TIRANË- Ndërkohë që na ndajnë me pak se 2 javë nga nisja e viti të ri akademik më datë 2 nëntor, senati akademik i Universitetit të Tiranës ka miratuar rregulloren e masave anti-covid.
Në dokumentin e siguruar nga Report Tv përcaktohet që hyrja e studentëve të bëhet me orare dhe vetëm nga hyrja qendrore ndërsa dalje do të bëhen me distancim. Që në hyrje do ketë një staf të dedikuar për matjen e temperturës së studentëve.
Në auditore distanca duhet të jetë nga 1.5-2 metra si dhe nuk do të lejohet konsumimi i ushqimeve. Nëse numri i studentëve do të jetë më i madh se hapësira e auditorit do të ndahen në nëngrupe duke e zhvilluar mësimin me turne.
Mbajtja e maskës nga studentët dhe personeli akademik do të jetë e detyrueshme dhe në ambietet e fakulteteve do të jenë të afishuara masat e rregullores dhe masat e higjienës.
Lëvizja e studentëve në ambientet e brendshme, duhet të jetë e përcaktuar në mënyrë që çdo zonë të ketë numrin më të vogël të individëve që lëvizin në të. Studentët do të hyjnë vetëm në sallën e përcaktuar për ta, do të përdorin vetëm tualetin në korridorin ku ndodhet salla e tyre, pa u takuar asnjë moment me studentët e grupeve ose programeve të tjera.
Dezifektimi i auditoreve dhe zyrave do të kryhet cdo ditë.Rregullorja që mban firmën e rektorit të UT, Artan Hoxha parashikon dhe si do të veprohet për raste e dyshuara dhe karantinimin e rasteve të konfirmuara.
Cdo student dhe personel me shenja të sëmundjes këshillohet që të qendrojnë në shtëpi dhe të informojnë sekretarinë mësimore. Kur një student rezulton pozitiv me koronavirus, i gjithë grupi kalon në mësim në distancë për 14 ditë.
Kur dikush nga personeli akademik del pozitiv, do të karantinohen studentët dhe kolegët që kanë pasur kontakt.Studentët dhe personeli do të plotësojnë çdo ditë formularin e vetdeklarimit të gjendjes shëndetësore
( Kliko këtu - Projekt rregullora e plotë )