Presidenti Ilir Meta dhe kreu i PD, Lulzim Basha

Opinion

Si modeli 'Meta' sot, mund t’i kthehet opozitës në bumerang nesër?

5 Maj 2021, 11:51| Përditesimi: 5 Maj 2021, 11:55

  • Share

Përpara  se të analizoj se si heshtja e Partisë Demokratike mbi sjelljen e presidentit Meta sot, mund t’i kthehet asaj në bumerang nesër, po bëj një historik të shkurtër të ndërprerjes së parakohshme të mandatit të presidentëve të Shqipërisë nga viti 1992 e në vazhdim.

Në prill 1992, vetëm 11 muaj pasi ishe zgjedhur si President i parë i Shqipërisë pluraliste, Ramiz Alia dha dorëheqje me vullnetin e tij të lirë për të respektuar fitoren e opozitës shqiptare, fitore e cila kishte ndodhur vetëm 11 ditë më parë, më 22 mars.

Ramiz Alia ishte legjitim në detyrën e tij si kryetar i shtetit, sepse ishte zgjedhur nga Kuvendi i parë pluralist pas rënies së regjimit komunist. Ai mund t’i rezistonte edhe me akte ligjore ndonjë shkarkimi të mundshëm nga forcat e reja demokratike që kishin ardhur në pushtet, por ai preferoi që të mos bënte betejë me “mullinjtë e erës”, duke hyrë në një spirale të kotë procedurash që sido që të ndodhte, do përfundonin me shkarkimin e tij sepse mazhoranca e re i kishte numrat dhe fuqinë politike që buronte nga një plebishit popullor.

Presidenti Alia ishte zgjedhur në atë detyrë nga një parti që kishte sunduar vendin për 45 vjet me radhë dhe ai e dinte fort mirë se edhe po të qëndronte në detyrë, nuk do kishte asnjë lloj bashkëpunimi me Partinë Demokratike, prandaj u largua me qetësi, pa bujë, pa luftë, pa i dhënë “kënaqësinë” pushtetit të ri që ta shkarkonte.

Pesë vjet më pas, në korrik 1997, i zgjedhur për një mandat të dytë kur vendi ndodhej në gjendje të jashtëzakonshme me orar shtetrrethimi, prej një Kuvendi të dalë nga zgjedhjet strumbullar të deformimit të votës, presidenti Sali Berisha dha dorëheqjen brenda dy javësh pas zgjedhjeve të parakohshme të 29 qershorit ku forcat e opozitës fituan shumicë kushtetuese të vendeve në Kuvendin e ri.

Pas ngjarjeve dramatike që kishin shoqëruar 6-mujorin e parë të atij viti, presidenti Berisha e dinte fort mirë që nuk do t’i shpëtonte shkarkimit nga detyra për shkak të përgjegjësisë që kishte për skemat mashtruese piramidale dhe rënien e shtetit. Njësoj si paraardhësi i tij Alia, edhe Berisha nuk donte t’u jepte socialistëve “kënaqësinë” e shkarkimit. Berisha iku sepse lexoi qartë plebishitin popullor kundër tij që nuk i lejonte asnjë shteg manovrimi me procedura ligjore.

Në vitin 2011 kryeministri Berisha tentoi të ngrejë një komision parlamentar për të shkarkuar të zgjedhurin e tij si president, zotin Topi, por e gjitha mbeti në tentativë sepse ishte një kapriço e Berishës jo thjesht për mungesë votash në Kuvend, por se nuk mund ta konsiderosh presidentin “puçist”, vetëm sepse ai i kërkoi prokurorisë të hetojë vrasjet e 21 janarit.

Dhe vijmë tani në vitin 2021 ku Kuvendi i Shqipërisë ka nisur procedurën për të shkarkuar presidentin Meta. Kjo është hera e dytë brenda kësaj legjislature që ndërmerret një hap i tillë, por herën e parë nuk u materializua me votë për shkak të respektimit të opinionit të Venecias. Siç duket, presidenti Meta mori zemër nga kjo dhe doli hapur në luftë me mazhorancën socialiste duke bërë hapur fushatë elektorale në favor të opozitës në tërësi dhe LSI-së në veçanti.

Aq shumë u investua personalisht në fushatë sa ishte e vështirë të dalloje se cili ishte lideri i opozitës, Basha apo Meta? Njëanshmëria e Ilir Metës në këtë rast, jo se i prishi punë mazhorancës socialiste, përkundrazi, por kjo nuk do të thotë që meqë indirekt i bëri “nder” asaj me çmenduritë që nxirrte me statuse në rrjetet sociale apo në intervista televizive, të tolerohet sikur nuk ka ndodhur gjë.

Për më tepër, presidenti Meta e deklaroi hapur 25 prillin si një referendum pro tij dhe kundër kryeministrit Rama. Pra, hodhi në mejdan dorezën e sfidës për popullin shqiptar që të vendoste midis tij dhe Ramës. Bile shkoi më në ekstrem duke futur në këtë “referendum” të shpikur prej tij edhe mbështetjen që duhet të kemi ose jo ndaj Shteteve të Bashkuara.

Më 25 prill populli shqiptar e bëri referendumin e vetë të kërkuar nga presidenti Meta dhe votoi pro Edi Ramës dhe kundër Ilir Metës. Do të mjaftonte ky moment zgjedhje i sovranit popull që Ilir Meta të merrte mbi supe dështimin e “kauzës” së tij dhe të mbante fjalën e dhënë se “do jap dorëheqjen nëse Partia Socialiste merr 71 mandate”. Nuk e dha dhe kjo është çështje e karakterit të dobët të tij.

Sot Ilir Meta është i pafuqishëm që të luajë rolin e tij kushtetues të përfaqësuesit të unitetit të popullit. Ai e ka të pamundur që t’i mbledhë të gjitha palët në një tryezë të rrumbullakët dhe ta drejtojë atë si i baraslarguar politikisht nga secila prej tyre.

Vendimi i mazhorancës socialiste për ta shkarkuar presidentin nga detyra tashmë është çështje ditësh dhe pret vetëm formalizimin nga Kuvendi. Mbetet pastaj që të pritet se çfarë do vendosë përfundimisht Gjykata Kushtetuese.

Në këtë rast kemi dy momente për të analizuar.

Nga njëra anë është vendimi që do marrë Gjykata Kushtetuese. Në rast se ajo i certifikon si normale sjelljet e presidentit Meta, atëherë çdo president i ardhshëm, në bazë të këtij precedenti, do marrë kah të fuqishëm politik në favor të njërës parti kundër partisë tjetër.

Nga ana tjetër është Partia Demokratike e cila, me zërin e kryetarit të saj, duhet të shprehet qartë nëse është dakord për shkarkimin e Ilir Metës. Kjo ka shumë rëndësi përpara vendimmarrjes së gjykatës. Nëse PD-ja deklarohet kundër shkarkimit dhe justifikon të gjitha veprimet e Metës para e gjatë fushatës elektorale, presidenti i ri që zgjidhet në korrik 2022 do ketë të gjithë të drejtën morale e ligjore që në fushatat elektorale pasardhëse të investohet fuqishëm kundër Partisë Demokratike dhe opozitës në tërësi.

Në këto kushte, duke parë nga perspektiva, Partisë Demokratike i leverdis që të bjerë dakord me qëndrimin e Partisë Socialiste që presidenti Meta duhet shkarkuar. Po ashtu edhe Gjykata Kushtetuese duhet të jetë në këtë linjë arsyetimi.

Çdo version tjetër që bie ndesh me këtë, nesër do të kthehet në bumerang për të gjitha palët politike.”Bota është me rrota”, thotë një shprehje, kuptimi i të cilës është shumë i thjeshtë: Sot Ilir Meta është kthyer në kamikaz kundër qeverisë. Nesër, një tjetër Ilir Metë, do të kthehet në kamikaz kundër opozitës. A është sot e gatshme opozita ta pranojë këtë sfidë e cila nesër mund t’i bjerë asaj mbi kokë?!

J.GJ./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?