Ndonëse numri i rasteve pozitive me COVID-19 është ulur ndjeshëm dhe aktualisht janë vetëm 39 rastet aktive, hetimi epidemiologjik në terren vijon. Epidemiologia Ermelinda Murati tha gjatë një interviste për "Report Tv" se vatrat e infeksionit janë në zonat ku ka më tepër dendësi në popullatë.
“Grupet tona të terrenit dalin vazhdimisht në terren në përditshmëri, asnjëherë nuk është ulur as vigjilenca as përkushtimi për të bërë punën tonë, vazhdon normalisht. Rastet vijnë në ulje dhe përqindja e pozitivitetit ka rënë goxha. Janë familjare, vatrat më kryesore janë dhe ato që kanë qenë dhe më përpara le të themi zonat rurale ku ka dhe më tepër dendësi në popullatë. Në Institut, në Kodër-Kamëz, në rrugën Siri Kodra së fundmi kam pasur raste pozitive”-tha epidemiologia Ermelinda Murati.
Në kryeqytet numri i qytetarëve që rezultojnë pozitiv nuk është më shumë se 7 mesatarisht në 24 orë.
“Në bazë të njohurive që ka epidmiologu përcakton se jo domosdoshmërish nëse një person del negativ me Rapid Test dhe vazhdojnë shenjat ne i bëjmë PCR atij personi por edhe Rapid Testi dhe PCR vazhdimisht bëhen”-tha epidemiologia.
Nga mbi 2000 teste që kryhen në të gjithë vendin çdo ditë për raste të dyshuara me COVID, pjesa më e madhe bëhen në Tiranë. Krahas testimit, epidemiologët synojnë izolimin e vatrave për të evituar shpërthimet epidemiologjike.