(Sikur Trekëndëshi i Bermudës, për një çast, të flakte tej perden e hipokrizisë, të gjasmimit dhe të të bërit sikur, do të kishim këtë Komunikatë për Shtyp:)
Ne, Trëkëndëshi i Bermudës, sovranistët e vetëm dhe të vërtetë të Republikës së Shqipërisë, në përbërje të të cilit janë: Sh.T. Z. Edi Rama (Kryeministër), Sh.T. Z. Sali Berisha (Shef i opozitës së pashitur), Sh.T. Z. Ilir Meta (Kryetar i PL-së - Garanti i pushtetit ‘kush jep më shumë’)..., e lëshojmë këtë Deklaratë për të shprehur shqetësimin tonë të madh lidhur me ndikimin e mundshëm anglo-amerikan në zgjedhjen e kreut të SPAK-ut, që pritet të mbahet ditën e premte, më 16 dhjetor 2022.
Trekëndëshi i Bermudës bën me dije se ka ngritur grupin e punës dhe ka mandatuar me një prokurë të posaçme hierarkinë e tij më të lartë deri në zgjedhjet e radhës, Sh.T. Z. Edi Rama (Kryeministër) për të kalëruar Sovranizmin dhe për të mbajtur lart Flamurin e tij me dy krena.
Ne nuk do të lejojmë në asnjë mënyrë, në asnjë moment, në asnjë rrugë dhe në asnjë mundësi - dhe garantojmë se do të përdorim të gjithë mjetet demokratike, por jo vetëm- që të pamundësohet Revolucioni dhe Sovranizmi për të ecur krah për krah njëri-tjetrit si dy vëllezër të pandarë.
Ne japim dakortësinë tonë absolute për deklaratën e Sh.T. Z. Edi Rama se: “Kreun e SPAK s’e zgjedh as qeveria, as foltorjavulorjafallgjorja, as ambasada jo e jo...”. Pra, siç e ka thënë edhe Shkëlqesia e Tij, zoti Edi Rama, Kreun e Spak-ut e zgjedh populli sovran nëpërmjet mekanizmit të tij sovran të KLP-së, që duhet të jetë edhe ajo sovrane, siç jemi edhe ne sovran!
Ne ju kujtojmë se (meqenëse jemi në atmosferë botërori), në raport me SHBA-BE, Trekëndëshi i Bermudës, është përpara me golavarazh.
Pse do thoni ju? Ta them unë ty!
Pavarësisht se ambasadorja e SHBA-ve, që ne nuk duam t’i përmendim as emrin, por mund të japim identikitin e saj, si e shitur tek SOROS-i apo Sovjetikja e fundit, parapëlqente si Drejtor të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit z. Gledis Nano, ne e shkarkuam dhe nuk pyetëm fare. As për ambasadore, as për SHBA, as për BE.
Sepse ky vend është Sovran dhe nuk vendosin fuqitë e huaja!
Çfarë na gjeti? Ta them unë ty!
Asgjë s’na gjeti!
Madje, nga ajo ditë, kemi një Drejtor të Ri të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit që edhe ai është Sovranist! Si ne.
Ndaj na duhet një Drejtues SPAK-u Sovranist, si garanci e paprekshmërisë së sovranitetit të Republikës së Shqipërisë.
Si përfundim, Trekëndëshi i Bermudës siguron opinionin publik shqiptar, mediat e lira, qytetarët e ndershëm, se KLP-ja ditën e premte do bëjë zgjedhjen e duhur dhe, në vend të Amerikës, do të zgjedh Sovranizmin; në vend të Ndryshimit, do të zgjedh Ngecjen; në vend të Ndëshkueshmërisë, do të zgjedh Pandëshkueshmërinë. Sepse, zotëri, më mirë Djepi bosh se sa Shejtani brenda!
Si e vetmja rrugë që Revolucioni të tirumfojë dhe Sovraniteti të gëzojë!
Në të kundërtën, Revolucioni do të marshojë Përpara pa mbajtur përgjegjësi për veprimet dhe aktet e popullit sovranist.
(Firmosur prej të lartcituarve!)
Republika e Trekëndëshit të Bermudës
Rroftë miqësia shqiptaro-amerikane
14 dhjetor 2022
te lumte pena! te gjithe duan ta kapin" kreun e SPAK dhe bejne si sovraniste...
Përgjigju