Situata në PD, nga entuziazmi në realitetin e hidhur

3 Prill 2022, 16:09| Përditesimi: 3 Prill 2022, 16:11

  • Share

Entuziazmi pas vendimit të Gjykatës së Tiranës që i njohu ndryshimet në statut Kuvendit të ‘Foltores’, tani po ia lë vendin paqartësive të së ardhmes. Në një kapërcim 360 gradësh, zoti Berisha po lëshon përditë e më shumë thirrje për bashkim, pala tjetër e drejtuar nga kreu i grupit parlamentar Enkelejd Alibeaj i është përgjigjur me një po, por pa emrin e Berishës. Ndërkohë ndaj të “shiturit” Lulzim Basha, ka amnisti për burgun e premtuar! Fakte të thjeshta, por që në thelb fshehin problemin kryesor të demokratëve, grupi parlamentar në shumicë të dukshme nuk e mbështet rikthimin e zotit Berisha në krye të PD. Po të shikosh karrierat e tyre politike, kanë të gjithë fije të lidhura me qeverisjen Berisha 1 dhe 2, pra janë njerëz që e kanë njohur  mirë edhe si kryetar e si kryeministër. Ose me saktë ja dinë huqet në drejtim!

Në analizë përtej deklaratave mediatike, rezistenca e tyre fsheh esencën e diskutimit, se mendjet e kthjellëta të opozitës janë kundër rikthimit të Berishizmit në PD. Ata janë kundër mënyrës së vjetër të të bërit politikë, ku rivali në momentin që interesat janë të kundërt është armik i betuar, ndërsa kur puqen është mik. E gjithë kjo trajektore në vetëm 2 ditë! Ata e dinë shumë mirë se nuk mund të damkoset me shumë se kaq partia, duke patur drejtimin e një njeriut shpallur non grata!   

Kjo situatë ka dhe një element tjetër në optikën time pozitive, politika ka disa vija të kuqe edhe në diskursin mediatik që nuk duhet t’i kalojë! Fjala bie, akuzat e zotit Berisha ndaj grupit demokrat nuk mund të harrohen me një kafe e shtrëngim duarsh të sforcuar.  Bashkimi apo pajtimi është një proces që nuk e ka në dorë agresori që në rastin konkret dihet kush është, por në dorë e ka edhe viktima, apo deputetët kundër rikthimit të tij. Këta deputetë po i thonë zotit Berisha se gjërat në PD nuk janë dhe nuk mund të jenë si më parë.

Situata nxjerr në pah një tjetër element, Grupi i Rithemelimit nuk ka asnjë platformë bashkimi, asnjë strategji drejtimi partie, madje kam idenë se as ata vetë nuk e prisnin këtë fitore të dhënë nga Gjykata e Tiranës. Gjithçka ata e kanë bazuar te qasja e zotit Berisha, dje Basha armik, sot i domosdoshëm.

Ky është pikërisht ai element që nuk i duhet një force politike në shekullin ku jetojmë! Pas Bashizmit kjo është pengesa e fundit që kjo parti duhet të kalojë, Berishizmin! Do e kalojë ose jo asnjë se di, por zërat e qartë thonë se duhet!

I.K/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Jeni dakord që prokurorët e SPAK të kenë mundësinë për një mandat tjetër?