Bamir Topi dhe Sali Berisha

Shuplaka e Bamir Topit!

26 Shkurt 2021, 10:18| Përditesimi: 26 Shkurt 2021, 10:22

  • Share

Lajmi që qarkulloi në media se partia “Fryma e Re Demokratike” po lidhte koalicion parazgjedhor me Partinë Demokratike, habiti jo pak njerëz. Kjo për faktin se deri ditën kur përfundonte depozitimi në KQZ i koalicioneve, askund nuk kishte dalë në skenë emri i FRD-së. Edhe në takimet që lidershipi demokrat po bënte aktivisht me partitë e tjera gjatë javëve të fundit, kjo parti nuk diskutohej në planet e koalicionit.

Habia shtohej për vetë faktin se kryetari i kësaj partie, presidenti Bamir Topi, i kishte shkëputur marrëdhëniet me PD-në qysh përpara 10 vitesh. Por, teksa në orët e vona shkallët e selisë së SHQUP-it po i ngjiste një përfaqësues i linjës së dytë të kësaj partie, kuptohej që diçka nuk shkonte në këtë mes. Një akt të tillë kaq solemn i takonte ta bënte vetëm presidenti Topi.

Në këtë rast duhet që të mos nxitohesh për të nxjerrë përfundime, aq më tepër që punët e natës, e mira është që të analizohen kur të zbardhi dita. Megjithatë, disa analistë nuk përtuan që po atë mbrëmje të thoshin që “presidenti Topi e ka pranuar emrin në listën e PD-së, bile edhe nga fundi i saj”!!!

Dhe dita erdhi me një dorëheqje nga presidenti Topi. Kryesia e partisë që ai kishte themeluar dhe drejtuar deri në ato momente, kishte vendosur që të lidhë koalicion me PD-në. Kjo praktikisht ka rënë në kundërshti me vullnetin e kryetarit të partisë. Por ai, në përmbushje të një vendimmarrje të shumicës, ka vendosur ta respektojë mendimin e tyre dhe i gjendur në pakicë, zgjodhi formën më demokratike (njësoj si emri i partisë), duke dhënë dorëheqje të “menjëhershme e të pakthyeshme”.

Kushdo që e ka ndjekur historikun e politikës këto 10 vitet e fundit, specifikisht pas datës 21 janar 2011, e kupton fare lehtë që, mali me mal takohen, po presidenti Topi me Partinë Demokratike, sa kohë aty të jenë bashkë, Sali Berisha dhe Lulzim Basha, kurrën e kurrës.

Më 21 janar 2011, presidenti Topi jo vetëm u konsiderua si “Horr Bulevardi” prej kryeministrit Berisha, por gjithashtu u fut prej tij edhe në Grupin Puçist, së bashku me kryetarin e opozitës, kryeprokuroren, kryetarin e SHISH-it dhe tri analistë shtypi. Nuk ka fyerje më të madhe për një Kryetar Shteti që në cilësinë e Komandantin e Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, ta akuzosh padrejtësisht si PUÇIST, me një fjalë, autor në Grusht Shteti. E gjitha ndodhi vetëm për faktin se presidenti Topi kërkoi hetim të menjëhershëm dhe të plotë të vrasjeve në bulevard.

Si do mundet të lidhte koalicion presidenti Topi me Lulzim Bashën, i cili, më 21 janar 2011 ndodhej në të njëjtën godinë, në të njëjtin kat, në të njëjtën zyrë me kryeministrin Berisha, zyrë nga e cila erdhën edhe urdhrat për të vrarë në bulevard?

Si mundet që presidenti Topi të lidhte koalicion me Lulzim Bashën, kur ai është autor i librit “Nocturn” (Kur arsyeja errësohet nga pushteti), libër i cili i bën një skanim të të gjitha veprimeve kriminale që ndërmori dyshja Berisha-Basha për të fshehur krimin e 21 janarit?

Në atë libër del në pah se si Berisha e Basha janë pengje të njëri- tjetrit, sepse veprimtaria kriminale që kanë konsumuar ka qenë e dyanshme, me dijeni të të dyve dhe po ra njëri, digjet edhe tjetri.

Ndaj, presidenti Topi vendosi që të ruaj të paprekur imazhin e ndërtuar prej tij, atë të një qytetari plot dinjitet, i cili nuk pranoi që të këmbejë një vend në listën e PD-së, duke lëpirë atë që kishte pështyrë më parë në librin e tij. Dhe “pështyma” e presidentit Topi, në këtë rast, ishte në fakt një e vërtetë e madhe, një aktakuzë e pashpallur, nga një dëshmitar okular i ngjarjeve tragjike të 21 janarit 2011, por që drejtësia e blerë e Berishës i mbylli me dënime qesharake pa shkuar tek fajtorët e vërtetë.

Presidenti Topi meriton mirënjohje dhe falënderim të madh prej çdokujt që beson tek vlerat e mira njerëzore dhe tek ndershmëria për t’i qëndruar besnik parimeve të veta. Ishe dhe mbete qytetar në kuptimin e plotë të kësaj fjale. Faleminderit president Topi!

J.GJ./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Ben: 26/02/2021 17:29

    Top ngelet Top dhe jo bole e varur ne qsfe te Berishes e Bashes

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?