Flamuri i Kosovës

Si ndikoi Kosova për metamorfozën e Rusisë nga anëtarësimi te NATO tek agresioni i Ukrainës?!

3 Mars 2022, 17:26| Përditesimi: 3 Mars 2022, 17:28

  • Share

Për të parë kaosin e qëndrimeve në Ballkan mjafton të shikosh dhe të kuptosh ngrefosjen e fundit të shumë individëve dhe qeverive, të cilat direkt apo indirekt po përkrahin invazionin e tmerrshëm të Putinit mbi Ukrainë. Në Serbi dhe në qarqe në Malin e Zi apo në Republikën Srpska në Bosnjë pati një trandje të vërtetë, ndërsa shumë nga partitë e opozitës ishin kundër sanksioneve ndaj Rusisë. Disa prej tyre: “Dveri”, që bashkon nostalgjikët patriotë për riardhjen në fron të Mbretërisë Serbe bashkë me partitë dhe Lëvizjet e Djathta, do shprehej se: “Populli serb është kundër vendosjes së sanksioneve ndaj Rusisë dhe pasojat e pakuptueshme në sigurinë, subjektivitetin tonë ekonomik dhe historik”. Forca politike “Dosta je Bilo” qëndronte në të njëjtën valë dhe frymë me partitë e tjera të krahut të djathtë por deklaronte se Serbia duhet të jetë neutrale e të mos”marrë anën në konflikt dhe të mos vendosë sanksione ndaj askujt, por edhe që të heqë sanksionet ndaj Bjellorusisë”. Për ta, lufta në Ukrainë është “pasojë e konfliktit gjeopolitik të fuqive të mëdha në tridhjetë vitet e fundit në Evropën Lindore”. E më poshtë: NATO-ja me ndarjen e Kosovës dhe Metohisë “hapi kutinë e Pandorës për braktisjen e parimit të paprekshmërisë së kufijve të vendeve sovrane”!!!

Në fakt, Rusia me aktin e fundit e ka bërë gati të pamundur pretendimin e Serbisë, të ringjallur sërish mbi Kosovën, pasi ndryshe nga kohë më parë nuk ka ditur të parashikojë pasojat e situatës me invazionin ndaj Ukrainës. Tashmë, Rusia megjithë nxjerrjen e dhëmbëve do t’i duhet të matet mirë për trashëgiminë e saj afatgjatë, pasi morali i saj është në kreditet më të ulëta, por më shumë se kaq parashikohet zezonë ekonomike me realitetin e saj afatmesëm dhe të gjatë, e përveç kësaj nuk do llogaritet më për shumë kohë në planet gjeostrategjike të botës. Tashmë Rusisë i kanë kthyer krahët shumë nga shtetet potenciale të OKB-së, bash ato që arritën të mendonin dikur se ajo mund të kishte deri partneritetin special me NATO-n.

Gjithsesi, serbët me rusët do të tregonin dhe njëherë politikën e tyre ndryshe, ose më saktë anti-NATO, kur muaj më parë në një artikull të përbashkët, botuar njëkohësisht në mediat serbe dhe ruse, ministri i jashtëm Lavrov me atëherë ministrin e jashtëm serb Ivica Daçiç, deklaruan se asnjë zgjidhje për Kosovën nuk mund të ndodhë jashtë rezolutës 1244!!! Kur mendoje sublimitetin e shtirë të këtij akti, pasi rezoluta ka vite që është tejkaluar dhe Kosova është në realitete të tjera kuptoje se: vërtet Ballkanit po i afrohej diçka ogurzezë: Planet ndryshe sllave! Dhe, ashtu si mund të merret me mënd në ditët e fundit, presidenti serb Vuçiç, që duhej të ishte më shumë i informuar se të gjithë kolegët e tij evropianë për agresionin e Ukrainës nga Putin, do shprehej çuditshëm se:“Unë pres që brenda gjashtë muajve Kosova të pranohet në NATO dhe të detyrojnë katër shtete, Greqi, Rumania, Sllovaki dhe Spanjë ta njohin Kosovën”, e mbyllte deklaratën e tij.

Në fakt, Vuçiç dhe aleati i tij i madh Rusia nuk kuptuan asnjëherë si duhet se: Kosova i shërbeu shumë perceptimit të NATO-s të konsideronte ashtu si duhet rrezikun rus dhe atë sllav ballkanik. Ish-shefi i NATO-s, Javier Solana në fjalimin në Berlin në qershor 1999, pak para përfundimit të Operacionit Aleat Forca, do të tregonte konceptin real të këtij grupimi me Kosovën: “Ajo që e bën NATO-n kaq të bashkuar në këtë krizë është fakti se në Kosovë konvergojnë interesat tona afatgjata dhe vlerat tona. Kjo sepse pas problemeve të kosovarëve është edhe më shumë në lojë: e ardhmja e projektit të Evropës. Konflikti midis Beogradit dhe pjesës tjetër të bashkësisë ndërkombëtare është një konflikt midis dy vizioneve të Evropës. Një vizion – si ai i Millosheviçit – është një Evropë e shteteve etnikisht të pastra, një Evropë e nacionalizmit, autoritarizmit dhe ksenofobisë. Vizioni tjetër, i mbështetur nga NATO dhe Bashkimi Evropian dhe shumë vende të tjera, është për një Evropë të integrimit, demokracisë dhe pluralizmit etnik. Ky është vizioni që e ka kthyer Evropën dhe Amerikën e Veriut në komunitetin më të afërt, më demokratik dhe më të begatë të ndërtuar ndonjëherë…”. Ndrysho vetëm emrin e Millosheviçit me atë të Putin, në ditët tona, dhe kupton sesa afër është ky koncept dhe qëllimin e reagimit në bllok që kanë bërë vendet e NATO-s ndaj agresionit rus.

Po të kthehemi pak pas në fillimvitet ’90, kur Çështja e Kosovës e ndihu deri diku Rusinë: Nën drejtimin kaotik të Boris Jelcin, ditën e fillimit të bombardimeve mbi ish-Jugosllavi, Rusia preu pjesën më të madhe të lidhjeve të saj institucionale me NATO-n. Kjo kuptohet se ishte sa për fasadë, pasi reagimin real e bëri vetëm me disa axhustime të vogla që lidheshin me kontingjentin e saj të SFOR-it në Bosnjë. Rusët tërhoqën zëvendëskomandantin e njësitit dhe ushtarakët që kishin komunikimet me NATO-n. Por jo më shumë se kaq, pasi në anën diplomatike i ruajti marrëdhëniet e saj me të gjitha qeveritë e NATO-s. Ashtu si në rastin e Ukrainës, ku agresorët rusë po hasin pengesa reale, por në kohën e Kosovës shumë më tepër, Rusisë i mungonin mjetet për të ndërmarrë masa të tilla edhe sikur të kishte dashur. Më thjesht nuk donte të rrezikonte mbështetjen financiare dhe ekonomike që ajo mori nga vendet dhe institucionet perëndimore si Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) dhe që e oksigjenuan. Llogarite sot kur po merr goditje si ajo me Sistemin SWIFT, ku ka të ngjarë që ekonomia e saj të kthehet menjëherë shumë pas dhe me panikun ekonomik që ka nis në Rusi! Në pranverën e vitit 1999, ekonomia ruse mezi kishte filluar të rikuperohej nga efektet e krizës valutore. Presidenti Jelcin kuptoi atë që nuk e kupton dot sot pasardhësi i tij Putin, kur deklaroi: “Megjithë veprimet agresive të NATO-s, ne nuk mund të shkëputemi me vendet perëndimore” dhe “ne nuk mund ta çojmë veten në izolim sepse jemi në Evropë dhe askush nuk do të na dëbojë nga Evropa”.

J.GJ./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?