Albin Kurti dhe Aleksandër Vuciç

Opinion

Si mund të ishte ndryshe një marrëveshje Serbi-Kosovë?!

23 Qershor 2021, 18:57| Përditesimi: 23 Qershor 2021, 19:00

  • Share

Edhe pse takimi Serbi-Kosovë, përfaqësuar respektivisht nga presidenti Vuçiç dhe kryeministri Kurti, ndodhi pak ditë më parë, ato që ndanë mes tyre treguan se në këtë segment dialogu është krejt i ngrirë. Njohja pa kushte kërkuar me ngulm nga Kosova e ka ngritur shumë stekën e moskuptimeve dhe duket se problematikat do të jenë të stërmëdha në ditët në vazhdim. Duket se zgjedhjet e afërta në Serbi dhe ato lokale në Kosovë mbajnë peng atë që quhet lirim i dialogut ose vazhdimësi të tij sipas udhërrëfyesve të shkuar. Më shumë akoma, pengu tjetër është krijimi i Asosiacionit (Bashkësisë së Komunave Serbe), mbështetur tashmë fort edhe nga SHBA, në fakt rrëzuar nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës, e cila gjente parregullsi në shumë nene të saj. Në këtë hulli, i fundit pak orë më parë ka qenë Ramush Haradinaj, i cili ka kërkuar një interpretim se ku ndryshon në të vërtetë koncepti i Kurtit për Asosiacionin me atë të SHBA-së dhe BE-së, lidhur me të.

Duket se pala kosovare e ka rritur besimin te vetja me faktin se Kosova e ka të gjithë mundësinë të presë (!) e se kjo lloj vazhdimësie e dialogut pengon më shumë Serbinë. E vërteta është se Kosova ka avancuar deri më tani me ndihmën e Perëndimit dhe sidomos SHBA-së, kumbarës së saj. Kjo do të thotë se kosovarëve u duhet bërë e qartë se gjërat nuk janë aq të thjeshta: Asosiacioni që mohohet nuk është e largët dita kur do u vendoset sërish për shqyrtim në tryezë, ndaj ka gjithnjë e më shumë zëra nga analistët kosovarë të cilët paralajmërojnë për kujdes të shtuar.

Megjithatë në matricën Kosovë-Serbi është futur pa kushte dhe e ardhmja e Marrëveshjes së Washington-it, nënshkruar nga presidenti Trump dhe mbështetur nga pasardhësi i tij aktual, Biden. Zëdhënësi i qeverisë Përparim Kryeziu ka ngritur një stuhi me deklaratën e vet, kur u shpreh se Hoti, ish-kryeministri asokohe që firmoi ishte në drejtimin e një qeverie pa legjitimitet dhe për më tepër se: marrëveshja e 4 Shtatorit të shkuar s’ka shkuar fare në Kuvend, pra nuk ka vlerë juridike. Për fat të keq, paçka se çfarë po përpiqen politikanët, marrëveshja e Washington-it nuk do të rivlerësohet dhe për më tepër Shtetet e Bashkuara insistojnë fuqimisht në zbatimin e saj. Prandaj, pyetja është nëse është e mundur të kapet ky stabilitet i ri dhe kryeministri Kurti të lexoj qartë pasojat e një qëndrimi nëse nuk e njeh atë apo jo?! Shqetësimi më i madh për publikun është përçarja e politikës së Kosovës dhe mosvlerësimi i punës së paraardhësve nga qeveria e tanishme, në sirtarët e të cilës qëndron dhe një kornizim i dialogut dhe ajo që është bërë deri më tani në mënyrë të detajuar.

Kosova dhe Serbia mendohet se udhën më të mirë në dialog e kanë pasur 8-9 vite më parë kur procesi i Ahtisarit ishte më i kapshëm dhe më i kontrolluar. Sot presidenti serb Aleksandër Vuçiç dhe kryeministri Albin Kurti janë aq larg saqë jo thjesht vazhdimin por edhe negociatat dhe mundësinë e arritjes së një zgjidhje i kanë tejet të largëta. Kjo lidhet me axhendat e tyre vetjake.

Njohje dhe mos sulmim që kërkohet nga Kurti i përgjigjet kurrë njohje nga Serbia, që do të thotë se vetëm një marrëveshje, e cila mbart një qëllim të mirë mund t’i ulë në tryezë të dy vendet për zgjidhje alternative. Veçse Kosovës, sot e kësaj dite, i bllokohen vizat ndërsa Serbia vazhdon me një arrogancë të pashoqe të bllokojë aderimin e Kosovës në shumë organizata ndërkombëtare, përpos edhe bllokimit dhe kthimit të fushatës së njohjeve të Republikës së re ballkanase. Sikur të mos mjaftojë kjo, kësaj i shtohet edhe konfuziteti i Kosovës që së fundmi pothuaj nuk e njeh asfare punën e paraardhësve të saj. Sfida tani ose të paktën ajo që shihet nga krerët e politikës kosovare është sesa nga dakordësitë e deritanishme të marrëveshjes Serbi-Kosovë do të përcillen në qeverinë Kurti. Konjufca, kreu i Kuvendit kosovar, paralajmëroi një skanim të përgjithshëm të tyre, që në vetvete është logjike, por problemi është nëse do respektohen ato pak që janë dakordësuar. Këtu diçka ngec. Kuptohet se e pakuptueshme është qasja me disa regjistra e palës kosovare në dialog përgjatë viteve, ku po kulmon kjo e sotmja që nuk njeh asnjë cak të së shkuarës!!!

Kosova me Serbinë në dialog flasin më shumë për parime sesa për gjëra që u nevojiten qytetarëve të tyre. Po të flisnim për ekspertët, duket se ata në të ardhmen do të kenë problematikat më të mëdha, pasi duket se çdo temë do të rinegociohet. Me qasjen e re të qeverisë Kurti çdo gjë duhet nisur nga fillimi. Megjithatë është një moment, i cili e ndihmon Kosovën dhe kjo lidhet me konsekuencën e qëndrimit amerikan. “…Çdo marrëveshje ndërkombëtare është e obligueshme dhe çdo marrëveshje me SHBA-në gjithsesi është në interes të Kosovës”, ka thënë Lumnir Abdixhiku, kryetari i LDK-së te “Ekonomia Online”, duke e davaritur disi konfuzitetin por edhe duke shprehur edhe mendimin e spektrit të gjerë kosovar.

Por ndërsa Kosova po lëshon disi nga qëndrimi amerikan, ndaj emisarit Grenell i duhej të kujtonte në orët e fundit paratë e taksapaguesve amerikanë Kurtit dhe këshilltarit të vet, duket se edhe Serbia nuk është më në nivelet e dikurshme të varësisë nga Moska. Beogradi po mundohet të përfitojë në kaosin e Kosovës sa më shumë nga konjukturat ndërkombëtare por mbi të gjitha nga Perëndimi. Madje, sipas analistëve serbë, edhe varësia s’është aq e madhe nga Rusia, sepse serbët e dinë mirë se asnjë marrëveshje që ajo arrin nuk është në interes të Rusisë, “pasi ajo zvogëlon në mënyrë drastike levën praktike të ndikimit rus në Serbi dhe mundësia e zgjidhjes së kësaj çështje së bashku me disa çështje të tjera për të cilat Rusia është shumë e interesuar, shembet”, shkruan analisti serb Igor Novakoviç te “Kossev”.

Është momenti që Kurti të kapi kohën dhe të shfrytëzojë konjukturën që të marrë sa më shumë të jetë e mundur, duke filluar nga zbatimi serioz i marrëveshjeve të mëparshme dhe mbi të gjithë palët të dalin me një plan dialogu dhe udhërrëfyesi sesi do të drejtohet në të ardhmen por jo me kategorizme, që shpesh janë pa sens, pasi Kosova është realitet në marrëdhëniet ndërkombëtare. Kurti duhet të jetë i qartë për të dhe të mos kthehet pas.

Qysh kur në tetor të vitit 2008, Serbia kërkoi një opinion këshillues nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë dhe dy vjet më vonë përmes një Vendimi Këshillëdhënës u rikonfirmua se Deklarata e Pavarësisë së Kosovës nuk ka shkelur asnjë nen të Ligjit Ndërkombëtar, tashmë ka një realitet dhe ajo është Kosova e pavarur. Kaq. Kjo nuk vjen më në tryezë.

Nga kjo situatë humbet shumë Serbia por pa humbje nuk është dhe Kosova. Një ide e mirë është ajo që të ecet hap pas hapi, por edhe të kthehet besimi në dialog, që të shkohet me kujdes drejt  njohjes së pashmangshme reciproke dhe ajo që përmendi një emisarë e shkuar e Kosovës reparacionet e luftës. Të gjitha stade që kërkojnë mirëkuptime dhe një narracion të ri mes palëve.

SI.E./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?