masë që policia e Vlorës e ka ndjerë për detyrë ta bëjë, siç ka thënë sot. Dhe kjo na mjafton për t’u ndjerë të gjithë më të qetë. Por nëse kështu nuk ka ndodhur? Po nëse është e vërtetë që bashkëshorti ka shkuar dhe është tallur me bashkëshorten e saj edhe para policëve të shtunën dhe ata s’kanë bërë asgjë? Urojmë sërish një Jo të madhe. Ashtu siç dëshirojmë që të vijë një ditë kur çdo nëpunës i thjeshtë i shtetit tonë të vogël e të varfër, të ngrihet në këmbë kur në derë i troket një njeri i brishtë: një grua e dhunuar, një fëmijë, një i moshuar, një i sëmurë, një person me aftësi të kufizuar. Në median tona, është hera e dytë në një javë që na duhet “të bërtasim” në mbrojtje të personave më të brishtë të shoqërisë, sepse në spital, në vend që të vrasin mendjen, të hapin zemrën e të gjejnë zgjidhje, e kanë kollaj të thonë: s’bëhet! Në polici, gjithashtu.

Kur kanë përballë një të fortë dhe të të dobët, të dobëtin e bëjnë gjithçka, deri të çmendur, pa kuptuar në asnjë moment se “të çmendur” të bëjnë vështirësitë absurde, ekstreme e një strukturë sociale që  në vend që të punojë me zemër, bën matematikë e llogari se sa fiton. Nëpunësit e Shtetit duhet të ndjehen krenarë dhe të privilegjuar që shërbejnë. Vetëm atëherë mund të jemi të gjithë më të qetë. Edhe babain e dëshpëruar të Vlorës, nëse do të kishte sociologë të aftë e talentuar, dikush duhet ta marrë përdore e t’i ulë egon e krijuar me pasuri e me të mira të ekzagjeruara e t’i shpjegojë se as fëmijët dhe as gruaja nuk mund të jenë pronë. Se vetëm harmonia, dashuria, respekti, mirësia janë zgjidhje për një bashkëjetesë të mbarë, qoftë dhe të ndarë. Kush jam unë e kush je ti, tashmë janë ego të së kaluarës, jo të njeriut të qytetëruar. Por të gjitha këto, një çifti në konflikt, dikush, me durim e profesionalizëm duhet t’ua thotë. Policia, nëse nuk është në gjendje të logjikojë në raste të tilla, të kërkojë ndihmë, por ama të veprojë: me shpejtësi, profesionalizëm e durim. Ndryshe, i kemi parë, pasqyruar e treguar shumë vonë raste të ngjashme si kjo.

Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Jeni dakord që prokurorët e SPAK të kenë mundësinë për një mandat tjetër?