Komedia e Shekspirit “Shumë zhurmë për asgjë” do të vijë premierë me regji nga Carlo Sciaccaluga duke filluar nga 31 marsi në Teatrin Eksperimental “Kujtim Spahivogli”. Komedia është përkthyer nga Alqi Kristo dhe do të ngjitet në skenë me aktorët Myzafer Zifla, Elidon Alika, Kristian Koroveshi, Alert Çeloaliaj, Genci Fuga, Gjergj Mena, Endri Çela, Xhuliano Brisku, Frençeska Hysi, Esela Pysqyli dhe Ina Morinaj.
Komedia “Shumë zhurme për asgjë” i përket periudhës së pjekurisë së Shekspirit dhe futet në llojin e komedisë së zakoneve, me subjekt satirik dhe problemor. Motivi në të cilin mbështet kjo komedi është i njohur që në antikitet dhe rishfaqet në mjaft autorë të kohës së Shekspirit : ai njihet si motivi i "kipcit" ose i ngatërresës që vjen si pasojë e ngjashmërisë fizike mes dy personazhesh të ndryshme.
Në komedinë e Shekspirit "ipci" shkakton rënien në kurth të djaloshit, i cili mashtrohet nga një grua që për nga pamja ngjan si e dashura e tij. Fabula pastaj shtjellohet nga Shekspiri krejt lirshëm dhe në përshtatje me shijet e tij estetike. Dy djelmosha, Benedikti dhe Klaudi, ndodhen për vizite të guvernatori i Mesinës, princi Leonato që është babai i Heros dhe xhaxhai i Beatriçës.
Ndërsa Klaudi bie në dashuri me vajzën e guvernatorit dhe përgatitet të martohet me të, Benedikti dhe Beatriçja nuk rreshtin se ngacmuari e së talluri me njëri-tjetrin, herë më të mirë e herë më të keq. Miqtë e tyre vendosin t'u punojnë një rreng, në mënyrë që t'i bëjnë të bien në dashuri dhe këta të dy. Si të gjitha komeditë e Shekspirit, “Shumë zhurme për asgjë” është e mbushur me veprim dhe me të papritura, me kthesa të befta të subjektit. Ndryshe nga tragjedia, këtu të mirët shpërblehen kurse të ligjtë marrin ndëshkimin e merituar: ndërkohë dy çiftet vënë kurorë të lumtur, dy prishësit e kësaj feste ndëshkohen siç e meritojnë.
Ama ndëshkohet gjithashtu edhe mendjelehtësia e Klaudit, i cili për një dyshim të çastit e flaku tutje si leckë të zgjedhurën e zemrës, për çka ai nuk e fitoi simpatinë e spektatorit. Tërheqës deri në fund mbeten "grindavecët" e lumtur Beatriçja dhe Benedikti të cilët jo vetëm e mbushin me hare spektaklin me batutat e tyre të kripura, por tregojnë se në rast nevoje dinë të jenë seriozë dhe të përkushtuar në miqësi, përderisa i dalin zot me të gjitha mjetet që kanë në dorë Heros së poshtëruar. Po prapë nuk duhet bërë shumë zhurmë, se jeta kështu e ka: djemtë teveqelë gjithmonë marrin vajzat më të mira.
Ata jetuan të lumtur në fund të fundit dhe mbetën gjithmonë të qeshur. Tema e kësaj komedie është e përjetshme: mashkulli ka nevojë për femrën dhe anasjelltas. Kjo dihet. Por ajo çka Shekspiri na thotë, ndoshta mbi të gjitha, në këtë komedi, është kjo: triumfi i qenies njerëzore arrihet kur i besojmë inteligjencës, fantazisë, lirisë së mendimit praktik. Ngurtësia është vdekje, dakordësia me vetveten përtej limiteve është shpesh edhe shenjë idiotësie. Në fakt, tragjedia rrëfen fatin e një individi të paaftë për të ndryshuar realitetin e tij, dhe arrin deri aty sa të shkatërrojë vetë botën në të cilën jeton, ndërsa komedia rrëfen fatin e një komuniteti që, duke ndryshuar, e përmirëson jetën për gjeneratat e ardhshme”