Ka një debat të ekzagjeruar mbi metodat e frikësimit që po përdor kryeministri Edi Rama, për të futur qytetarët brenda në shtëpi. Përfshi këtu dhe videon “fake” nga Spanja.
Më së shumti po proteston Sali Berisha dhe njerëzit e tij, që përmes ‘qytetarit digital’ e kanë kthyer dizinformimin në institucion.
Në rastin konkret, qëllimi i Edi Ramës është i qartë. Ai kërkon të na frikësojë që të futemi brenda. Dhe në këtë rast na ka qëlluar dhe më një plumb “qorr” nga Algjeria, që ja kanë ofruar si spanjoll.
Por kjo nuk e ndryshon qëllimin e tij. Strategjia që ai po përdor për të na futur brenda, aktualisht është kërcënimi se mund të përdorë dhe forcën.
Por mendoj se problemi është si ta kthejmë karantinën në normalitet.
Normaliteti i karanatinës është që të gjithë të mësohemi të jetojmë me të dhe për disa kohë të përshtasim jetën tonë në funksion të saj.
Në këtë aspekt, është mirë që kryeministri të japë për publikun disa parime që nuk ndryshojnë çdo ditë, pasi ato mund të krijojnë kaos.
Fundjava që po lëmë pas ishte e ngarkuar me ndryshime oraresh dhe paparashikueshmërinë për mbijetesën e përditshme. Dhe kjo gjë stimulon paqartësinë dhe panikun tek qytetarët, të cilët përdorin lirinë e lëvizjes si moment paniku.
Qeveria duhet të fiksojë oraret e të lëvizurit në këmbë në qytete me distancë sociale, që të jenë të njohura dhe nuk ndryshojnë përditë, për të forcuar psikologjinë e qytetarit, që nuk ka rrezik të ngelet pa bukë, pa domate e speca.
Vërshimi masiv rrugëve të shtunën apo të premten paradite, kishte brenda këtë arsye. Eshtë më mirë ta dinë që çdo ditë për rreth 5 orë paradite, ata mund të dalin, secili vetëm, nga një pjesëtar në familje, për të bërë pazarin apo ndonjë nevojë jetike, per ilaçe.
Kjo nuk i fut në panik dhe as i nxit qytetarët t’u turren furrave të bukës si të babëzitur, nga ideja se nuk e dinë se çfarë plani ka Qeveria, në ditët në vijim.
Në një farë mënyre, përveç presionit, duhet dhe një qasje psikologjike ndaj qytetarëve, që ata të mos jenë nën presionin e asaj që nuk parashikojnë dot. Pas kësaj, ndëshkimet duhet të jenë dhe më të ashpra.
Shëtitje duke i futur krahun njëri- tjetrit në bulevard nuk mund të ketë. Radhët para dyqaneve duhet të respektojnë distancë. Dhe oraret duhet të jenë të qarta për të gjithë.
Karantina duhet të kthehet në normalitet, duhet të jetë e parashikueshme, e llogaritshme dhe e ashpër në ekstrem.
Ata që kanë mundësi të punojnë, duhet të dinë se si do shkojnë në punë, qoftë dhe me këmbë.
Ata që duhet të dalin për të bërë pazarin, duhet të jenë të qartë, se kë do dërgojnë nga shtëpia për pazar.
Ata që kanë punë me bankat, duhet të jenë të qartë kur ato janë hapur.
Njerëzit nuk mund të presin çdo ditë njoftime të Qeverisë, për të normalizuar karantinën.
Ata duhet të jenë të qartë, se ajo nuk duhet shkelur, se ata mund të ndëshkohen rëndë po e bënë atë, por duhet të jenë dhe të qartë për hapësirën që kanë për të mbijetuar, me qëllim që t’i përshtaten kësaj situate ekstreme.
Vetëm kur të normalizohen raportet e qytetarëve me karantinën, do ta fitojmë betejën. Ndryshe pastaj do merremi me metodat e frikësimit, më shumë se me metodat e mbijetesës.
Dhe nga kjo kam frikë se nuk do të jemi, as të frikësuar, as të mbijetuar./ tema