Si ta ruajmë Kosovën nga udhëheqësit e saj

3 Gusht 2018, 17:10| Përditesimi: 3 Gusht 2018, 17:16

  • Share

Është shumë mbresëlënëse të dëgjosh me qetësi gjëra kaq të rënda dhe të papërgjegjshme, sa këto që po artikulohen këto ditë zyrave, odave dhe livadheve të Kosovës nga politikanë shqiptarë.

Presidenti Hashim Thaçi ka nisur një fushatë që duhej të alarmonte çdo institucion shqiptar në Kosovë dhe Shqipëri, por në fakt të gjithë po duket sikur nuk e marrin seriozisht. Ai po flet për ndryshime kufijsh, madje për t’u dukur agresor dhe jo i agresuar, siç do të ishte në një rast të tillë, po kërkon dhe Luginën e Preshevës që t’i bashkohet Kosovës.

Akademiku Nexhat Daci, ndoshta i bindur se dikur Akademia Serbe e bëri platformën e Serbisë së Madhe, i ka shkuar për një çaj në zyrë me shpresë si i duket vetja si Çubriloviqi.

Kryeministri Ramush Haradinaj, po bën sikur nuk i dëgjon çfarë thonë. LDK, po ashtu bën sikur nuk e njeh për negociator. Vetëvendosja nuk e njeh si të tillë dhe po e dëgjon me ëndje në heshtje.

Në Tiranë po ashtu, bëjnë sikur nuk e kanë mendjen. Ja quajnë hall personal.

Dhe i tillë mund të jetë, por problemi është, se halli personal i një Presidenti, mund të kthehet në hall kombëtar. Vendimi një politikani për të hapur një axhendë të re për ndryshim kufijsh në Ballkan, është jo vetëm kthim prapa dhe shumëzim me zero për gjithë investimin për paqe në Ballkan, por një rrezik real për faktorin shqiptar në Ballkan.

Kufijtë nuk ndryshohen nga bisedimet mes dy personave, por nga luftra të përgjakshme primitive dhe nga imponimi me forcë. Hashim Thaçi nuk ka fuqi as të parën, as për të dytën.

E vetmja gjë që ai po bën, është që po i hap mundësi Serbisë, t’i rikthehet çështjes së Kosovës me dhunë, tashmë duke ja dhënë arsyen shqiptarët, të cilët mund të braktisen në këtë aventurë nga çdo mbështetje Perëndimore.

Kosova është një investim i Perëndimit për të formuar një shtet të lirive qytetare, ku bashkëjetesa me pakicat është detyrim, është standard dhe mbi të gjitha është çmim për lirinë që na e solli Perëndimi në emër të lirive njerëzore. 

E ardhmja e Kosovës dhe Ballkanit është e detyruar të kalojë përmes shteteve multietnike, me pakica të tjera kombëtare brenda tyre, si e vetmja mënyrë për të konsoliduar një “gjimnastikë” demokratike për të drejtat njerëzore dhe bashkëjetesën në Ballkan.

Pakicat kombëtare nuk janë fatkeqësi, por sprovë për bashkëjetesë. Ato padiskutim që bëjnë nervoz shumë njerëz që duan të jenë të barabartë me ta, e pse jo superiorë, por në fakt, pakicat, në rajone si Ballkani, duhet të jenë më të privilegjuara. 

Kroacia ka histori të përgjakshme me Serbinë, por nuk ka histori diskriminimi me pakicën serbe në Kroaci, përkundrazi ka mbidozë lirie për ta. Është kjo një arsye përse ata janë sot anëtarë të BE. 

Serbia duhet t’u japë shqiptarve gjithë liritë që kanë qytetarët serbë, plus të drejtat e tyre si komunitet shqiptar dhe shqiptarët në Kosovë duhet po ashtu t’i shtrëngojnë dhëmbët dhe gjuhën dhe të bashkëjetojnë, duke i respektuar serbët në Kosovë, jo në emër të së shkuarës, por në emër të lirisë që fituan nga Perëndimi, si pakicë e shtypur nga serbët. 

Nëse duan që të ruajnë aleancën me çlirimtarin e tyre real, Perëndimin, ata duhet të mësohen të kuptojnë se Liria e Kosovës erdhi nga standardi Perëndimor i lirive për qytetarët dhe jo nga standardi i shtetit etnik që vret qytetarin për shtetin, as nga mentaliteti i patriotëve folklorikë, që kur kanë ndonjë hall të tyre i vënë zjarrin Kosovës që të digjen bashkë me të.

Rikthimi tek debati për kufijtë dhe ndryshimin e tyre është kthim në shtetet etnike, që është shkrepësja që i vë zjarrin në çdo kohë Ballkanit. Nga ana tjetër është dhe një koncept primitiv, pasi është ikje nga shteti i qytetarëve. 

Në emër të shtetetit etnik, mund të vendosen diktatura, mund të bëhen masakra dhe në fund mund të mos kesh as shtetin. Milosheviçi është një shembull i freskët se si shkatërroi veten dhe Serbinë në emër të shtetit etnik serb.

Fakti që askush nuk po reagon ndaj deklaratave të Presidentit Thaçi mund të merret si ogur pozitiv, pasi nuk i konsiderojnë serioze, por kjo nuk i bën serioze institucionet shqiptare.

Dikush tjetër mund të bëjë sikur e merr seriozisht dhe ky do jetë një kthim i tmerrshëm pas. Po t’i shtosh pastaj dhe deklaratat e Pandeli Majkos në livadhet e Skënderajt me emigrantë të sapokthyer në Kosovë, që flet për heqje kufijsh, patrotizmi shqiptar i gushtit, mund t’i vërë flakën çdo livadhi në Ballkan, më keq se barinjtë që djegin kullotat.

Dhe të mendosh që Majko në fakt e ka fjalën për heqje doganash, por dhe për atë nuk e pyesin oligarkët e Shqipërisë dhe Kosovës, kjo situatë bëhet dhe më tragjikomike.

Nuk jam kundër që në Oda të shesim patriotizëm ë bëjmë sikur po bashkojmë trojet dhe po të pimë raki me emigrantët që vijnë çdo verë, por të paktën të ngelemi brenda Odave.

Në zyrat e shtetit dhe sidomos në zyrat e Shtetit të Kosovës, nuk bën të imitohen, as teoritë etnike të Milosheviçit, as akademikët famëkeqë të tij. 

Kosova ose qëndron në këmbë si shtet i lirive qytetare dhe investim i Perëndimit, ose i vë flakën faktorit shqiptar në gjithë Ballkanin, si një shtet i dështuar dhe ngrin e kthen pas dhe procesin e integrimit të Shqipërisë në Evropë. 

Ndaj duhet ta ruajmë Kosovën që të mos të bjerë në këtë batak. Duhet ta ruajmë jo vetëm nga armiqtë e saj, por dhe nga udhëheqësit e saj.

Komento
  • Sondazhi i ditës:

    A e keni të qartë pse opozita organizon mosbindje civile?