TIRANË- Para se Departamenti Amerikan i Shtetit të shpallte në 19 maj 2021 non grata Sali Berishën për korrupsion, pengim të drejtësisë dhe minim të demokracisë në Shqipëri, Partia Demokratike ka demostruar publikisht bindjen e plotë se, personat e listës së zezë së SHBA nuk mund të bëhen pjesë e Kuvendit, e pushtetit vendor, administratës dhe e jetës politike. Në gusht të vitit 2019, kryetari i opozitës, Lulzim Basha, denoncoi rikthimin e pretenduar të Tom Doshit në PS, edhe pse ishte shpallur non grata nga SHBA. Sipas Bashës, njerëzit e listës së zezë së SHBA nuk duhet t’i bashkoheshin apo riktheheshin në PS. “Shikoni çfarë ka ndodhur, ka rikthyer në krye të Partisë Socialiste Tom Doshin, një njeri në listën e zezë të partnerëve tanë, të Shteteve të Bashkuara të Amerikës....”, deklaroi Basha.
Në tetor të vitit 2019, Lulzim Basha, duke folur për negociatat, akuzonte kryeministrin Rama për bashkëpunimin me Tom Doshin dhe Vangjush Dakon, pjesë e listës së zezë së amerikanëve. Basha shprehje se Rama po i “ikte përgjegjësisë për bashkëpunimin e ngushtë dhe mbrojtjen që u bën personave në listën e zezë të autoriteteve amerikane, nga Tom Doshi tek Vangjush Dako”. Sipas Bashës, me personat e listës së zezë nuk duhet të kishte asnjë bashkëpunim politik.
Disa ditë më pas, Sekretari i Përgjithshëm i PD, Gazment Bardhi, shprehej se “SHBA ka shpallur botërisht si të korruptuar dhe të lidhur me krimin e organizuar dy prej bashkëpunëtorëve më të ngushtë të Edi Ramës. Në vend që të jetë në një linjë me partnerin tonë strategjik, Edi Rama ka graduar Tom Doshin dhe Vangjush Dakon, si mëkëmbësit e tij në Shkodër e Durrës...Mirënjohje Shteteve të Bashkuara të Amerikës për betejën e përbashkët për pastrimin e politikës shqiptare nga krimi dhe korrupsioni. Qeverisja e mirë dhe e ndershme, në shërbim të njerëzve të zakonshëm, është vlerë amerikane dhe evropiane”.
Në 10 mars 2021, Partia Demokratike i kërkoi KQZ-së të mos regjistronte Tom Doshin si kandidat për deputet në zgjedhjet e parlamentare të 25 prillit. Sipas PD-së, personat e shpallur non grata nga SHBA, nuk mund të zgjidhen dhe as emërohen, pasi nuk i lejon ligji dekriminalizimit, i hartuar dhe miratuar me këmbënguljen e opozitës. “Tom Doshi është subjekt i ligjit të dekriminalizimit dhe ai nuk mund të marrë pjesë në zgjedhje. Në kuptimin e ligjit të dekriminalizimit, neni 2, Tom Doshi ndalohet të kandidojë, pasi ai është i dëbuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Urdhri i Sekretarit Amerikan të Shtetit ia ndalon atij hyrjen në SHBA, duke përbërë shkak ligjor për ndalimin e kandidimit të Tom Doshit në zgjedhjet e 25 Prillit 2021. PD i bën thirrje KQZ të zbatojë ligjin dhe të marrë këtë vendim, në interesin më të mirë të vendit dhe qytetarëve shqiptarë”, thuhet në deklaratën e PD-së.
Partia Demokratike i referohej shkronjën ‘b’ të pikës 2 të nenit 2 të ligjit të dekriminalizimit, e cila ndalon që të zgjidhen deputet apo të marrin mandatin e deputetit pasi janë zgjedhur për personat që janë dëbuar nga SHBA për cenim të sigurisë publike. Sipas PD-së një person që shpallet non grata nga SHBA, sipas ligjit të dekriminalizimit, ai konsiderohet si dëbuar dhe rrezik për sigurinë e SHBA.
Por, që pas goditjes së Berishës nga amerikanët në 19 maj 2021, Partia Demokratike ka ‘fshirë’ nga artikulimi politik togfjalëshat ‘listë e zezë’ dhe ‘non grata’. Asnjë përfaqësues i PD nuk e përmend më listën e zezë dhe as ligjin e dekriminalizimit.
Në 30 korrik 2021, Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë kërkuar në formë ultimative përjashtimin e Sali Berishës nga Parlamenti, rrjedhimisht ndarjen e tij nga Partia Demokratike dhe fundin e tij politik. Kërkesa është artikuluar nga ambasadorja amerikane në Tiranë Yuri Kim, e cila i ka kujtuar Lulzim Bashës se Berisha është shpallur non grata nga SHBA për korrupsion madhor.
Pas kërkesës, Sali Berisha shpërtheu kundër ambasadores amerikane Yuri Kim, ndërsa refuzoi largimin nga Parlamenti që do të konstituohet në shtator, rrjedhimisht refuzoi edhe tërheqjen nga politika. Ndërkaq, Lulzim Basha dhe rrethi i tij, kanë dhënë sinjale të qarta se refuzojnë të distancohen nga Berisha, duke sfiduar kërkesën me natyrë ultimative të SHBA, mohuar parashikimet ndaluese të ligjit të dekriminalizimit dhe rrjedhimisht duke marrë në mbrojtje njerëzit e listës së zezë.
Vazhdojne plehrat pislleqet e tyre... E kur O ZOT I MADH do te na i heqesh qafe keto zgjebe, katrahura e shushunja te ndyra?!!...
Përgjigju