Presidenti i Francës Emmanuel Macron pritej të mbërrinte në vendin tonë mëngjesin e sotëm por ai do të jetë i pranishëm në takimin e Procesit të Berlinit vetëm gjatë pasdites së këtij samiti. Ndërkaq ditën e nesërme do të zhvillojë vizitën zyrtare në Shqipëri, gjatë së cilës do të takohet kokë më kokë me homologun, Bajram Begaj në presidencë.
Axhenda e vizitës së Macron në Presidencë
Për herë të parë, vendi ynë do të vizitohet zyrtarisht nga një president Francez. Presidenti i Republikës së Francës, Emmanuel Macron, do të zhvillojë një vizitë zyrtare në Shqipëri.Nesër më 17 tetor 2023 Presidenti francez do të takohet me Presidentin e Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj.
Më poshtë agjenda e vizitës në Presidencë:
8:25 -Mbërritja e Presidentit të Republikës Franceze në Institucionin e Presidentit të Republikës.
Presidenti i Republikës franceze do të pritet nga Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Bajram Begaj.
-Interpretohet himni kombëtar francez;
-Interpretohet himni kombëtar shqiptar;
-Kryhet kalimi para truprojës së nderit;
-Dy krerët e shteteve prezantojnë ekipet e tyre respektive.
Presidenti i Republikës së Francës ftohet të nënshkruajë në librin e të ftuarve.
Në hollin ”Nënë Tereza” do të bëhet fotoja zyrtare.
08:35 – 09:05 - Takim kokë më kokë mes dy presidentëve.
Presidenti francez Emmanuel Macron ka mbërritur në aeroportin e Rinasit në Tiranë rreth orës 19:30. Për ta pritur ka dalë zv.kryeministrja Belinda Balluku për shkak se kryeministri Edi Rama ndodhet në samitin e Procesit të Berlinit që është drejt përfundimit të punimeve.
Presidenti francez Emmanuel Macron, do të nisë vizitën e tij të parë zyrtare në Shqipëri, këtë mbrëmje me dorëzimin e dekoratës më të lartë të Republikës së Francës "Oficer i Madh i Legjionit të Nderit" për shkrimtarin e shquar shqiptar, Ismail Kadare, në një ceremoni që do të zhvillohet sonte në orën 20.00 në Pallatin e Brigadave.