Lulzim Basha

Opinion

Si qytetari Basha do kthehet shpejt në autokratin Basha

12 Shtator 2021, 19:09| Përditesimi: 12 Shtator 2021, 19:11

  • Share

Nuk ka më asnjë pengesë drejt pushtetit të tij. Përballë është vetëm kryeministri Rama në udhën e vet të mandatit të tretë dhe në ngritjen pafre të kultit të individit. Për fat të mirë, në një dalje për mediat pak para nisjes së legjislaturës së 10-të, z.Rama premtoi se do të ishte i hapur të përgjigjej në çdo çast për problemin e shqiptarit të thjeshtë, por jo shumë për ngërçet politike që inauguruan qysh atë ditë politikanët tanë.

Fjalë të bukura, që të bëjnë të besosh se pushteti është demokratik dhe ushtrohet nga vetë njerëzit. Tek e fundit, ky është thelbi i qeverisjes pasi pushteti jo vetëm u është dhënë qytetarëve në demokraci por edhe ushtrohet përmes tyre si drejtpërdrejt ashtu dhe tërthorazi përmes zgjedhjeve. Kjo është mënyra sesi përcaktohen e kontrollohen kombet demokratike, ku gjyqësori, ekzekutivi dhe media ndijnë dhe kufizojnë njëra-tjetrën.

Në Shqipëri, gjithnjë e më shumë, po bën jetën e saj autokracia, ku pushteti është në duart e një personi dhe grupit të tij. Berisha 1, Nano, Berisha 2, Rama tashmë janë shembujt e qeverisjeve të tilla. Në të gjitha rastet sgjedhjet përfliten dhe bëhen me shumë probleme kurse me ato që ndodhën në vitin 2008, gjithçka është në duar të vetëm dy kryetarëve omnipotentë të PS dhe PD.

Ky është realiteti i vitit 2021, kur Rama e ka shtruar udhën e autokracisë përmes institucioneve, që pothuaj  vetëm sa e gërvishtin dhe me ekipe drejtuese, qoftë në Parti por edhe në Ekzekutiv, që janë krejtësisht nën tutelën e tij. Në këtë udhë është bashkuar sot, pas largimit me të drejtë të z. Berisha, kundërshtari dhe sozia e tij politike Lulzim Basha. Ashtu si Rama, por më së shumti pas zgjedhjeve të reja në parti, kur u riciklua paradoksalisht nga ana që e përflasin sot, ai ka pushtet që duket se do ta transformojë deri në absolutizëm. Dhe, kjo është shenjë e keqe për demokracinë shqiptare, sepse kalon nga një autokraci më “e moderuar” si ajo e z. Rama në një autokraci pa frymë, por shumë më të hidhur si ajo e Berishës, si ajo që premton kjo alla-Bashë. Dhe, qysh tani shikohet bindja e verbër e strukturave të PD-së te Basha por nga ana tjetër edhe servilizmi ndaj njeriut, që e ka ngritur karrierën e tij me një pragmatizëm dhe me makinacione nga më të sikletshmet. PD-ja po e vuan prej vitesh mungesën e demokracisë së saj, që tashmë është kthyer në një autokraci të pastër. “Sundimi i autokratit është absolut dhe nuk rregullohet nga kufizimet e jashtme ligjore ose monitorohet nga media të pavarura. Për të mbijetuar në një autokraci, do t’ju duhet të demonstroni besnikëri dhe nënshtrim ndaj udhëheqësit sepse autokracia nuk është kurrë një sport ekipor”, shkruan kolumnisja Lynn Smith në artikullin “Democracy versus autocracy”.

Dhe shembulli është SHBA. Për pak autokracia e z.Trump i dha botës një shembull të hidhur të rrëshqitjes së demokracisë, por për fat mbeti thjesht një farë e keqe e hedhur, që mbin aty-këtu në Evropë dhe kudo. Autokracia, sot, sidomos në Evropën Lindore është mënyrë veç qeverisje edhe për t’u shfrytëzuar për të ardhur në pushtet. Rasti Kurti, në Kosovë e provon mirëfilli. Apo të kujtojmë të përjashtuarin e madh, Sali Berisha se çfarë kulti i ngrinte dikur beniaminit të tij: “Edhe merret me Lul Bashën! Çfarë ka bërë ai thotë! Mësoje çfarë ka bërë: Ka qenë ministër i Punëve Publike. Ishte promotor jetik për Rrugën e Kombit. Mësoje! Ishte ministër i Jashtëm. Ishte promotor kryesor i anëtarësimit të Shqipërisë në NATO. Ishte ministër i Punëve të Brendshme. Realizoi vizat për shqiptarët, në një kohë kur ti nuk ke shitur as tre tablo të tuat, në një kohë kur ti ke betonuar Tiranën. Edhe tre jetë të kesh nuk i bën dot ti ato që bën Lulzim Basha. Nuk matesh kurrë me të, hiqe nga mendja! Edhe në fund të fundit të ka palosur ty në 2011-ën”. Kurse një nga ministret jetëgjatë të z. Rama e etiketonte deri “Skënderbe”kryeministrin e vendit, që nga ana e tij jo thjesht miklohej, por e shfrytëzoi me sukses këtë vartësi për të treguar dhe diferencuar me autokracinë e tij.

Një pjesë e liderëve tanë ballkanikë janë autokratë qysh në opozitë dhe kuptohet sesa të vakëta janë fjalët e tyre kremtuese kur marrin pushtetin se do të respektojnë demokracinë dhe kushtetutën. Ky nuk është rasti i z. Basha, që ka treguar se është një humbës i paqtë dhe një karrierist i shkëlqyer. Duket se autokracia tashmë ka peshë shumë më të  madhe. “E vetmja gjë që e shpëtoi Amerikën nga autokracia ishte, siç i tha John Bolton CNN nëntorin e kaluar, Trump nuk është aq i zgjuar sa të jetë një autoritar i suksesshëm. Por për fat të keq, diku në Amerikë, mund të ketë një diktator të zgjuar që aspiron, i cili po vëzhgon kaosin tonë të fundit dhe po merr shënime të mira. Herën tjetër, mund të mos jemi aq me fat”. Ky është shqetësimi  më i madh për vendin tonë në të ardhmen: A mund të lindë një autokrat edhe më i madh sesa paraardhësit e tjerë? Basha duket se është në rrugën normale për ta arritur këtë cak me ndryshimet në PD dhe vartësinë absolute, që do marrë jetë për pak javë. Tashmë te PD-ja po i shtrojnë qilimat e madhështisë së tij.

Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?