Partia Demokratike

Si mund të shkojë PD-ja në zgjedhje vetëm me një kandidat?

9 Tetor 2022, 09:54| Përditesimi: 9 Tetor 2022, 09:55

  • Share

Të gjithë në PD po artikulojnë idenë e daljes në zgjedhje vendore me një kandidat të përbashkët. Sa më shumë që afrohet data, edhe më e qartë bëhet situata se vijimi i konfliktit dhe hedhja benzinë zjarrit të përçarjes, nuk ndihmon askënd. Madje, edhe më euforikët e “zgjidhjes” që vjen nëpërmjet “votës”, nuk e fshehin më këtë realitet.

Po a  mund të bashkohet PD-ja pas një frakture të thellë, serioze dhe gati asgjësuese për të ardhmen e saj si forcë politike dhe alternativë e besueshme ndaj pushtetit? A mund të ulen palët për të gjetur një formulë mes radhëve të demokratëve, duke lënë mënjanë hipokrizinë e “primareve” alla-shqiptarçe, të cilat do duhet të bëheshin në një vend me demokraci të konsoliduar, në një popull me kulturë të hershme demokratike dhe në një parti që është në situatë normale dhe të shëndetshme dhe jo në një PD si kjo e sotmja, e cila është duke kaluar një gjendje traumatike? A mund ta gjejnë gjuhën demokratët në fillim mes veti dhe pastaj të gjejnë një formulë të drejtë dhe proporcionale, duke marrë në konsideratë peshën specifike të të gjitha partive aleate, që ndajnë të njëjtat vlera me PD-në?

Personalisht gjykoj se palët brenda PD-së kanë shkuar shumë larg dhe një bashkim mekanik në këto kushte do të ishte i pamundur, i dështuar, hipokrit, aspak funksional dhe serioz, mirëpo, për sa kohë që jemi në politikë dhe historia botërore ka regjistruar kompromise më të mëdha, aty ku ka vullnet dhe dëshirë, aty mund të kërkohen zgjidhje që bazohen mbi parime dhe vlera dhe jo mbi pazare të rëndomta.

Në këto kushte:

- duke parë se Partia Demokratike po kalon krizën më të thellë që nga themelimi i saj, e cila kërkon një zgjidhje të menjëhershme, larg konfliktit të mëtejshëm, ku kërkohet të mbizotërojë arsyeja përpara ndjenjës, vetëpërmbajtja përballë euforisë, maturia përpara papjekurisë;

- duke qenë të bindur se burimi kryesor i kësaj krize e ka zanafillën tek shpallja “non grata” e zotit Sali Berisha dhe tek largimi i tij i përkohshëm nga Grupi Parlamentar i PD-së, deri në një zgjidhje ligjore dhe individuale nga ana e tij, në mënyrë që të mos përfshihet partia dhe të ruhet vokacioni perëndimor i saj;

- duke shprehur mospajtimin me gjuhën e urrejtjes, me konfliktin verbal, linçimin publik dhe përbaltjen individuale nëpërmjet një gjuhe të egër ndaj kujtdo që mendon ndryshe;

- duke parë se vazhdimisht pengohet funksionimi i opozitës, gjë që e shmang atë nga misioni dhe kauza e mbrojtjes së interesit publik;

- duke vlerësuar se kjo krizë e brendshme e Partisë Demokratike është një e keqe e madhe për vendin, është një pengesë e jashtëzakonshme për shndërrimin në një alternativë të besueshme dhe fituese;

- duke qenë të bindur se kriza e kësaj force politike i shërben vetëm Edi Ramës, Partisë Socialiste dhe i jep pafundësisht oksigjen këtij pushteti anemik dhe të korruptuar në çdo qelizë;

- duke e konsideruar qeverinë aktuale si të keqen më të madhe që ka sot vendi; pushtetin vendor si të kapur nga tentakulat e krimit dhe të korrupsionit, ku mbizotëron paaftësia dhe babëzia, i cili në katër vite nuk u tregua eficent dhe i gatshëm për t’iu përgjigjur nevojave të njerëzve;

- duke u mbështetur tek partnerët ndërkombëtarë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian, si aleatët tanë strategjik, të cilët e kanë ndihmuar Partinë Demokratike që në ngjizje të saj dhe Shqipërinë që në vitet e para të pluralizmit, gjë që vijojnë ta bëjnë ende në mënyra të shumta;

- duke parë dëshirën e shqiptarëve për ndryshim që vjen nga një alternativë e ndryshme nga pushteti, që udhëhiqet nga ndershmëria dhe jo nga modeli i korrupsionit, që drejtohet nga dëgjimi i qytetarit dhe jo nga sundimi i tij;

- duke iu përgjigjur interesit të çdo demokrati të ndershëm që kërkon një forcë politike të fortë, që të jetë alternativë e besueshme për të ardhur në pushtet dhe bindjes së tyre që në zgjedhjet e ardhshme lokale, që të ketë shanse reale, opozita dhe PD-ja duhet domosdoshmërisht të dalin me një kandidat të përbashkët...

 

Në mënyrë të menjëhershme DUHET:

1. Të gjitha palët të ndalojnë urgjentisht konfliktin mes veti;

2. Të ndalojë gjuha e dhunës, urrejtjes dhe e përbaltjes mes demokratëve, që buron nga lart dhe përhapet në çdo qelizë të saj;

3. Të qartësohet dhe ripërkufizohet aleanca jonë euro-atlantike, si burim i energjisë dhe i forcës për një parti me fytyrë dhe vizion që sheh Perëndimin si të ardhme, jo vetëm në narrativë, por edhe në akte konkrete;

4. Në vazhdim të asaj që bëri në muajin mars zoti Lulzim Basha, gjë që nuk dha rezultatet e pritshme në zgjidhjen e konfliktit brenda radhëve të demokratëve, tashmë, i takon zotit Sali Berisha të bëjë një hap prapa, duke mos u përfshirë në këtë fazë të re të futjes së Partisë Demokratike, si shprehje e një vullneti për të vendosur interesin e demokratëve mbi çdo ambicie apo ego personale, deri në qartësimin e plotë të shpalljes “non grata” dhe shpalljes së një vendimi të formës së prerë nga ana e Gjykatës së Apelit;

5. Ngritja e një “regjence” me figura të moderuara dhe të pranuara nga brenda Grupit Parlamentar (3 nga një palë dhe 3 nga pala tjetër), të cilët, të udhëhequr nga vullneti i mirë dhe interesi i përbashkët, duke u ngritur mbi veten dhe duke vënë të mirën publike dhe të demokratëve mbi gjithçka: 1. Të dalin me një draft të përbashkët për ndarjen e re territoriale; 2. të udhëheqin, të koordinojnë, të përcakojnë modulatet e futjes së Partisë Demokratike në zgjedhjet lokale, nën logon, vulën dhe firmën e kësaj partie, me kandidatë të përbashkët, me një vizion dhe vullnet për të ecur përpara, për të mos qëndruar pengje të së shkuarës, me alternativa morale që të mos mbartin asnjë peshë negative nga vitet e pushtetit;

6. Çdo vendimarrje e këtij grupi të urtësh duhet të kalojë me konsensus të plotë dhe të jenë këta që të drejtojnë fushatën lokale të Partisë Demokratike në të gjithë bashkitë e Shqipërisë si shprehje e një domosdoshmërie për ta transformuar imazhin e PD-së dhe për të krijuar mundësi reale për të fituar pushtetin vendor.  

Është e kuptueshme që këto radhë më shumë se sa zgjidhje reale, duken si dëshira për ta parë situatën pozitivisht; më shumë se sa realiste, duken si romantike, mirëpo, nëse flasim për vullnet të mirë dhe domosdoshmëri për ta ndryshuar këtë realitet, të gjitha palët duhet të shohin tek vetja, të bëjnë nga një hap prapa dhe të ngrihen përtej interesit personal, duke shprehur vullnetin për të gjetur dritë në fund të tunelit. Ashtu siç kishte deputetë që i kërkuan Lulzim Bashës të bënte një hap prapa për të mirën e PD-së dhe për të zgjidhur krizën brenda radhëve të demokratëve dhe shumë mirë bënë, ashtu uroj dhe do të dëshiroja të ketë deputetë brenda radhëve të “Foltores” që t’i bëjnë të qartë zotit Berisha këtë realitet të ri, që një herë të vetme të bëjë ai një sakrificë për demokratët, meqenëse në tri dekada me radhë kanë qenë ata që kanë sakrifikuar gjithçka për të.

Mendoj se shqiptarët kanë nevojë për një aleancë të zemrave të pastra dhe të njerëzve të ndershëm; kanë nevojë për shembuj të vyer qytetarie dhe ndershmërie, që t’u zhbëjnë idenë se të gjithë janë njëlloj dhe se asgjë nuk do të ndryshojë në jetën e tyre pas ndryshimit të pushtetit; e kanë të domosdoshëm një shans për ndryshim rrënjësor të ndarjes përfundimtare të shtetit nga pushteti, duke mos sakrifikuar të parin për të mbajtur të dytin, por duke e vënë të dytin në funksion të forcimit të të parit; kanë nevojë për një filozofi të re të së djathtës së vërtetë, të vlerave dhe të respektimit të së shenjtës, të ngritur mbi virtytin dhe besimin tek trashendentja, tek vlerat tradicionale të familjes, të pronës dhe të drejtave njerëzore për të gjithë; kanë nevojë për një alternativë pushteti, të ngritur mbi një kontratë besimi, për ta shndërruar dëshirën e njerëzve për ndryshim në transformim të vetvetes dhe fitoren mbi kundërshtarin në një mundësi për ndryshim të vendit dhe nxjerrjen nga errësira e korrupsionit në dritën e ligjshmërisë dhe të së mirës.

K.T./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?