Zbardhen disa dokumente arkivore me siglën “Sekret” të nxjerra nga Arkivi Qendror i Shtetit në Tiranë (fondi i ish-Komitetit Qendror të PPSh-së), të cilat i përkasin vitit 1979 dhe janë pjesë e një dosjeje voluminoze ku ndodhen relacione, raporte, njoftime, udhëzime, shënime, letra, informacione, etj., të Degës së Punëve të Brendshme të rrethit të Shkodrës drejtuar Ministrisë së Punëve të Brendshme, të cilat më pas i janë dërguar Komitetit Qendror të PPSh-së.
Pjesë e asaj dosjeje është dhe një raport-informacion i hartuar nga kryetari i Degës së Punëve të Brendshme të rrethit të Shkodrës, Rexhep Kolli, që mban datën 7 nëntor 1979, i cili ia ka dërguar eprorëve të tij në Ministrinë e Punëve të Brendshme, ku bëhet fjalë për ngjarjen e bujshme të datës 27 korrik të atij viti, ku Nikoll Pjetër Hysaj me origjinë nga Vermoshi, një person që ndiqej nga Sigurimi i Shtetit që nga viti 1973, mundi që të kalonte kufirin shtetëror dhe të arratisej në Jugosllavi.
Ashtu siç do të shohim në dokumentin në fjalë, kryetari i Degës së Punëve të Brendshme të rrethit të Shkodrës, Rexhep Kolli, ka bërë një përshkrim të hollësishëm dhe me detaje të biografisë së Nikoll Pjetër Hysaj, duke filluar nga origjina e familjes dhe qëndrimin e saj politik që nga periudha e Monarkisë së Zogut dhe ajo e pushtimit nazi-fashist, 1939-1944, çlirimi i vendit ku familja Hysaj kishte strehuar dhe furnizuar Prek Calin, arratisjen në Jugosllavi në vitin 1949, të babait të Nikollës, Pjetër Hysaj, së bashku me vëllanë, Markun dhe kushëririn e tyre, Kolën, vrasjen e Pjetër Hysaj në vitin 1952 nga forcat e kufirit, duke e akuzuar atë si njeri që punonte për UDB-në, dënimin me 10 vjet burg të Gjon Kol Hysaj në vitin 1979 etj.
Pas anës biografike të familjes Hysaj, në raportinformacionin në fjalë dërguar Ministrisë së Punëve të Brendshme, Rexhep Kolli, është ndalur dhe ka bërë një përshkrim po ashtu të hollësishëm, lidhur me sjelljet dhe qëndrimin moralo-politik të Nikoll Pjetër Hysaj, duke theksuar në mes të tjerash se, në vitin 1973, organet e Sigurimit të Shtetit, kishin tentuar ta bënin atë informator të tyre, por e kishin përjashtuar brenda vitit, pasi ai i kishte dekonspiruar dhe që nga ajo kohë e deri ditën që Nikolla u arratis, më 27 korrik 1979, ai ishte survejuar dhe ndjekur rregullisht nga organet e Sigurimit të Shtetit, (si një kontingjent me të kaluar të keqe dhe qëndrim të keq), duke qenë në përpunim aktiv 2/A.
Më pas në dokumentin në fjalë, pasi ka përshkruar të gjitha rrethanat e arratisjes së Nikoll Pjetër Hysaj, kryetari i Degës së Punëve të Brendshme të rrethit të Shkodrës, u ka bërë me dije eprorëve të tij, edhe masat përkatëse disiplinore e dënimet që kishte marrë për Punëtorët Operativë dhe personat përgjegjës, që kishin në mbikëqyrje Nikollën.
Lidhur me këto dhe të tjera për atë ngjarje të bujshme që vuri në alarm Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe deri Komitetin Qendror të PPSh-së, (aq sa, ministri Feçor Shehu, u detyrua që t’i raportonte Enver Hoxhës), na njeh dokumenti në fjalë që publikohet për herë të parë nga “Memorie.al”.
Por, ajo që bie në sy në këtë dokument, është fakti që, babai i Nikollës, Pjetër Hysaj, nuk përmendet në asnjë vend, se është vrasësi i Nik Pjetër Ndrekës (“Hero i Popullit”), ashtu siç ai u akuzua nga propaganda dhe regjimi komunist i Enver Hoxhës deri në vitin 1991, gjë e cila tregon qartë dhe më së miri, se ajo akuzë, ishte një sajesë e trillim i regjimit komunist në fuqi, me qëllim që të nxinte biografinë e familjes Hysaj dhe të krijonte urrejtje nga banorët e asaj zone, ndaj tyre.
Dokumenti sekret me relacionin e formuluar nga kryetari i Degës së Punëve të Brendshme të rrethit të Shkodrës, Rexhep Kolli, dërguar Komitetit Qendror të PPSh-së, lidhur me të biografinë dhe rrethanat e arratisjes së Nikoll Pjetër Hysaj, në 27 korrik 1979
REPUBLIKA POP. SOC. E SHQIPËRISË SEKRET RELACION
Mbi arratisjen e Nikoll Pjetër Hysës
Më datën 27 korrik 1979, është larguar në drejtim të paditur Nikoll Hysa, i biri i Pjetrit dhe Ages, lindur në fshatin Vermosh të rrethit Shkodër në vitin 1947, me arsim 7-vjeçar, i paorganizuar, i padënuar, me profesion punëtor – murator, me kombësi dhe shtetësi shqiptare, i martuar me 1 fëmijë, ka kryer shërbimin ushtarak dhe me banim në fshatin e ri, Bushat. Qëndrimi politik i familjes së tij gjatë regjimit antipopullor të Zogut dhe gjatë pushtimit të vendit tonë nga pushtuesit italo-gjermanë, ka qenë indiferent.
Në periudhën e Luftës dhe mbas çlirimit, familjarisht kanë mbajtur qëndrim të keq, janë lidhur me kriminelin Prek Cali dhe e kanë strehuar e furnizuar atë. Mbas prishjes së marrëdhënieve të vendit tonë me revizionistët jugosllavë, babai i tij, Pjetër Hysa, së bashku me të vëllain, Mark Hysën dhe të kushëririn e tij, Kolë Hysën, arratisen në Jugosllavi. Në vitin 1952, i vënë në ndjekje nga forcat tona, Pjetër Hysa, i ati i Nikollës, është vrarë kur ky vepronte në shërbim të UDB-së, në zonën e Vermoshit.
Aktualisht, ka një kushëri mbi tri breza të arratisur, ndërsa, Gjon Kol Hysa, kushëriri i tij i largët, ka qenë riatdhesuar dhe një vitin 1979, është dënuar me dhjetë vjet heqje të lirisë, për krimin e agjitacionit e propagandës kundër pushtetit popullor.
Vetë Nikolla, mbasi kryen arsimin 7-vjeçar, ka punuar në fshat, më vonë mobilizohet në ushtri dhe mbasi kryen shërbimin ushtarak, deri në muajin maj të vitit 1979, ka banuar në Vermosh së bashku me gruan dhe djalin në moshë të vogël. Në vitin 1971, i përmenduri në lëndë, është tentuar për ta tërhequr në bashkëpunim të organeve të Sigurimit të Shtetit në kategorinë e informatorit nga punëtori operativ Beqir Çoka, dhe mbas një viti, më 10.2.1972, është përjashtuar nga rrjeti agjenturial, për arsye se ka dekonspiruar. Si njeri me të kaluar të keqe dhe me qëndrim të keq, është evidentuar kontingjent. Në vitin 1976, është marrë në përpunim në P.P., mbasi dyshohej se ka dijeni për arratisjen e bashkëfshatarit të tij, Gjergj Rizaj, por mbasi të dhënat në ngarkim të tij nuk u vërtetuan, është hequr dhe përsëri është mbajtur në evidencën e kontingjenteve dhe nën kontroll agjenturial, por të dhëna në ngarkim të tij, nuk kanë dalë. Nikolla gjatë viteve të fundit, është lejuar nga kooperativa dhe në bazë të kërkesës së tij, është vendosur me punë në Bonifikim, në Rruga – Ura, në Koman. Më vonë, herë pas here ka kërkuar të largohej nga Vermoshi, për t’u stabilizuar me punë dhe banim në thellësi, në ndonjë Fermë ose N.B. Mbi këtë bazë dhe për ta larguar nga zona kufitare, kemi biseduar me Komitetin Ekzekutiv dhe në fund të muajit maj 1979, është vendosur me banim në fshatin e ri në Fermën e Bushatit dhe në datën 16 qershor, ka filluar punën punëtor në N.B, në sektorin e Trushit.
Që në këtë kohë, punëtori operativ i zonës, Vat Gjoni, vë në dijeni punëtorin operativ të Bushatit, duke i thënë se e kishte në kontingjent, se Nikolla kishte të atin të pushkatuar dhe i thotë që ta kishte kujdes dhe më datën 27.7.1979, i kalon kartelën, i cili edhe e merr në evidencë, por nuk merr masa të tjera për të organizuar punën për kontrollin e tij, qoftë nëpërmjet agjenturës dhe vijës së masave.
Më datën 17 korrik, Nikollës i ka bërë telegram i ati i së shoqes, Mark Jakaj, nga fshati Lohe i Koplikut, duke i thënë se Nikolla kishte djalin të sëmurë dhe i kërkonte që ky së bashku me Vitoren, të shkonte për ta parë dhe për t’u interesuar për shëndetin e tij. Kështu, më datën 18.7.1979, Nikolla së bashku me bashkëshorten, janë nisur nga Bushati dhe kanë vajtur në Lohe për të parë djalin që kishin lënë te prindërit e bashkëshortes. Me datën 20, së bashku me bashkëshorten kanë ra përsëri në Koplik, për të tërhequr ilaçet që i kishte dhënë mjeku.
Në këtë kohë të shoqen, e ka nis për te prindërit për të dërguar ilaçet, ndërsa vetë Nikolla, ka shkuar në Bushat, ku ka qëndruar deri më datën 23.7.1979, kohë në të cilën është larguar për në fshatin Vermosh.
Para nisjes, është takuar me Mark Prelë Lisin nga fshati Mali i Jushit dhe i ka marrë 500 lekë për t’i bërë dy divane, gjë për të cilën kishin biseduar që më parë. Më datën 25-26 korrik 1979, është vërtetuar se ky ka fjetur tek i vëllai, Gjergj Hysa, në Vermosh, me të cilin është ndarë dhe me datën 27.7.1979, mbasi ka dalë në rrugën automobilistike, gjoja për të ardhur në Shkodër, nuk është parë më.
Në kërkim të Nikoll Hysës është vërtetuar se është arratisur në Jugosllavi dhe kjo është vërtetuar për faktin se: Në shtëpi në Bushat me datën 23.7.1979, ka lënë një letër në të cilën shkruan:
“Mori grue mos ki mërzi, merre burrin djal të ri, të mos pijë duhan as raki, kaloje jetën me dashuri, se ti mua më çove në zi, kaq sa për dijeni, se nuk kam qenë për ty”, dhe mbasi e firmos, e porosit duke i thënë, që për mua, kujt gjë mos i paguaj. Drejtoria e Kufirit na ka njoftuar se në Tropojë në fillim të muajit gusht, në pikën kufitare të Çeremit, në piramidën nr.18. ka dalë një qytetar jugosllav i moshës rreth 50 vjeç dhe i ka folur njësitit kufitar, duke i thënë se, një fshatar nga Vermoshi i moshës 27-28 vjeç, ka ardhur në Guci.
Dega I e Drejtorisë së Sigurimit të Shtetit me shkresën nr.3630, datë 10.91979, mbasi njofton për anulimin e kërkimit, thotë se Nikoll Pjetër Hysa është arratisur në Jugosllavi. Duke analizuar shkaqet e arratisjes të përmendurit në lëndë dhe të metat e punës sonë në këtë drejtim, konkludojmë se:
1) Nikoll Pjesër Hysa është arratisur për arsye të armiqësisë që ka ushqyer ndaj pushtetit popullor, si element me prejardhje të keqe, babai i të cilit është vrarë në kohën që është dërguar nga UDB-ja jugosllave për veprime diversioniste ndaj vendit tonë.
2) Gjatë kohës që është bërë në moshë madhore edhe mbasi është martuar, është karakterizuar si njeri i shthurur, pa personalitet, i dhënë pas pijes, me qëndrim të dobët moral, kështu në fshat nuk kishte asnjë kredi.
3) Nga studimi i letrës që ka lënë në kohën e arratisjes në adresë të së shoqes në shtëpi, si dhe të dhënave që kemi, del se e bashkëshortja nuk është pajtuar asnjëherë me qëndrimin dhe sjelljet e tij, bile ajo i ka kërkuar vazhdimisht që, ky të hiqte dorë nga pija e vese të tjera, çështje të cilat mund të jenë influencuar që ky të arratisej.
4) Mbasi u vendos me punë dhe me banim në Fermën e Bushatit, megjithëse ky ishte me të kaluar dhe me qëndrim shumë të keq, nuk u mbajt nën kontroll agjenturial dhe të masës ku punonte, sepse punëtori operativ, Nikoll Brigja, megjithëse u vu në dijeni dhe u porosit që të organizonte punën në drejtim të tij, ky nuk morri asnjë masë për të bërë të njoftuar figurën e tij, shokëve të Partisë e drejtuesve në qendrën e punës dhe mbajt nën kontroll agjenturial, për t’u informuar si për lëvizjet e tij, ashtu dhe për reagimet e tij.
5) Megjithëse Nikoll Hysa ishte kontingjent i hapët, përbërja dhe qëndrimi i tij, nuk iu bë e njohur kolektivit punonjës të sektorit ku punonte, si rrjedhim, megjithëse ky u largua nga puna për 10 ditë rresht dhe qarkulloi në zonën e Bushatit, Koplikut dhe Vermoshit, deri sa u arratis, organet tona nuk njoftuan për largimin e tij, as nga qendra e punës dhe as nga kryesitë e organizatave të masave të fshatit.
6) Punëtori operativ, Vat Gjoni, megjithëse e ka vlerësuar rrezikshmërinë që paraqiste ky njeri dhe është interesuar që ta largonte nga zona kufitare në thellësi, mbasi ky u stabilizua me punë dhe banim në Bushat, nuk koordinoi si duhet punën me punëtorin operativ, Nikoll Brigja, dhe nuk aktivizoi agjenturën që kishte për të bërë kontrollin e tij, për të parë se si reagonte mbasi u largua nga Vermoshi, si e priti vajtjen në Bushat, ç’probleme e shqetësonin, etj., dhe për të sinjalizuar kur ky shkonte në Vermosh. Kështu, duke u mjaftuar vetëm me porositë që i dha punëtori operativ, Nikoll Brigja, me gojë në kartelën e tij, për ta evidentuar në evidencën e kontingjenteve, ja jep më datën 27 korrik 1979, që Nikoll Hysa duhet të ketë kaluar kufirin për në Jugosllavi.
7) Kalesa e kufirit nga brenda jashtë, nga i arratisuri në fjalë, duhet të jetë bërë ditën dhe në sektorin e pikës kufitare të Bashkimit, në drejtim të piramidës nr.15., e cila në këtë kohë nuk ka qenë e mbuluar nga pika e njësitit të shërbimit kufitar.
Të gjitha këto të meta dhe dobësi në punën tonë, ne i kemi analizuar dhe përveç detyrave që kemi nxjerrë, Punëtori Operativ, Nikoll Brigja, u lëviz nga zona e Bushatit dhe u dërgua në atë të Gruemirës, mbasi ka pasur edhe raste të tjera të mungesës së vigjilencës, dobësi në punën për kontrollin e kontingjenteve, ku si rrjedhim edhe vitin e kaluar, në zonën që mbulonte ky, kemi pasur arratisje.
Memorie.al
KRYETARI I DËGËS SË PUNËVE TË BREBNDSHME Kopje 2. REXHEP KOLLI/ Memoria.al