Opinion

Si po e dominon kultura e traumës depresionin tonë në demokraci

25 Nëntor 2021, 17:31| Përditesimi: 25 Nëntor 2021, 17:34

  • Share

Mjafton një ngjarje e hidhur, ku dominojnë vrasjet makabre si ajo e ditëve të fundit në Fier, përdhunimet, shfrytëzimet seksuale apo edhe ekzekutimet e vazhdueshme, që kinse të kujtohemi se në çfarë shoqërie të dhunshme jetojmë. Në fakt jemi të kthjelluar, pasi na mban në këtë gjendje alerti dialogët dhe retorika në parlament, ku kuptohet qartë se: fenomeni është shumë më i gjerë dhe i ka kapërthyer të gjitha fashat e shoqërisë tonë. Nga ana tjetër, në realitet, të vjen keq kur kujton se: kapacitetet tona për trajtimin e sëmundjeve mendore janë në ulje dhe ca më keq: institucionet janë fare të pazonja të bëjnë diçka ta ndryshojë kjo situatë. Pak vite më parë, në një statistikë për shëndetin mendor të vitit 2017, raportuar nga OBSH-ja, thuhej se: shërbenin 26 dhe 30 mjekë psikiatër për çdo 1000 banorë respektivisht në Finlandë dhe Zvicër, teksa në Shqipëri ky numër shkonte në vetëm tre syresh!!! Të mendosh se ç’po bëhet me ikjen e mjekëve nga Shqipëria e kupton se ky trend tashmë nuk mund të jetë kurrsesi më pozitiv.

Në të gjithë këto ditë veç garës së shfrenuar për paraqitjen e detajeve deri në çmenduri nga kolegët gazetarë të ngjarjes së Fierit, ajo që është parë si më shqetësuese qëndron te një lloj kurioziteti gati i sëmurë i shumë njerëzve për të dëgjuar lidhur me këtë krim, ndërsa konstatimi më kryesor sërish është shqetësues: shoqëria jonë mbart probleme të mëdha, të cilat i shkarkon në forma gati të papërfytyrueshme. Të identifikuara tashmë për shkak të varfërisë, mungesën e shtetit ligjor me institucionet e dobëta dhe mbi të gjitha humbjen e shpresës, problemi i shëndetit mendor, mes shumë të tjerave, mbetet më shumë se shqetësues. E përsërisim se e gjen rëndom deri në artikulimet në parlament dhe kjo mund të jetë fushë e ndonjë studimi në të ardhmen, ashtu si në sintaksën e përditmërisë tonë. Edhe pse janë shtuar psikologët dhe sociologët, që mundohen të referojnë e apelojnë publikisht, në terren, duket se qasja e duhur pothuaj mungon, pasi vetë publiku e mban çdo gjë të ndrydhur. Por a është vetëm fenomen shqiptar? ! Një ekspert na rrëfen se : “Ashtu si shumë ide të cilat i kanë rrënjët e tyre në psikologji dhe mjekësi dhe që e kanë bërë rrugën e tyre në shkëmbimin popullor, ne sot e gjejmë veten te përdorimi i lehtë i gjuhës së traumës; dhe shpesh shoqëruar deri me një ndjenjë shumë të fuqishme dhe të ndjerë, pasi ne e dimë mirë se çfarë nënkuptojmë kur e bëjmë këtë”, shpjegon Maurice Stevens te From the Past Imperfect: Towards a Critical Trauma Theory”, ku këtë fenomen ai e fut në një qark kulturor antropologjik duke e identifikuar deri me subjektet moderne sentimentale.

Ndërkohë në Shqipëri, njerëzit vazhdojnë e të flasin për politikë, lloj-lloj gjërash të aspekteve ndërkombëtare (!!) duke u barabitur deri me Kisinger por kurrsesi për gjëra bazike të mbijetesës, për masën e njerëzve që dhunojnë apo që lëndojnë e nëpërkëmben, ata që vriten jo pak herë dhe më keq akoma: ata që bullohen në shoqëri. Kjo e fundit është verbale në çdo cep të vendit dhe në ditët e fundit këtë e përmendi indirekt për retorikën e vet si papërshtatshmëri edhe vetë kryeministri Rama për ligjërimin e vet me një lloj Mea Culpa. Por ekuacionit tonë i mungon një ndryshore. Vetë shoqëria ka një kërshëri deri maniake për krimin dhe mënyrën sesi realizohet, ashtu si precedentët e krijuar po shikojnë se në antropologjinë shqiptare ka shumë elementë që tregojnë se jemi disi të etur të ndjejmë frymën e keqe dhe krimin me të gjithë detajet e veta. Kërshëria e medias shkon deridiku në sinkron me etjen e publikut të jetë pjesë e kësaj katrahure…

Në plan më të gjerë, në këtë stad ku është realizimi i Reformës në Drejtësi (po ngrihet më shumë vështirësi), e ku Shqipëria i ka realizuar institucionet, por keqpërdorimi ngado i ligjit, interesat e ngushta të politikanëve dhe mbi të gjitha korrupsioni mbetet shqetësues. Shtuar me një ekonomi me jo pak probleme dhe me një rritje të premtuar që nuk e përligj mirëqenien e kërkuar, kupton se pse individi shqiptar e ka këtë mllef.  Kjo ka sjellë pasoja tejet të rënda për vetë demokracinë, kujdesin ndaj qytetarëve dhe mbi të gjitha deri për shëndetin publik, ku siç e thamë mungojnë strukturat e duhura të kujdesit dhe shumë elementë që mund ta fashiste disi, egërsinë e një kategorie të tërë, e cila shëtit në rrugë jashtë çdo kontrolli. Të vjen keq që urdhrat e mbrojtjes nxjerrë nga Gjykatat nuk respektohen dhe shpërfillen, ashtu si qaset zakonisht shqiptari para ligjit. Gruaja ende konsiderohet si pronë, kurse reagimi deri për gjëra absurde është i tmerrshëm.

Juristi Kreshnik Spahiu në një shkrim të tij shumë të thukët citonte një penalist të njohur Hans Fridrich Low: “Në të gjithë botën, vrasja e ka një motiv të dobët kur kryhet nga kriminelët. Përjashtim bëjnë shqiptarët dhe çeçenët të cilët vrasin krejt pa asnjë motiv”, e shpjegonte eksperti idenë në një seminar studimor mbi karakteristikat e krimit të vrasjeve në nivel botëror.

Po pse dhuna po kthehet karburant për depresionin? Ka shumë arsye, po si mund të mos ketë një ndjenjë pakufishmërisht mllefi te shqiptari i zakonshëm kur mendon se Shqipërisë tonë do t’i duhen me këtë ritëm të paktën dhe 48 vite për t’u bërë anëtare e Bashkimit Evropian. Të paktën kështu sqaron një studim i Institutit “EPIK” në Kosovë që shqyrtoi progresin e bërë deri më sot nga vendet e Ballkanit Perëndimor drejt BE-së.

Në Kartën Europiane të të Drejtave Themelore, e cila konsiderohet edhe si një nga dokumentet bazë e cila e konsakron Modelin Social Europian, përcaktohet qartë se: “parimet bazë mbi të cilët ngrihet Bashkimi Europian, çka nënkupton se secili prej shteteve anëtare ka për detyrë t’i verë ato në jetë që të garantojë kohezionin social, duke siguruar punësim, si dhe kushte dinjitoze jetese e pune për të gjithë, mbrojtje sociale për kë ka nevojë, si dhe duke luftuar varfërinë, margjinalizimin dhe përjashtimin social”, shkruante në një raport të FES-it pak viteve më parë publicisti Piro Misha.

Shqipëria jonë jo vetëm nuk i ka vënë në dukje dhe u është kushtuar atyre, por ka thelluar pabarazinë, që ti e shikon qartë në ndarjen e të ardhurave, ndarjen e dobët të shërbimeve, në mungesën e arsimit cilësor, në polarizimin e skajshëm por edhe në një cekje ose margjinalizim të disa grupeve, që nuk e ndjejnë me veten të përfaqësuar. Prej tyre sot kemi galeri vrasësish, killera të sofistikuar, kemi abuzues të gjithë natyrave dhe së fundi, të zhgënjyer që po e lënë vendin me ritme të shpejta dhe të pandalshme. Duket se autoritetet tona mjaftohen me recetat e BE-së dhe recetimet e saj duke harruar se ligjet e zhvillimit të shoqërisë janë të ndryshme në vende të ndryshme dhe për më tepër nuk i vihet në vesh se çdo komunitet e organizon si duhet vendin e vet, kuptohet edhe brenda kanoneve të organizimeve, si ne në rastin e BE-së, që nuk duhet harruar se na asiston me çkado.

“Natyra njerëzore nuk merret parasysh, është e përjashtuar, nuk supozohet të ekzistojë! … Ata besojnë se një sistem shoqëror që ka dalë nga ndonjë tru matematikor do të organizojë të gjithë njerëzimin menjëherë dhe do ta bëjë atë të drejtë dhe pa mëkat në një çast, më shpejt se çdo proces i gjallë!…Shpirti i gjallë kërkon jetë; shpirti nuk do t’u bindet rregullave të mekanikës”.

Fjodor Dostojevski e shkruante këtë te “Krim dhe Ndëshkim” kur ende nuk kishte projekt të BE-së. Ashtu si shoqëria shqiptare nuk është ende e përgatitur jo vetëm t’i parandalojë këto raste të tmerrshme vrasjesh fëmijësh e grash, por për fat të keq nuk ka as predispozitë të ndryshojë me ritmet e duhura me këtë realitet. Për fat të keq, ke aq shumë sociologë e psikologë, që vetëm konstatojnë por edhe autoritete të policisë që premtojnë saqë të duket se krimi dhe e keqja janë imunizuar dhe madje e kërkojnë fjalën e tyre që të nanuriten në përçartje dhe reagime aspak normale. Zgjidhja e problemeve shqiptare, tashmë edhe me shpërbërjen e Drejtësisë dhe ringritjen e ngadaltë, ka mbetur te vetë shoqëria shqiptare që mbetet përherë e brishtë dhe formale dhe i mbetet thjesht të mësohet e të përshtatet me kulturën e traumës.

Jo më kot, shqiptarët vazhdojnë e vrasin për impulset seksuale të pakontrolluara, për manjakllëqet e frikshme, për pronat që u takojnë dhe më shumë ata që s’u takojnë, për kotësi absurde por jo për ide, sepse shqiptarët s’janë vrarë kur për ide qesëndiste dikur Konica me pezmin e vet. Ato që mund të zhvillonin dhe debatonin i kanë kthyer në paçavure, që ua mveshin para syve politikanët. Ndaj dhunojnë dhe janë përshtatur e mësuar me kulturën e dhunës ose të traumës së vazhdueshme, pasi ky është i vetmi karburant në demokracinë tonë…

SI.E./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?