Si e 'prishi zinë' kënga për Enverin?!

18 Shtator 2023, 18:15| Përditesimi: 18 Shtator 2023, 18:17

  • Share

Mesprilli i ’85-s i shekullit që shkoi, nuk e di pse më gjeti në Vlorë. Sapo kisha filluar punë si korrespondent i “Bashkimit” për Lushnjën, Durrësin e Krujën. Ai muaj i bukur sikur nisi ndryshe nga herët e tjera. Më kërkonin me këmbëngulje nga Tirana. Duhej të shkoja urgjent në Gorre të Myzeqesë, e konkretisht te xha Lazja i famshëm i Tapive të para të tokës. Ia kish dhënë vetë me dorë Udhëheqësi pas Çlirimit ! Mbetën sot e kësaj dite fotot, filmat dokumentarë, shkrimet etj. kujtime jo dosido. Në dalje të qytetit të Flamurit, te ish-Agjencia e Udhëtarëve, po kërkoja ndonjë makinë të rastit. Duke ecur gjatë rrugës me palma e pallate dy a trekatëshe, befas shpërthyen kujet dhe vajet labërishte të nënave. Sidomos nga apartamentet me dritare të hapura. U trondita jo pak. Qanin me ligje për ikjen e Komandantit! Lajmin e hidhur e mësuan nga “Radio Tirana”. Prilli u tjetërsua menjëherë në muaj të përzishëm.

Një zi kombëtare e veçantë. Jo si ajo për Stalinin, që lexuam ditët e fundit: E kishin paguar shtrenjtë koston mjaft nga ata që nuk shtynë datën e dasmës. Disa u përjashtuan nga Partia e Punës! Të tjerë morën masa të rënda me shënim të posaçëm në Kartën e Regjistrimit. Kur ndesha edhe emrin e diplomatit të shquar gjirokastrit, Reis Malile, provova një shije dëshpëruese, e pse jo zhgënjyese. Kishte pësuar mbi shpinë një lloj persekucioni politik paradoksal. Ja, i vetmi “faj”: Përse u martua atë ditë?! Mos ishte tallur me vdekjen e Stalinit, ky ish-partizan i kulluar i Luftës Antifashiste Nacionalclirimtare? Megalomani apo miopi politike e ideologjike, mendjelehtësi apo vënie e interesit personal mbi “zinë botërore” të Lindjes e gjetkë?!

Për herë të parë dhe të fundit, atë burrë të nderuar e fisnik, unë e takova gjatë një seance gjyqësore për Nanon etj.në Kryeqytet. Ishte thirrur si dëshmitar. Para tij, ne gazetarët dëgjuam edhe ndonjë ish funksionar e bashkëpunëtor i ministrit të Jashtëm. Fjalët e tyre as mish e as peshk, dredharake e kulpërake, shkaktuan edhe lëvizje karrigesh e ca të qeshura tallëse nën zë në sallë. Por, hyrja e dinjitozit Malile, kërkesa e tij paraprake(e vetme) për t’iu dhënë dorën Ramiz Alisë e Fatos Nanos te tavolina e të pandehurve dhe me pranga të hequra, la gjurmë në pak sekonda. Pastaj dëshmoi shkurt, qartë, pa iu dridhur qerpiku, saktë e pa asnjë ekuivok.

Edhe miza të kalonte në sallë, do dëgjohej. Vëmendja e gazetarëve, avokatëve, të pandehurve e të ftuarve të tjerë, ishte maksimale. Kur u bë një pushim i shkurtër, duhanxhinjtë dolën të parët në korridor. Reis Malile rrinte në vetmi. Vendosa t’i flas dhe i shtrëngova dorën plot domethënie. Kur i thashë se kam vëllain diplomat, më përqafoi fort dhe mu drejtua sy më sy: Të njoh nga gazetat, të falenderoj shumë që më fole, more djalë ! Soji i mirë mbetet i mirë…Ndërsa të nesërmen, në “Koha Jonë”, kujtoj një prononcim të Nanos, një batutë që u kundërvihej ethebutëve nëpër kolltuqe, dule lëshuar një përgjigje për Reizin: “Brezi i Luftës nuk e ndërron kollaj kostumin!”…

38 vite më parë, në Shqipëri nuk kishte pllakosur zia e bukës. Dhe as “lanë të vdekurin dhe shkuan në dasmë”! Mirëpo, ai vit zie nuk harrohet. Dashuria dhe dhimbja e shumicës për Enverin ishte reale. Dokrrat që zbrazen sot nga ca kalemxhinj faqezinj e që hiqen “demokratë” agimi e akshami, nuk pinë ujë. Brezat janë ende gjallë dhe ato aguridhe mediatike që abuzojnë llahtarshëm me lirinë e fjalës, u duken si tollumbace mbi një shkretëtirë gënjeshtare. Dhe nuk pyesin hic për qindra kronika, reportazhe, intervista, filmime, shkrime personale me emër e mbiemër nga figura të ndritura të Kulturës, Letërsisë, Shkencës, Arsimit, Shëndetësisë etj. Tjetër gjë, kur ca sojsëzë dje vetëm lëpinin e sot vetëm pështyjnë! Cështje bindjesh apo karakteri?! Përshembull, një donkishoti nga nahija ime i erdhi dhuratë nga Nexhmija një magnetofon. Është histori e gjatë tragjikomike: Arriti të organizonte e të mblidhte ca plaka nga Kurveleshi dhe i detyronte të qanin për Enverin. Incizimet i niste në metropol. Kur erdhi Pluralizmi rrumpallë, ky njeri hyri në korin e kukuvajkave kundër “Diktatorit”. O tempora, o mores! Por, le të mos shkëputemi nga titulli i shkrimit. Atë vit të përzishëm, mjaft dasma i shtynë datat e vendosura. Mbi 3 muaj më vonë, çfarë ndodhi në vendlindjen time, atje midis Golikut e Trebeshinës?

E kujtuam ditët e fundit me një kolegun tim më të ri, i cili gati mu lut për ta bërë skenar filmi me metrazh të gjatë a të shkurtër… Hallemadhi Foto, kushëriri ynë i parë, do martonte djalin e madh në korrik. Ishte prerë dita me krushqinë e re. Por në fshat nuk ishte “prishur” ende zia. Dhe i pari(jo vetëm i fundit) o qesh, o qan. Përgatitjet dhe shpenzimet për atë sebep jo dosido, kishin nisur herët. Të afërmit dhe miqtë ishin njoftuar me kohë. Sidomos ata në Tiranë, Durrës e gjetkë. Por martesa e Josifit tonë, mbante edhe një ngarkesë të vecantë emocionale e shpirtërore. Cacua(kështu thirrej Anastasia) e rrallë përmetare kish dhënë shpirt gjatë lindjes.

Në duart e nënës sonë, me emrin e Josifit në gojë! Si amanet i patretur në vite. Një foto të çiftit të ri e mbajti pranë kokës së krevatit, deri sa mbylli sytë te rruga “Myslym Shyri”… Atë ditë të shtunë u nisa nga Lushnja. Drejt e në dasmën e jetimit, të cilin e kam dashur dhe e dua shumë. Ca skena fëmijërie të pabesueshme nuk shuhen as në pleqëri. Duhej t’i qeshte buza patjetër e për shumë arsye. E kush u martua e s’u gëzua! Por një ankth po vërtitej si mjegull gri rrotull ish Vatrës së Kulturës. Orkestrina nga qyteti qe anulluar. Hija e zezë e zisë “kombëtare” afrohej e largohej pa fjalë, në heshtje. Mbi Kroin e Madh, po martohej edhe një vajzë. Dy dasma në një ditë. Asnjë muzikë. Asnjë këngë nuk po pipëtinte në ato gëzime të mëdha ! Të zotët e dasmës mbi Kroin e Madh, filluan t’i mbanin veshët ngrehur nga mëhalla e mesit. Dërgonin edhe korrierë a vëzhgues se a kishte shkrepur ndonjë këngë. Se nuk thonë kot, dasma pa aheng është si gjella pa kripë! Kush guxonte ta thyente akullin paradoksal i pari? Akull që mund të kushtonte jo pak.

“Fotua ynë i zgjuar, kurajoz i krisur dhe i përjashtuar nga partia prej dy dallkaukëve në rreth, dicka bisedoi kokë më kokë me ty. Nuk e kundërshtove, por u bëre serioz e sikur re në të thella”, rrëfen Josifi këtu në Tiranë. Meto Malua, shoku ynë i fëmijërisë që kish bërë një kurs amator në fizarmonikë, u lajmërua shpejt dhe erdhi si me një frymë. Iliri rebel nga Durrësi, nuk po duronte më dhe nisi t’i binte tavolinës si xhaz. Atmosfera e ngrirë vazhdonte përzishëm. Po ashtu mbi Kroin e Madh. Dasmat po përgjonin njera-tjetrën: Kush do vepronte i pari ? Pas urimeve dhe falenderimeve me gotë rakie në dorë, mbaj mend që kruajte zërin fort dhe nise këngën e shumënjohur nga Veriu në Jug: “Enver Hoxha tungjatjeta !…”. Dikush më vonë të tha se “kjo është si thikë me dy presa”. Metua me fizarmonikë dhe shumë dasmorë të shoqëruan me shpirt. Në fund të fundit, në fshat “u prish zia”…

Pas ca minutave, shpërtheu edhe në mëhallën e sipërme. Deri atëhere qarkullonte dridhshëm ajo urtësia kuptimplote: Kur bën dasëm fukarai, cahet daullja! Vecse kjo ishte tjetër “daulle”, mund të kishte zero qar e më tepër zarar. Frika nga letrat në kupolën e rrethit a në qendër, u thye nga të gjithë. E vërteta është se nuk ndodhi asgjë në praktikë. Që sot të rrëfehej si persekucion apo rënie me a pa dashje në carkun e nenit të zi 55 për agjitacion e propagandë. Dhe dikush sot të kërkonte ndonjë përfitim a favor moral e financiar…Sytë e lagur të Cifes e Zoicës s’harrohen. Nuk ishin vetëm lotë gëzimi. Se jeta është e cuditëshme, të hedh e të pret. Jona dhe Ana(mban emrin e Gjyshes që nuk e njohu dot), dy vajzat e mrekullueshme kryen studimet e larta për Mjekësi. Njera më e mirë se tjetra, në Amerikë dhe Gjermani.

Model në shkollë, në punë e shoqëri…Edhe Zoica që ka lexuar e lexon shumë, i theu ca korniza të kohës pa kohë. Veshi vellon e nusërisë, që shpesh vlerësohej si “zakon prapanik”. Kuzhiniere duarartë. Sot, tregohet jo pa humor: Të nesërmen e kishte radhën nusja për ahengun! Në mes të qytetit plasi kënga e vallja. Ishin dy lokale pranë e pranë. Te tjetri nuk u thye dot “zia”. Dhe nuk ishte thjesht se po prishej dasma për një qepë a një limon. Për ne vdekatarët e kësaj bote të krokolepsur, nuk ishte as ajo murtaja që pushtoi Evropën në shekullin e XIV-të dhe që shfarosi njerëzinë me kosë epidemie të papërballueshme. Sepse historikisht zia për një gjëmë të rëndë, në mjaft raste zgjaste shumë. Madje, edhe tërë jetën. Kam njohur e njoh gra të nderuara që nuk e hoqën kurrë veshjen e zezë korb nga trupi. Po pse vetëm femra ?!…

Ndërsa mua më fekste shpesh kënga e parë dhe ndoshta e vetme që vërshonte gurgullimë nga zemra e Fotos, që nga koha e asaj tragjedie familjare: “Shokë më sillni jongarë/ Do i bie me të qarë/ Për atë miken e parë…”. Aty e zbrazte dhimbjen e pasosur që përvëlonte. Jetë me dallgë. Nipi i Cacos fatkeqe sot është nga skenografët më të njohur. Te bojërat dhe peneli i Pano Kondos, unë pikas edhe copëza nga portreti i pashlyer i asaj përmetareje 24 karat që nuk mundi të gëzojë as lulet e jetës…Në Shqipërinë tonë, për emancipimin e femrës ka patur arritje të padiskutueshme në monizëm, në zonat fushore, kodrinore e malore. Historia ka mbajtur e mban shënim. Sidomos në Kulturë, Arsim e Shëndetësi. Asgjë nuk harrohet. Dhe as të mohohen apo retushohen. Ka ende breza dëshmitarësh të gjallë e dinjitozë. Përjashto hipokritët e demagogët, partiakët e cartur djathtas e majtas, që u mori lopata ujë. Dhe u tjetërsuan në kllounë për skenat e cirkut politik pluralist. Mirëpo, siç thekson i mençuri: Aromat e vendlindjes të dehin, po kurrë s’të velin.

M.Q./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Takimet jashtë, mendoni se diaspora do marrë pjesë masivisht në votime?