Ekonomi

Banka Botërore 29.5 mln dollarë për shëndetësinë në Shqipëri, financohen spitalet e dëmtuara nga tërmeti

2 Dhjetor 2021, 12:31| Përditesimi: 2 Dhjetor 2021, 12:42

  • Share

Bordi i Drejtorëve Ekzekutivë të Bankës Botërore ka miratuar dje një financim shtesë prej 29.5 milionë dollarë për projektin e Përmirësimit të Sektorit të Shëndetësisë në Shqipëri. Ky financim do të ndihmojë në adresimin e dëmeve të shkaktuara në institucione te kujdesit shëndetësor nga tërmeti i nëntorit të vitit 2019 si dhe do të përmirësojë procesin e modernizimit dhe reformat në disa shërbime spitalore publike.

Financimi Shtesë do të ndihmojë në rehabilitimin e Spitalit të Krujës, Spitalit Rajonal të Lezhës dhe disa spitaleve e njësive në Qendrën Spitalore Universitare Nënë Tereza si Departamenti i angiologjisë dhe kardiokirurgjisë, Spitalit Psikiatrik, Departamenti i djegies dhe kirurgjisë plastike, dhe Spitali i përgjithshëm pedriatik. Gjithashtu, do të furnizohen me pajisje të reja mjekësore Spitali i Pediatrisë dhe Spitali i Laçit.

“Rehabilitimi i infrastrukturës kritike dhe blerja e pajisjeve të reja mjekësore për spitalet rajonale dhe bashkiake do të ndihmojë në forcimin e rolit të tyre në ofrimin e kujdesit shëndetësor më cilësor dhe më efikas për popullin e Shqipërisë,” tha Emanuel Salinas, Menaxher i Bankës Botërore për Shqipërinë.

Financimi Shtesë po mbështet gjithashtu zbatimin e Sistemit Rajonal të Informacionit Shëndetësor në të gjithë rrjetin spitalor rajonal, i cili do të mundësojë një koordinim dhe integrim më të fortë të shërbimeve për të përmirësuar vazhdimësinë dhe cilësinë e kujdesit shëndetësor.

M.Q./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?